Urim HASIPI
Tetovë, 7 korrik – Të punësuarit në arsim në Komunën e Bogovinës, kanë protestuar para dyerve të komunës. Ata kërkojnë që sa më parë të gjendet një zgjidhje dhe të caktohet ushtruesi i detyrës në këtë komunë, duke potencuar se në rend të parë duhet të jenë qytetarët e jo interesat personale dhe politike. Nga sindikata e SASHK-ut janë shprehur se ky ngërç që e ka kapluar Komunën e Bogovinës, nuk është si pasoj e arsimtarëve dhe për këtë arsimtarët nuk duhet të jenë pa rroga. Ata kërkojnë nga këshilltarët komunal të lënë inatet personale dhe të gjejnë një zgjidhje. “Ngërçi politik i subjekteve politike dhe administratës komunale na ka shkaktuar probleme serioze neve arsimtarëve, shërbimeve pedagogjike. Rrogat, kontributet dhe obligimet tjera janë nën ingirencat e komunës, përkatësisht janë pasojë e mos zgjedhjes së ushtruesit të detyrës kryetar i komunës. Si rezultat i këtij ngërçi tre mujor jemi të bllokuar dhe privuar nga mos pagesat e rrogave dhe kontributeve, të cilat na kanë shkaktuar telashe jetike, ngase pagat tona janë edhe burim jete për ne përfundimisht”, tha Teuta Osmani nga SASHK në Tetovë. Sipas tyre, arsimtarët tani më dy muaj e më shumë janë pa rroga. Problemet më të mëdha i kanë me sigurimet shëndetësore. Sipas protestueseve, këshilltarët politikë luajnë me fatin e 500 të punësuarave në këtë komunë. “Protestoj për arsye se liderët politik, këshilltarët komunal luajnë me jetët e 500 të punësuarave, respektivisht me jetën e dy mijë anëtarëve. Le të vetëdijesohen liderët tanë politik, udhëheqësit tanë dhe veçanërisht populli ynë se për çfarë këshilltarësh dhe liderësh politik votojnë. 80% e arsimtarëve kanë kredite”, thonë protestuesit. Më tej, ata shprehen se pa sigurim shëndetësor kanë shumë probleme. Komuna e Bogovinës ka mbetura pa kryetar komune dy muaj, si pasojë e vrasjes së kryetarit Hazbi Idrizi. Këshilli komunal të mërkurën dështoi për të zgjedhur ushtruesin e detyrës, ndërsa protestuesit të enjten u shprehën se do t’ju japin pak hapësirë këshilltarëve që të gjejnë një zgjidhje, në të kundërtën ata paralajmëruan protesta edhe më të mëdha. Nga ana tjetër, ende nuk ka informacione se kur do të mbahet seanca e radhës e këshillit dhe se dy taborret kanë arritur ose jo marrëveshje për të zhbllokuar zgjedhjen e ushtruesit të detyrës. (koha.mk)