Pikë kryesore në ecjen para të shoqërisë, modernizimin e saj, nxitjen e rritjes ekonomike… është modernizmi i arsimit në të gjitha nivelet, dhe për më tepër arsimi fillor. Përskaj përmirësimit të rezultateve të testit PISA në shkrim-lexim e matematikë, praktikës më të madhe në shkollat profesionale, pajisjes së shkollave, stimulimit jo vetëm material të mësimdhënësve, mbetet sfidë edhe përgatitja më e madhe e nxënësve dhe studentëve për një botë më se dinamike të së nesërmes
Nga Fisnik PASHOLLI
Digjitalizimi i ekonomisë, shoqërisë, biznesit, shkollave, administratës… sa vjen e më shumë po troket në derë, po rritet për çdo ditë përdorimi i saj, ndërsa në të ardhmen – vështirë se mund të imagjinojmë sa do ta lehtësojë jetesën. Mirëpo, si çdo trend i ri që me kalimin e kohës po bëhet domosdoshmëri, tani shtrohet edhe çështja e ndryshimeve të mëdha, sfidave dhe problemeve që sjell ky proces në funksionimin e një vendi.
Por nëse i kthehemi debatit të hapur së fundmi në vend për digjitalizimin e sistemit arsimor, kundërshtimin me apo pa arsye të mënyrës së zhvillimit të tij në të ardhmen, ndryshimit gradual të procesit mësimor për të përcjellë edhe ndryshimet që ndodhin në shtet e zhvilluara , nuk ka dilemë se një proces i tillë është i mirëseardhur dhe më se i dobishëm për vendin tonë. Mirëpo si zakonisht tek ne, shpesh qëllimi është më i mirë i mundshëm, mirëpo dilemat dhe pengesat vijnë kur një projekt do të fillojë të realizohet në praktikë. Duke ditur realitetin e arsimit tonë fillor, me telashe dhe probleme të shumta, me të drejtë shtrohet dilema se sa përmbajtjet e reja digjitale do të jenë interesante, zbavitëse, joshëse për gjeneratat e reja.
Sa nxënësit do të mësojmë më shumë dhe më mirë dhe sa do të avancohet procesi edukativo-arsimor, nëse ato fitojnë materiale në formën digjitale, sa do të mund të jetë digjitalizimi shpëtim për arsimin, apo shkollimin e një shoqërie dhe sa do të përgatisë të rinjtë për ekonomi dinamike të nesërmes. Shtrohet edhe pyetja se sa do të arrijë ky proces të pajtojë botën digjitale dhe atë reale, dhe sa do të përputhen dhe harmonizohen ato njëra me tjetrën.
Sa do të arrihet që shkollat në tërë vendin përkundër dallimeve rajonale, vendbanimeve urbane dhe rurale, mungesës të tabletëve për dhjetëra mijë nxënës që prindërit nuk kanë mundësi t’ju sigurojnë kushtet për një shkollim solid, të arrihet që nesër të nxjerrim sa më shumë nxënës të aftë të garojnë në tregun e punës, të punësohen më lehtë dhe të arrijnë të fitojnë shkathtësi të nevojshme për tu punësuar me paga solide?
Në rast se e kaluara ka ofruar ndoshta edhe arsyetime për vonesat në zhvillim, apo zhvillimin e ngadalshëm, tani me anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe vazhdimin e rrugëtimit tonë euroatlantik, të kapërcimit edhe të problemeve të ndryshme politike që po duken në rajon me angazhimin dhe punën e përbashkët të Uashingtonit, Berlinit dhe Parisit, nuk do të ketë më alibi që të ecim më fuqishëm para. Kapitali njerëzor, apo investimi në një fuqi mirë të arsimuar dhe për të përgatitur punëtore është edhe një nga kushtet kryesore të ecjes me hapa më të shpejtë në ekonomi. Pa marrë parasysh se a do të fillojmë negociatat për anëtarësim për një, dy apo gjashtë muaj apo edhe për një vit, reformat në arsim dhe të tjera i bëjmë dhe do ti bëjmë për të ecur ne përpara dhe jo për të tjerët.
Bota po ndryshon me shpejtësi aq më tepër që edhe pandemia imponoi përshtatjen ndaj ndryshimeve të tilla. Si shoqëri duhet të jemi të gatshëm të përcjellim këto ndryshime dhe sfida të reja. Pikë kryesore në ecjen para të shoqërisë, modernizimin e saj, nxitjen e rritjes ekonomike… është modernizmi i arsimit në të gjitha nivelet, dhe për më tepër arsimi fillor. Përskaj përmirësimit të rezultateve të testit PISA në shkrim-lexim e matematikë, praktikës më të madhe në shkollat profesionale, pajisjes së shkollave, stimulimit jo vetëm material të mësimdhënësve, mbetet sfidë edhe përgatitja më e madhe e nxënësve dhe studentëve për një botë më se dinamike të së nesërmes. Arsimimi modern i popullatës jo vetëm të re, por edhe moshave të ndryshme, pajisja me dije të reja, nxitja më e madhe e sipërmarrjes dhe afarizmit , sot dhe nesër do të sjellë edhe zhvillim më të shpejtë të ekonomisë. (koha.mk)