Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në konferencën “Maqedonia drejt anëtarësimit të plotë në NATO”, deklaroi se, “Ballkani është linja e parë e mbrojtjes për Evropën nga lëvizjet, aksionet ekstremiste dhe migracioni ilegal, ndërsa për një përgjigje të duhur dhe për t’u ballafaquar me ato është e nevojshme integrim më i shpejtë i rajonit në aleancë”. Dimitrov theksoi se përfshirja dhe angazhimi i Maqedonisë në aktivitetet e përbashkëta rajonale kontribuojnë për mbështetje në mbrojtjen e plotë dhe kapacitetin ushtarak të aleancës. Ai tha se rreziqet e reja të sigurisë me të cilat përballet bota kërkojnë qasje dhe përpjekje të përbashkët të shteteve në zgjidhjen e sfidave të hapura. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor, ashtu si Evropa dhe rajonet tjera të botës, po përballohen me lëvizje, aksione të ekstremistëve dhe migracion ilegal. Për shkak të pozitës gjeografike dhe gjeo-strategjike në lidhje me kërcënimet transnacionale nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, rajoni jonë ka qenë dhe është i ekspozuar ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm të mundshëm. Aktivitetet e DEASH-it, kriza e refugjatëve, zgjerimi i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, si dhe mbajtja e konflikteve të interesit paraqesin një kërcënim për implikime të drejtpërdrejta të mundshme të sigurisë të vendeve të rajonit nga Ballkani Perëndimor”, deklaroi Dimitrov.
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë tha se Qeveria e Maqedonisë përshëndeti zgjerimin e fundit të NATO-s me anëtarësimin e Malit të Zi, gjë të cilën e vlerësoi si “përfitim të rëndësishëm si për Malin e Zi, ashtu edhe për rajonin dhe Aleancën”. “Si vazhdim të kësaj politike nga aspekti gjeo-strategjik konsiderojmë se e nevojshme është që sa më shpejt Maqedonia të jetë anëtare e plotë e NATO-s. Ne duam të jemi vendi i 30 anëtarë i NATO-s”, tha Dimitrov, duke shtuar se për të arritur këtë qëllim, Maqedonia është duke punuar edhe brenda, por edhe jashtë vendit. Dimitrov shtoi se Maqedonia si vend që e sheh veten si anëtare të NATO-s, në periudhën e ardhshme do të rrisë pjesëmarrjen e saj në misionet ndërkombëtare të paqes për 20 për qind, ndërsa buxhetin në fushën e mbrojtjes për çdo vit do ta rrisë prej 0.2 për qind, që deri në fund të mandatit të arrihet deri në 1.8 për qind nga Produkti i brendshëm bruto vjetor i Maqedonisë. Konferenca “Maqedonia drejt anëtarësimit të plotë në NATO”, e mbajtur në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, është bashkë-organizuar nga Instituti për Hulumtime Gjeostrategjike dhe Politikë të Jashtme pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshall”.
Pjesëmarrësit në konferencë diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me procesin e qasjes së Maqedonisë në NATO, reformat e nevojshme për të përmbushur kriteret për anëtarësim dhe angazhimin e qeverisë së re për të zhbllokuar procesin e integrimit euro-atlantik, si dhe hapat e ndërmarra për të përmirësuar marrëdhëniet fqinjësore. Konferenca u hap nga drejtori i Institutit për Hulumtime Strategjike, Abdulkadar Memedi, ndërsa para të pranishmëve u adresuan edhe ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Jess Baily dhe ai i Gjermanisë në Shkup, Thomas Norbert. Konferenca ishte ndarë në dy panele, edhe atë “Kontributet e NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor” dhe “Maqedonia dhe NATO: Nga partneriteti aktiv në anëtarësim të plotë”.