Shumëdimensionaliteti i një tragjedie, si kjo që ndodhi para katër ditëve, nuk na jep të drejtë të harrojmë se pasojat fatale që mund të vijnë prej fatkeqësive të tilla, nuk mund të kalojnë pa u analizuar mirë e mirë nga njerëzit kompetent, si brenda kompanive të transportit, por edhe të atyre që mbajnë llogari institucionale për sigurinë në trafik, përfshi edhe faktorin njeri që është mjaft domethënë
Nga Emin AZEMI
Çfarë porosie japin tragjeditë kur ndodhin? Në raste të tilla fjalë janë të tepërta, sepse vendin e tyre e zë dhembja, por edhe bashkëvuajtja me ata që kanë humbur më të dashurit. Njerëzit në situata të tilla janë bashkë më tepër se çdo herë tjetër. Banorët lokalë të Llaskarcës dhe fshatrave përreth, por edhe udhëtarët e rastit që në ato momente kritike kanë qenë duke qarkulluar në autostradë, mund të kenë qenë dëshmitarët e parë të një ngjarjeje me përmasa tepër tragjike. Ata ishin të parët që panë me sy tmerrin, por nuk kishin kohë shumë të mendojnë për gjendjen e tyre shpirtërore, për arsye se para vetes kishin dhjetëra njerëz që kërkonin ndihmë.
Autobusi i rrokullisur kishte dalë jo vetëm nga qarkullimi normal, por ai atë mbrëmje të kobshme shkurti kishte devijuar kobshëm fatin e shumë personave. Disa prej tyre nuk i kemi më në mesin e të gjallëve, por edhe shumë të tjerë po mundohen të shërojnë plagët e trupit dhe të shpirtit. Madje, këta të fundit asnjëherë nuk do ta harrojnë momentin kur kufiri në mes jetës dhe vdekjes për një çast humb në mjegullën e jashtëvetëdijes. Ndonjëri prej tyre ka tentuar të zgjasë dorën t’i ofrojë ndihmë bashkudhëtarit që po jepte shpirt, por një dorë tjetër e padukshme është treguar më dinake dhe më e egër në veprim. Zakonisht, vdekjet vijnë papandehur, por ato për disa sekonda paralajmërojnë fatalitetin. Shumë udhëtarë e panë vdekjen me sy, por ata nuk janë më që të na rrëfejnë se si dukeshin sekondat e fundit të frymëmarrjes. Ata nuk do të mund të na rrëfejnë për goditjen e fundit në kokë, sepse goditjet e vdekjes para se ta hedhin errësirën mbi sy, të lënë pa gojë.
Gjithë ne mbetëm të nemitur. Mbetëm pa fjalët e tepërta. Por, dikush u kujtua të bëjë ironi bajate me vdekjen. Ky është një dimension tjetër tragjik i qenies njerëzore. Sepse po del që njeriu nuk është përsosur ende, por i duhen edhe disa miliona vite ta kuptoj se tallja me vdekjen është blasfemia më e pështirë. Kur kujton njeriu se arsimimi është diga e parë që parandalon të depërtojnë në qeniet tona bërlloqet e papërpunuara të mendësisë shpellare, për njëherë e ndërron mendjen dhe fillon të bësh përjashtime, sepse jo çdo i shkolluar meriton të quhet njeri. Më së paku një profesor universitar që bën hajgare me tragjeditë njerëzore.
Por është rektorati ai që nuk duhet të bëjë hajgare me rolin që ka në identifikimin e përgjegjësive për të gjithë ata persona që njollosin autoritetin dhe profilin e pedagogut. Si duket sot është bërë sport tepër i lirë të jesh pedagog, por vështirësia fillon atëherë kur fillojmë të diferencojmë ata që meritojnë të mbajnë epitete të tilla, dhe ata që nuk mjaftohen të jenë dykëmbësha sepse iu mungojnë thundrat.
Kjo fatkeqësi trafiku me bilanc tepër tragjik, prishi edhe një stereotip që me vite është munduar të mbillet këtu nga qarqe e media të caktuara. Se gjoja ndasitë etnike janë aq të mëdha sa njerëzit e kanë vështirë të bashkëjetojnë. Kjo fatkeqësi dëshmoi se njerëzit dinë të jenë bashkë pranë njeri tjetrit pa marrë leje nga politika e ditës. Mjekët shqiptarë në klinikat e Shkupit treguan kujdes maksimal profesional ndaj të lënduarve, kurse pati edhe mjaft qytetarë shqiptarë që ofruan banesat e tyre për gjithë ata që kishin nevojë të qëndrojnë atyre ditëve e netëve në afërsi të spitaleve. Shqiptarët janë solidarë dhe humanizmi i tyre ka traditë mijëravjeçare, sepse vetëm shqiptari e njeh vështirësinë, e njeh njeriun që ka nevojë për një dorë të ngrohtë në momentet kritike. Pati edhe disa apele nga bashkëqytetarë maqedonas që shprehnin dhimbje për vdekjet dhe ata ishin shumë të sinqertë me shqetësimet e tyre, që nuk buronte nga ndonjë pasion etnik, por thjeshtë nga ndjenja e të qenit mbi të gjitha njeri që bashkëvuan me tjetrin.
Shumëdimensionaliteti i një tragjedie, si kjo që ndodhi para katër ditëve, nuk na jep të drejtë të harrojmë se pasojat fatale që mund të vijnë prej fatkeqësive të tilla, nuk mund të kalojnë pa u analizuar mirë e mirë nga njerëzit kompetent, si brenda kompanive të transportit, por edhe të atyre që mbajnë llogari institucionale për sigurinë në trafik, përfshi edhe faktorin njeri që është mjaft domethënë.
Jetët e humbura nuk mund të kthehen, por vendosja e standardeve më rigoroze në veprimtaritë transportuese, mund të parandalojnë dhe reduktojnë dukshëm pasojat fatale në trafik. (koha.mk)