Situatat politike në Republikën e Maqedonisë, me theks aktivitetet lidhur me implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, agjenda reformuese BE dhe NATO, si dhe kontributi në zhvillimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal në Evropën Juglindore, janë temat për të cilat sot ka brifuar ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov para Komisionit për çështje të BE-së në Bundestagun gjerman.
Siç kanë bërë të ditur nga MPJ, Dimitrov i cili po qëndron për vizitë pune në Gjermani, me ftesë të kryetarit të Komisionit, Gunter Krihbaum, para të pranishmëve ka theksuar se Maqedonia është e vendosur të arrijë sukses dhe ka potencuar se në takimin e ardhshëm bashkë do ta festojnë hapjen e negociatave paraqasëse me BE-në.
Ministri Dimitrov ka realizuar takim edhe me Jan Heker- këshilltarin për politikë të jashtme të kancelares gjermane, Angela Merkel ku ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve, ndërsa është theksuar se realizimi i reformave në Maqedoni është para së gjithash për përfitim të vetë qytetarëve dhe transformim të vendit në demokraci kredibile evropiane. Bashkërisht është konstatuar se vizita historike e kancelares Merkel më 8 shtator është dëshmi e raporteve në nivel të lartë mes dyja vendeve.
Vizitën në Berlin, Dimitrov e ka shfrytëzuar edhe për takime të ndara me drejtorin menaxhues të Fondacionit “Fridrih Ebert”, Ronald Shmid, si dhe me zëvendës- drejtorin për bashkëpunim evropian dhe ndërkombëtar në Fondacionin “Konrad Adenauer”, Frank Pris.
Aktivitetet e ministrit Dimitrov kanë vazhduar edhe në Institutin për shkenca shoqërore pranë Universitetit Humbolt ku ka mbajtur ligjërata në temë “Diplomaci, demokraci dhe kompromis në Ballkanin Perëndimor- rruga progresive e Maqedonisë drejt qasjes në BE dhe leksionet për rajonin”.
Dimitrov ka realizuar takim edhe me koordinatorin special të aktiviteteve të Zyrës gjermano- franceze për të rinj në rajonin e EJL-së, Frank Moravjec ku është diskutuar për projektet e ballafaqimit me të kaluarën dhe tejkalimin e dallimeve për ndodhitë historike në rajonin e EJL-së.