Evis HALILI
Shkup, 6 dhjetor – “Dimensione kohore” titullohet ekspozita e piktorit Bashkim Mexhiti që qëndron e hapur në galerinë e Qendrës Informative të Kulturës. Janë rreth 30 piktura në teknikën akril, të realizuara gjatë dy vitet e fundit, që pasqyrojnë në formën më të mirë të mundshme ekspresivitetin krijues dhe gjuhën artistike me të cilën artisti ka vendosur t’i flasë këtë herë publikut. Motivi etimologjik i pikturave, ashtu siç sqaron vetë piktori, pasqyron rrugëtimin e gjatë historik të trojeve tona nëpër kohëra, qëndresën shumëshekullore të periudhave të ndryshme, hyjnizimin e gjuhës, shkrimin e lashtë, si dhe lavdinë e të parëve tanë.
“Të gjitha këto motive thuren në piktura abstrakte ekspresioniste e me shumë simbolikë. Elementet dhe parimet figurative si, ngjyra, tonet, vijat, shkronja si dhe vetë procesi i veprimit në pikturë janë nën ombrellën e semiotikës dhe flasin me gjuhën e simbolikës, që përfundojnë në kompozicione të dimensionit shpirtëror duke shprehur lirikën e dhimbjes, shpresës dhe dashurisë”, thotë piktori. Tradicional dhe simbolik Mexhiti përmes lojës së ngjyrave dhe narracionit figurativ sjell rrëfimin e vet për historinë, qëndresën shqiptare, gjuhën, kulturën. Kritika e vlerëson lirikën në pikturën e tij si një pasqyrim të raportit esencial metaforik të poetikës së formave abstrakte. Në vështrimin e tij për këtë ekspozitë historiani i artit, Mixhait Pollozhani thotë se ky lloj i abstraksionit lirik, i bazuar edhe në spontanitetin e refleksionit të pikturimit të veprimit, me anë të improvizimeve psikike dhe shprehjeve automatike surrealiste, i kundërvihet abstraksionit gjeometrik dhe i hap rrugë abstraksionit të lirë.
“Ai e vetëdijshëm e redukton dhe e transformon figuracionin në veprat e tij. Simbolet, si përbërës të semiotikës së tij artistike, nga pozicioni i sistemit sekondar marrin funksionin e mjetit aktiv asociativ.Nëpërmjet asociacioneve dhe lojës me gjysmë-forma dhe ngjyra, autori i ofron publikut një mundësi të hapur në perceptimin dhe përjetimin e lirë të veprave artistike. Shikuar nga këndvështrimi i historisë së artit pamor, si përfundim mund të konstatohet se, Bashkim Mexhiti, me takt ka gërshetuar përvojat e enformelit, ekspresionizmit abstrakt dhe abstraksionit lirik. Dhe duke ofruar një variant të kombinuar abstrakt, i cili mban vulën e ekzistenciale dhe artistike të kohës postmoderne, ka shprehur specifikatetnike dhe kulturore të proveniencës së tij”, thotë Pollozhani. Ndonëse në vështrim të parë pikturat e Mexhitit duken si të pakontrolluara, sfondi i tyre është i mbushur me simbole dhe metafora të harmonisë dhe disharmonisë. Kështu u shpreh një historiania e artit Jëlldez Hasani, në fjalën e hapjes së ekspozitës.
“Në një pjesë të madhe ngjyrat janë të konceptuara brenda një rrethi të imagjinuar, që e tregon në një mënyrë rrotullimin e qenësisë, ardhjen dhe vajtjen e të qenurit dhe ontologjinë ekzistenciale”, tha ndër të tjera Asani. Kjo ekspozitë ka befasuar këndshëm edhe miqtë e tij. Dekani i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, Miftar Memeti, duke e vlerësuar Mexhitin jo vetëm si një piktor të shkëlqyer, skulptor, vizatues dhe grafist i spikatur, por edhe për aftësinë e tij për t’u transformuar nga një realist i përpiktë në një modernist ekspresionist. Bashkim Mexhiti, profesor në Universitetin e Tetovës, është një prej krijuesve më aktivë, numëron dhjetëra ekspozita, prezantime kolektive brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu ka spikatur edhe në gjininë e skulpturës, si bashkautor në disa vepra monumentale.