Shkup, 1 korrik – Me iniciativën e ministrave të Punëve të Jashtme të Estonisë dhe Singaporit, Urmas Reinsalu dhe Vivian Balakrishnan, sot u mbajt një video-konferencë globale për tejkalimin e pengesës digjitale në kontekstin e KOVID-19, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
Siç kumtoi MPJ, në konferencë morën pjesë gjithashtu zëvendëssekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Amina Mohamed dhe ministrat e Punëve të Jashtme të më shumë se 60 vendeve.
“Konferenca ministrore ishte një mundësi për të shkëmbyer mendime dhe përvoja në ballafaqimin e pandemisë duke përdorur zgjidhje digjitale inovative dhe fleksibile. Duke i shkëmbyer mësimet e marra, ministrat i theksuan pikëpamjet e tyre për nevojën e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar përballë sfidave të multilateralizmit dhe shënimit të 75 vjetorit të Kombeve të Bashkuara”, kumtoi MPJ.
Në fjalimin e tij, ministri Dimitrov i nënvizoi përpjekjet e qeverisë për përdorim të teknologjisë digjitale në tejkalimin e krizës në fushën e arsimit, shëndetësisë, tregtisë ndërkombëtare dhe menaxhimit me rreziqet.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i përvojave mund t’i plotësojë përpjekjet në nivel kombëtar që synojnë zbatimin e suksesshëm të mjeteve digjitale, në dobi të secilit individ. Kjo krizë veçanërisht shtyn në shoqërimin e forcave dhe burimeve për të gjetur mënyra më efikase për përdorim të softuerit të lirë dhe platforma nga administrata publike, ndërmarrjet, institucionet arsimore dhe qytetarët në ballafaqimin me krizën aktuale”, tha Dimitrov.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, siç kumtoi MPJ-ja, gjithashtu e shprehu edhe mbështetjen që Republika e Maqedonisë së Veriut, si një mbështetëse e fortë e multilateralizmit, ia jep Deklaratës Globale për përgjigje digjitale të KOVID-19.