Shkup, 22 janar – Na paraprin edhe një vit i rëndësishëm si rajon. Fuqishëm jemi të përkushtuar në punën e përbashkët e cila do të japë përfitime rajonale. Të gatshëm jemi të bëhemi pjesë e përparimit gjithmonë kur përparimi është i mundur, ka potencuar ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov në takimin e sotëm me sekretaren e re të përgjithshme të Këshillit për bashkëpunim rajonal, Majlinda Bregu, informon Koha.
Në takim Dimitrov ka theksuar se është i kënaqur nga vizioni dhe plani për aktivitete të mëtutjeshme, si në lidhje me prioritetet e saj dhe aktivitetet e ardhshme në plan rajonal, ashtu edhe në drejtim të përparimit të përbashkët të Rajonit. Ai ka potencuar edhe se përfitimet për qytetarët nga Samiti i Procesit berlinas në Poznanj (korrik 2019) janë reflektuar në fushën e digjitalizimit, mobilitetit të rinisë dhe përmirësimit të kushteve investuese.
Përpjekja e secilit vend nga rajoni në plotësimin e obligimeve, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme, do të reflektohet në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Në bisedë pozitivisht janë vlerësuar aktivitetet dhe përfitimet e bashkëpunimit në suaza të Këshillit për bashkëpunim rajonal, si dhe zhvillimit të bashkëpunimit në suaza të organizatave tjera rajonale dhe multilaterale.