Shkup, 8 korrik – Në ftesë të ministrit sllovak për Punë të Jashtme dhe Evropiane dhe kryesues i OSBE-së, Mirosllav Lajçak, shefi i Diplomacisë Nikolla Dimitrov do të marrë pjesë në mbledhjen ministrore joformale të OSBE-së që sot dhe nesër do të mbahet në Shtrbsko Pleso – në Sllovaki.
Siç kumtuan nga MPJ, në mbledhjen joformale të ministrave të Punëve të Jashtme do të këmbehen mendime për gjendjet aktuale në rajonin e OSBE-së, ndërsa në funksion të mbledhjes ministrore të rregullt vjetore që do të mbahet në dhjetor të këtij viti në Bratisllavë.
“Duke e marrë parasysh aktivitetin e suksesshëm shumëdekadësh të Organizatës, pritet diskutimet të fokusohen në potencialin e OSBE-së dhe kontributin në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve. Në vigjilje të shënimit të 20 vjetorit nga Samiti i Stambollit kur Organizata solli vendime kyçe për adaptim drejt gjendjeve të reja pas përfundimit të luftës së ftohtë, parashikohet ministrat të bisedojnë edhe për aktivitetet e ardhshme të OSBE-së me qëllim që ajo të përgjigjet në trende dhe sfida çdoherë e më të mëdha të sigurisë”, qëndron në kumtesë.
Përveç pjesëmarrjes në sesionet plenare dhe drekës së punës, është parashikuar, siç potencohet, minisri Dimitrov të realizojë edhe takime bilaterale me homologët e tij.