Bruksel, 28 mars – Detyrë më e rëndësishme për vendin për momentin është që të evropianizohet përmes ndryshimit thelbësor shoqëror dhe fokusimit në gjërat që kanë rëndësi, porositi sot shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov në takimin me delegacionin nga Brukseli nga përbërja e grupeve të punës COWEB (për Ballkanin Perëndimor) dhe COELA (për zgjerim) nga Bashkimi Evropian.
“Vetëm ashtu do të arrijmë t’i mbajmë gjeneratat e ardhshme dhe të sigurojmë stabilitet dhe prosperitet”, shtoi Dimitrov.
Vizita e punës e delegacionit nga COWEB/COELA pati për qëllim këmbimin e mendimeve dhe prezantimin e arritjeve rrjedhëse në pjesën e reformave lidhur me agjendën evropiane të vendit.
Në kontekst të rajonit, shtoi ai, kjo do të thoshte fillim i një gare pozitive, një “olimpiadë” e llojit të vet të reformave,e bazuar në vizionin e vetëm të qëndrueshëm për të ardhmen tonë të përbashkët – të reformohemi, të ofrojmë jetë më të mirë për qytetarët tanë dhe të krijojmë rajon të vlerave dhe urave, në vend të kufijve”.
“Mundi është i madh dhe i përbashkët – ne duhet të punojmë dhe të tregojmë argumente dhe rezultate, ndërsa Brukseli dhe vendet anëtare duhet të na vlerësojnë në mënyrë të rreptë dhe objektive dhe në mënyrë adekuate t’i vlerësojnë përpjekjet tona”, tha shefi i diplomacisë.
Ai theksoi se sinqerisht beson se Republika e Maqedonisë së Veriut këtë vit paraqet rrëfim të shpresës për rajonin dhe për Evropën në tërësi, që duhet të njihet dhe inkurajohet nga BE-ja.
“Arritëm depërtim historik në marrëdhëniet me fqinjët tanë përmes marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë, ndërsa brenda punojmë vazhdimisht në zbatimin e reformave, përmirësimin e mënyrës së sundimit dhe avancimin e proceseve shoqërore. Rruga është e gjatë, por kahja drejt së cilës lëvizim dhe vlerat drejt të cilave synojmë janë të qarta dhe të sigurta. Vendimi për fillimin e negociatave do ta verifikojë dhe përforcojë këtë trend”, tha shefi i diplomacisë.
Ministri Dimitrov në fjalimin e tij para mysafirëve informoi për zbatimin rrjedhës të obligimeve nga Marrëveshja e Prespës, ndërkaq foli edhe për aktivitetet e ndërmarra në kontekst të fillimit sa më të shpejtë të negociatave inkuadruese me BE-në.
Ai i transmetoi pritjet e përgjithshme për mbështetje të vazhdueshme nga BE-ja dhe nga të gjitha vendet e saja anëtare, në këtë periudhë të rëndësishme për vendin dhe aspiratat e saja evropiane, por edhe të ardhmen evropiane të rajonit në tërësi.
Në takim përfaqësuesit e vendeve-anëtare të BE-së diskutuan për proceset reformuese dhe aktivitetet e ardhshme në vend të cilat pritet të ndërmerren deri në takimin e Këshillit të BE-së në qershor të këtij viti.