Shkup, 26 shkurt – Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov sot gjatë vizitës në Pragë u takua me kryetarin e Dhomës së poshtme të Parlamentit çek, Radek Vondraçek dhe me sekretaren shtetërore për çështje evropiane Milena Hërdinkova.
Siç kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme, në takimet është shprehur mbështetje e fuqishme për Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave inkuadruese me BE-në.
Dimitrov më herët u takua me homologun e tij çek Tomash Petriçek, me të cilin diskutoi për pritjet dhe perspektivat e vendit dhe aktivitetet për mbështetjen e Çekisë në kontekstin e procesit të integrimit evropian.
“Çekia është pjesë e udhëtimit tonë në BE, duke na ndihmuar të arrijmë së bashku deri tek caku sa më shpejtë. Edhe sot në Pragën inspiruese morëm konfirmim për punën që është bërë dhe inkurajim për të merituarën. Pres që ai inkurajim të na çojë drejt cakut: hapja e negociatave inkuadruese pa shtyrje”, tha Dimitrov, kumtoi MPJ.
Në takim është bërë fjalë edhe për momentet kyçe nga marrëdhëniet mes dy vendeve mike dhe mundësitë për intensifikimin e tyre të mëtejshëm.
Ministri Petriçek, ceket, e konfirmoi mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme të Çekisë ndaj proceseve eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. E notoi progresin e dukshëm në zbatimin e reformave të domosdoshme në vend, investimin e konsiderueshëm politik dhe marrëveshjet e nënshkruara me Greqinë dhe Bullgarinë, dhe njëherit e konfirmoi qëndrimin e tij se Maqedonia e Veriut meriton ta fillojë procesin e negociatave.
Ministri Dimitrov do të marrë pjesë në një panel diskutimin në Institutin për Politikë evropiane – EUROPEUM, ndërkaq nesër do të marrë pjesë në takimin vjetor të ministrave të jashtëm nga vendet e Grupit të Vishegradit – V4 dhe vendeve nga Ballkani Perëndimor – WB6, që organizohet në kuadër të Kryesimit çek me Grupin e Vishegradit. (koha.mk)