Shkup, 23 janar – Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov sot realizoi takim me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.
Dy bashkëbiseduesit, siç kumtoi MPJ-ja, kanë shkëmbyer opinione për marrëdhëniet e përgjithshme mes Malit të Zi dhe Republikës së Maqedonisë dhe janë dakorduar për nevojën që raportet e mira miqësore të marrin edhe dimension intensiv ekonomik.
“Gëzohemi që do t’i bashkohemi Malit të Zi në NATO dhe në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE”, theksoi Dimitrov në takim dhe u falënderua për mbështetjen konzistente që Maqedonia e merr nga Mali i Zi ndaj këtij plani.
Brajoviq në takim e ka riafirmuar mbështetjen e fuqishme nga ana e Mali të Zi me qëllim të anëtarësimit të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, duke drejtuar mesazhe inkurajuese për finalizim të shpejtë të proceseve të filluara. Ai ka shprehur bindje se Mali i Zi do të jetë mes vendeve të para, Kuvendi i së cilës do ta ratifikojë protokollin për inkuadrim të Republikës së Maqedonisë në NATO.