Rruga për BE është e përbashkët dhe politika nuk është mirë të relativizojë peshën dhe rëndësinë që ka durimi qytetar për të toleruar herë-herë kalkulimet joparimore të kastës politike. Politika është krejt kalkulime, por thelbi i saj duhet të jetë human
Nga Emin AZEMI
U desh edhe një herë të vinë nga jashtë diplomatë me ndikim që politika vendore të bëhet ‘terbije’. Riker dhe Hahn në vizitat e tyre të radhës përsëritën qëndrimet se reformat duhet të vazhdojnë, sidomos në sistemin gjyqësor, kurse amnistia të mos vlejë për politikanët e korruptuar dhe kriminalizuar.
Deri këtu është gjithçka rutinë. Si në deklarata, si në protokolle. Por, përtej kësaj, politika ka edhe dritëhijet e veta dhe qytetari i rëndomtë e ka vështirë ta kuptojë se deri ku mund të shkojnë kalkulimet e padukshme që bëhen në emër të ruajtjes së njëfarë paqeje të brendshme, por duke shkelur parime e rregulla mbi të cilat është ndërtuar etika politike dhe demokracia parlamentare.
Riker dhe Han folën në Shkup sikur të mos e dinin se këtu megjithatë kanë ndodhur amnisti joparimore. Këtu asnjë përfaqësues i ish regjimit nuk është dënuar për babëzitë që ka bërë, duke kullufitur miliona euro në grykën e uritur të pangopësisë që të jep pushteti i pakontrolluar. Por, në anën tjetër, këtu gjyqësori është treguar mjaft agjil, kur ka dënuar shqiptarë të pafajshëm dhe kur (padrejtësinë) e ka bazuar mbi pasione të skajshme të njëanshmërisë.
Riker dhe Han herën tjetër është mirë të mos i vizitojnë vetëm kancelaritë e kondicionuara të politikanëve të këtushëm. Ata herën tjetër le të vizitojnë burgjet e këtushme ku do të ballafaqohen me të dhëna skandaloze mbi përbërjen e banorëve të burgjeve. Mbi 70 për qind janë shqiptarë. Shumica vuajnë dënime të pamerituara, sepse ashtu ka vendosur sistemi i njëanshëm i (pa)drejtësisë.
Jeta që zhvillohet në terren, përfshi edhe atë nëpër burgje, dhe kancelaritë e freskuara nga ajri i marrë hua prej taksapaguesve, janë dy botë krejtësisht paralele. Nëse diplomatët që na bëjnë nder me vizitat e tyre, nuk e shohin edhe jetën ‘prapa perdeve’, atje ku padrejtësia ka shty rrënjë, atëherë ata e bëjnë vetëm gjysmën e punës.
Është për t’u inkurajuar përpjekja e kryeministrit Zaev në mbylljen e temave problematike që e pengojnë integrimin vendit në BE. Mirëpo ai dhe stafi i tij që përpilon strategji marketingu, është mirë të kthejnë kokën anash dhe të shohin dimensionin polisemantik të realitetit. Të shohin se jo gjithçka që i pëshpëritin në vesh këshilltarët e tij, është e vërtetë. Sidomos nuk është e vërtetë se shqiptarët kanë nevojë të trajtohen si numra në këtë shtet dhe jo sipas standardeve të ngushta që i përcakton aksham pazari i politikës së ditës.
Rruga për BE është e përbashkët dhe politika nuk është mirë të relativizojë peshën dhe rëndësinë që ka durimi qytetar për të toleruar herë-herë kalkulimet joparimore të kastës politike.
Politika është krejt kalkulime, por thelbi i saj duhet të jetë human. (koha.mk)