Shkup, 12 shtator – Shqyrtim të arritjeve, ngjarjet aktuale dhe pikëpamjet lidhur me pritjet tona nga Këshilli i tetorit i Bashkimit Evropian, bënë sot në takimin në Berlin ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe kolegu i tij gjerman, Hajko Mas.
Ministri Dimitrov shprehi falënderim për mbështetjen parimore dhe konzistente gjermane si dhe miqësinë dhe bindjen se në tetor nuk do të ikë mundësia për sukses të përbashkët.
“Këtë vit jam vizitor i shpeshtë i Berlinit dhe sot, mu në prag të Këshillit të tetorit të BE-së, kam ardhur të këmbej mendime me miqtë tanë gjermanë dhe të theksoj edhe njëherë se Maqedonia e Veriut paraqet mundësi të padyshimtë për sukses të merituar dhe të përbashkët me BE-në në tetor. Jemi falënderues për mbështetjen gjermane dhe jemi të bindur se perspektiva evropiane së shpejti do të vlerësohet dhe njihet edhe nga të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së”, tha Dimitrov, kumtoi MPJ.
Mas e riafirmoi mbështetjen për shtetin duke cekur se është optimist lidhur me pritjet nga Këshilli i BE-së në tetor dhe se nuk sheh kurfarë pengesa që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat për anëtarësim me BE-në.
Siç kumtoi në Tuiter MPJ gjermane, Mas porositi se Maqedonia e Veriut do ta gjejë rrugën e vet drejt Bashkimit Evropian përmes bashkëpunimit dhe kompromisit, përmes demokracisë dhe sundimit të së drejtës.
“Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës. Do të vazhdoj të punoj për negociatat për inkuadrim drejt BE-së. Duhet t’i respektojmë arritjet, Maqedonia e Veriut do ta gjejë rrugën e vet përmes bashkëpunimit dhe kompromisit, përmes demokracisë dhe sundimit të së drejtës”. qëndron në kumtesë.
Dimitrov në ditën e parë të vizitës së punës në Berlin i prezantoi argumentet maqedonase para nikoqirëve gjermanë për marrjen e vendimit për fillim të negociatave inkuadruese me BE-në në tetor. Ka pasur fjalim dhe këmbim mendimesh me bashkëbisedues relevantë nga disa institucione shtetërore, anëtarë të Budnestagut dhe të komunitetit think tank, gjatë mëngjesit të punës organizuar nga Fondacioni Kerber.
Në takimin me ministrin shtetëror, kompetent për Evropë, Mihail Rot, këmbyen mendime rreth rezultateve konkrete reformuese që i ka arritur Maqedonia e Veriut në prag të Këshillit të tetorit. U takua edhe me deputetët nga Bundestagu, Josip Juratoviq (SPD), Gunter Krihbaum (CDU, kryesues i Komisionit për çështje të BE-së), Kristian Petri (SPD), Mihail Kufer (CSU), si dhe me Uve Korsepius, këshilltar për BE i kancelares Angela Merkel.
“Në takime me deputetët gjermanë të cilët dhanë mbështetje të qartë, u bë fjalë për rezultate dhe përparim që vendi realizoi dhe argumentet përse vendimi pozitiv në tetor është i merituar, posaçërisht në prag të debatit të ardhshëm të Budnestagut në fund të shtatorit”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Ministri Dimitrov vizitën në Berlin nesër e vazhdon me takime me deputetë nga Bundestagu gjerman, këshilltarin për politikë të jashtme të Kancelares Merkel, si dhe me përfaqësues të Ministrisë gjermane të Punëve të jashtme.