Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 prill – Ndërtimi i një “shtëpie të ëndrrave” është një nga arritjet jetësore të secilit njeri, e që kryeson listat e dëshirave tona të të gjitha kohërave. Kryesorja kur ëndërrojmë të kemi një shtëpi moderne, qoftë ajo urbane, në periferi, me oborr të madh, apo me pishinë, është çmimi, por edhe fakti se shumica prej nesh në fund shpreson të ketë një shtëpi ku ndjehemi rehat, shkruan gazeta KOHA.
Kur ju të vendosni të ndërtoni një shtëpi për të zgjidhur problemin jetësorë të banimit, ballafaqoheni me zgjedhjen e duhur: do të ndërtoni shtëpi klasike me tulla që si angazhim mund të zgjasë së paku një vit, apo do të zgjidhni të ndërtoni shtëpi të gatshme montazhi për dy muaj. Ndërtimi i shtëpive në mënyrë klasike me tulla dhe asaj të gatshme me montazh, varet edhe nga nevoja për banim, afiniteteve familjare apo personale, thellësia e xhepit, dedikimi, qëndrimi personal ndaj risive teknologjike, planeve afatgjate, por edhe prej asaj se me çka krahasohen shtëpitë montazh. Ndërtimi i shtëpisë në mënyrë tradicionale merr kohë, kërkon përpjekje të madhe për furnizimin me materiale dhe angazhim të punëtorëve dhe në fund vështirë se dikush mund të përfundojnë në shtëpinë që ai donte. Një zgjidhje më e rehatshme do të ishte blerja e një shtëpi të re të gatshme për banim. Një pjesë e sektorit të ndërtimtarisë në Maqedoni, thonë se nuk ka dilemë se shtëpia montazh është më e lirë se ajo e ndërtuar me tulla. Megjithatë, shtojnë se tradita e popullatës në Maqedoni, por edhe në rajon është e orientuar në ndërtimin e shtëpisë klasike, por edhe mungesa e traditës për mirëmbajtjen e shtëpive dhe sidomos prej drurit, që ka edhe koston e vet, vështirëson që një traditë e tillë të zgjerohet edhe te ne, ngjashëm me shtetet perëndimore.
Ekspertët thonë se izolimi, shpejtësia e ndërtimit, siguria seizmike apo mbrojtja nga tërmeti, trashësia e mureve, por edhe çështja më e rëndësishme si kostoja e ndërtimit, janë dilemat që hamendin qytetarët të vendosin për shtëpi të gatshme prej druri që ofrohen në tregun vendor apo të orientohen në ndërtimin tradicional me tulla dhe beton. Gjithashtu, edhe tërmetet që për çdo vit lëkundin Maqedoninë, por edhe rajonin rrisin dilemat e banorëve për mënyrën e ndërtimit pro tradicionales apo inovacionit. Bile më shumë, hulumtimet tregojnë se shtëpitë montazh janë më të qëndrueshme dhe më fleksibile ndaj tërmeteve. Në ndërkohë, për një çmim prej 250 deri 500 euro për metër katrorë, mund të fitoni për dy muaj shtëpi me çelësat në dorë, ndërsa ju duhet vetëm të keni lidhje të ujit dhe rrymës dhe shtresë të fuqishme ku do të vendoset shtëpia. Nga Kompania “Bulart Konstrakshn”, thonë se objektet e tyre bazohen në dru për shkak se ky material është më fleksibil se betoni, andaj edhe ofron më shumë siguri gjatë tërmeteve. Gjithashtu edhe kursen rrymë për ngrohje dhe ftohje, për shkak se temperaturat më lehtë kontrollohen si rrjedhojë e termo-izolimit më të madhe që nënkupton përdorimin e materialit tervoll prej 10 centimetra, stiropor prej 5 centimetra dhe vetë drurit.
Një pjesë e sektorit të ndërtimtarisë në Maqedoni, thonë se nuk ka dilemë se shtëpia montazh është më e lirë se ajo e ndërtuar me tulla. Megjithatë, shtojnë se tradita e popullatës në Maqedoni, por edhe rajon, e orientuar në ndërtimin e shtëpisë klasike si dhe mungesa e traditës për mirëmbajtjen të shtëpive dhe sidomos të tyre që drurit që ka edhe koston e vet vështirëson që një traditë e tillë të zgjerohet edhe tek ngjashëm me shtetet perëndimore.
“Nuk ka dilemë se shtëpitë e gatshme për banim janë më të lira në raport me ndërtimin tradicional, ndërsa edhe ardhmëria e banimit në botë është në shtëpitë montazh. Bile edhe në rajon në ish sistemin e kaluar ka pasur edhe fabrika për shtëpi të gatshme si në Maqedoni ashtu edhe në Kosovë. Trende të tilla të banimit kemi edhe në perëndim për shkak të fuqisë së shtrenjtë punëtore për ndërtimin e shtëpive klasike. Nga ana tjetër, shtëpitë e tilla prej drurit që ofrohen në tregun tonë janë mjaft solide , por duhet pasur parasysh edhe koston e përvitshme që duhet për mirëmbajtjen e drurit si material, gjegjësisht të këtyre shtëpive për çka ne nuk kemi traditë. Bile si shtet kemi edhe përvojë jo të mirë bile edhe me mirëmbajtjen e banesave dhe funksionimin e mirëfilltë të ligjit për banim, ku as nuk ekziston për shembull tradita për mirëmbajtjes së fasadave të objekteve të banimit”, thotë për KOHA, ish-kryetari i Odës së ndërtimtarëve pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, Nikolla Vellkovski. Sipas tij, në perëndim ofrohen shtëpi të gatshme, me cilësi më të lartë që nënkupton edhe përdorimin e teknologjisë më të lartë me dru, me panele fabrike që janë më të qëndrueshme si dhe me material të tjera, për çka te ne mungon kuadër i kualifikuar që do t’i ndërtojë ato. Gjithashtu popullata te ne dhe në rajon, është mësuar të ndërtojë shtëpi me tulla, bile vështirë e pranon edhe përdorimin e gjipsit për realizimin e mureve ndarëse, shton më tej Vellkovski.
Ndryshe, në Suedi, si një nga shtetet më të pasura në botë, ndërtimi montazh përdoret më shumë se ai klasik, sidomos te shtëpitë familjare. Shtëpitë e tilla janë të gatshme për banim dhe blihen së bashku me truallin. Në këtë mënyrë firmat e specializuara ofrojnë produkt të gatshëm që nga blerësit vlerësohet në aspektin se sa pronarit të ardhshëm i kushton shfrytëzimi, mirëmbajtja në muaj dhe në vit. Ofertat e shtëpive të tilla shoqërohen edhe nga kreditë e gatshme të bankave komerciale suedeze.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara