Shkup, 10 dhjetor – Ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Punëve të Brendshme, Nikolla Dimitrov dhe Oliver Spasovski, prej sot qëndrojnë për vizitë dyditore në Paris, me ftesë nga ministri francez i Punëve të Jashtme Zhan-Iv Le Drian.
Gjatë vizitës, informojnë nga MPJ, ministrat do të marrin pjesë në takim të nivelit të lartë të iniciativës franko-gjermane për luftë kundër tregtisë të palejueshme me armë të lehta në vendet e Ballkanit Perëndimor, që është paraparë të udhëhiqet nga ministri francez i Punëve të Jashtme Le Drian dhe homologu i tij gjerman Hajko Mas.
Në kuadër të vizitës së punës në Paris, janë paraparë edhe aktivitete tjera punuese dhe takime të ministrit Dimitrov, mes të cilave edhe takime me përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe parlamentar të Francës, si dhe fjalë rasti në Fondacionin “Robert Shuman”.