“Projekt-strategjia për zhvillim të një shoqërie për të gjithë dhe interkulturalizëm” pretendon të shndërrohet në strategji qeveritare, por shqiptarët kanë vërejtje sepse nuk e kanë ende të qartë nëse ata do të jenë në një shoqëri multietnike apo shtet multietnik. Analistët shqiptarë kanë rezerva të shumta, sipas të cilëve përmes kësaj strategjie synohet të suprimohet subjektiviteti etnik e kulturor i shqiptarëve
Destan JONUZI
Shkup, 17 tetor – Debati publik për “Projekt-strategjinë për zhvillim të një shoqërie për të gjithë dhe interkulturalizëm”, ka përfunduar dhe tani po punohet që kjo Strategji të shndërrohet në plan aksional kombëtar. “Debati publik ka përfunduar dhe ka ngelur që i njëjti të miratohet dhe shndërrohet në plan aksional qeveritar. Por, para se të miratohet do të merren parasysh vërejtjet e të gjithë të inkuadruarve në debatin publik: qytetarëve, organizatave joqeveritare, institucioneve, ekspertëve etj. Në debatin publik kanë qenë të kyçur funksionarët e të gjitha partive politike të koalicionit, si dhe institucionet shtetërore”, thonë për gazetën KOHA nga Qeveria.
DUHET TË GËZOJ EDHE MBËSHTETJEN E PARTNERËVE TË KOALICIONIT
Nga atje bëjnë të ditur se trupi koordinues që e udhëhiqet nga Robert Allagjozov, këshilltar i Kryeministrit punon që në shqyrtimin dhe inkorporimin e vërejtjeve nga debatet publike në Planin aksional, para se i njëjti të miratohet nga Qeveria.
“Qëllimi i konceptit ‘Një shoqëri për të gjithë’ është barazi dhe krijimi i një shoqërie evropiane. Kthimi i besimit të qytetarëve në institucione dhe lufta e përbashkët drejt sfidave të reja, është sinonim i këtij Koncepti. Kjo strategji përfshinë edhe pjesë nga programi parazgjedhor i LSDM-së, ndërsa tani është para miratimit edhe si plan kombëtar qeveritar”, deklaroi për KOHA, Gjylimsere Kasapi, kryetare e Komisionit “Për një shoqëri për të gjithë” pranë LSDM-së. Ajo, shton se koncepti “Një shoqëri për të gjithë” është iniciativë e kryeministrit Zoran Zaev, ndërsa që i njëjti të shndërrohet në plan aksional kombët duhet të gëzoj edhe mbështetjen e partnerëve të koalicionit, përfshirë edhe BDI-në e Ali Ahmetit.
Ndërkohë nga BDI-ja e Ali Ahmetit thonë se kur të miratohet Plani nga ana e Qeverisë duhet ta zbatojnë të gjithë institucionet.
“Në parim ne e kemi mbështetur, të gjitha vërejtjet e ekspertëve, qytetarëve dhe sektorit civil do të merren parasysh. Kur të konkretizohen gjërat do të japim edhe vlerësimin final. Megjithatë BDI asnjëherë nuk ka bë dhe nuk do të bëjë kompromis me çështje të cilat i prekin interesat e shqiptarëve. Mirëpo vlerësojmë se ky plan mund ti ndihmojë vendit në rrugën euro-atlantike që është synim i të gjithë qytetarëve”, thonë nga BDI-ja.
“NJË SHOQËRI PËR TË GJITHË”, MANIPULIM POLITIK
Partitë opozitare shqiptare vlerësojnë se LSDM-ja po tenton që nëpërmjet koncepti “Një shoqëri për të gjithë” të përfitojë edhe njëherë politikisht në mejdanin e ardhshëm zgjedhor.
“LSDM-ja si duket po e ndjen aromën e zgjedhjeve te parakohshme, andaj mundohet termin “shoqëri për të gjithë” ta riaktualizoj. Por qeverisja e deritanishme e udhëhequr nga LSDM në praktikë nuk e dëshmoi këtë, edhe pse ka avancuar në këtë drejtim por jo mjaftueshëm. Strategji kombëtare do të ishte të tregonim gadishmëri që Maqedoninë e Veriut ta paraqesim si shtet multietnik, dhe jo si shtet me shoqëri multietnike. Është e padrejtë që të promovojmë shoqëri për të gjithë, dhe në të njëjtën kohë të kemi një Kushtetutë që gjuhës shqipe të etnitetit shqiptar që përbëjnë 1/3 e popullatës i thotë Gjuha e 20%”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët (ASH). Sipas ASH-së, shoqëria për të gjithë do të thotë, ndarja e mjeteve në formë proporcionale, ne arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë etj.
“Shoqëri për të gjithë do të thotë, të funksion ligji për të gjithë njëlloj, pa procese të montuara politike. Shoqëria për të gjithë do të funksionoj kur do të jenë të pambrojtur nga politika politikanë te korruptuar dhe të inkriminuar të cilët shpeshherë janë të paprekshëm ndaj ligjit”, nënvizoi Bexheti.
Nga ana tjetër Lëvizja BESA e Bilall Kasamit vlerëson se themelet e një koncepti “Një shoqëri për të gjithë’ siç pretendon në teori LSDM të ndërtohet prej në shkolla do të nis përçarjen që nga fëmijët në baza etnike. “Ky është nënçmim për nxënësit shqiptarë, se gjoja nuk e meritojnë të jenë në një ambient me ata maqedonas. Gjesti i LSDM, ku kërkon që nxënësit shqiptar të mos mësojnë me një shkollë me ata maqedonas, nuk është aspak më i ulët se gjestet e pushtetit të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së të cilët nëpër enciklopedi shqiptarët i quajtën ‘njerëz mali’. E njëjta gjë vazhdon edhe tani, me LSDM, por si gjithmonë në koalicion me BDI dhe partnerët e saj. Lëvizja BESA, nuk do të hesht për nxënësit e shkollës së Idrizovës dhe do t’i mbështes ata për gjithçka që kanë nevojë. Mos sinqeritetit i ranë maskat.”, thonë nga Lëvizja BESA.
SHQIPTARËT KANË STRATEGJINË E TYRE KOMBËTARE
Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se shqiptarët kanë konceptin e tyre kombëtar dhe se nuk kanë nevojë për një koncept ndryshe nga ky. “Shqiptarët e kanë strategjinë e vetë kombëtare. Kjo strategji është Programi i Lidhjes së Prizrenit, të cilin e kanë ngrirë të gjitha qeveritë e Shqipërisë, por edhe qeveritë e Kosovës. Kur flet Zaevi për Strategji nacionale ia mendon ti fusë të gjithë qytetarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut në një nocion – maqedonas verior. Nën termin Strategji nacionale ai mendon t’i shkrij të gjithë në një, ashtu sikurse është me banorët e Amerikës ku të gjithë ndjehen amerikanë. Zaev harron se ky shtet ka dy popuj. Çdo strategji kundër këtij realiteti nuk e ka jetën e gjatë”, deklaroi për KOHA, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politik.
Për analistin, Nijazi Muhamedi koncepti “Një shoqëri për të gjithë” është strategji sofizmash nënshtrues. “Ajo është një strategji përmes sofizmash nënshtruese, një “shtet i njërit”, që bën një “shoqëri për të gjithë” – një gjuhë të veten për të gjithë të tjerët, një kulturë të veten për të gjithë të tjerët, një histori të veten për gjithë të tjerët, dhe një plaçkitje të veten mbi gjithë të tjerët..”, vlerëson Nijazi Muhamedi, analist. Përndryshe, ky koncept synon që të promovojë integrimin e shoqërisë multietnike dhe të parandalojë monopolin të një etnie mbi të tjerat. (koha.mk)