Shkup, 10 tetor – Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov nesër, me ftesë të kolegut hungarez, Peter Sijarto, do të marrë pjesë në takimin ministror të vendeve nga Grupi i Vishegradit dhe vendeve nga Ballkani perëndimor që po mbahet në Budapest. Takimi i sivjetmë në Budapest mbahet në korniza të Kryeismit hungarez me Grupin e Vishegradit, e gjithashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të Estonisë, Rumanisë dhe Sllovenisë. Temë qendrore e takimit është eurointegrimi i vendeve nga Ballkani Perëndimor. Grupi i Vishegradit – V4, të cilin e përbëjnë Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria, është mbështetës tradicional i perspektivës evropiane të Ballkanit. Kjo konfirmohet edhe me mbajtjen e takimeve të rregullta vjeshtore të minsitrave të punëve të jashtme në formatin V4 dhe Ballkani Perëndimor.