Përpos zgjedhjeve në formacionin titullar apo aspektit taktik të lojës, që do të jetë edhe në shërbim të sfidës kualifikuese me Izraelin, Gianni De Biasi ka edhe një tjetër dilemë në Luksemburg.
Bëhet fjalë për shiritin e kapitenit. Në mungesë të Ansi Agollit të pezulluar për ndeshjen e 11 Qershorit në Haifa, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2018, mbetet për tu parë se cili do të jetë lideri i kuqezinjve në fushë.
Kandidatët nuk mungojnë. Duke nisur nga Mërgim Mavraj, që shirtin e kapitenit e ka mbajtur në miqësoren e luajtur në Gusht të vitit 2016 përballë Marokut.
Shanse të konsiderueshme është edhe ylli i ekipit kuqezi Elseid Hysaj. shkodrani e ka mbajtur shiritin në miqësoren e Majit 2016 ndaj Katarit, ku në moshën 22-vjeçare u bë kapiteni më i ri në historinë e Kombëtares.
Shiritin e ka mbajtur edhe kapiten i Pescaras, Ledian Memushaj dhe kjo ka ndodhur pikërisht në Mars të vitit të kaluar në Luksemburg, kur Lorik Cana u largua nga fusha e lojës. Një tjetër kandidat për të mbajtur shiritin, për moshën dhe rolin e rëndësishëm që ka në ekipin Kombëtar është edhe Burim Kukeli, që në mungesë të alternativave në repartin difensiv është shndërruar në liderin e qendrës së mbrojtjes.