Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 mars – Në Maqedoni ekzistojnë dallimet të mëdha ndërmjet pagave më të ulëta dhe pagave më të larta për gjashtë herë. Rrogat në shtet lëvizin prej më pak se 200 euro në sektorin më pak të paguar, deri në 1100 euro në sektorin më të paguar, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës në muajin dhjetor të viti të kaluar, programuesit kompjuterik fitojnë 67 mijë denarë, ndërsa punëtorët në prodhimtarinë e lëkurës fitojnë 11.807 denarë. Kjo do të thotë se të punësuarit në sektorin e teknologjisë informatike fitojnë nga tre paga mesatare mujore, ndërsa të punësuarit në prodhimtari nuk fitojnë as gjysmën e rrogës mesatare me vlerë prej 23.457 denarë.
Ekonomistët thonë se dallimet e mëdha ndërmjet pagave të kategorive të ndryshme të punëtorëve në të njëjtin shtet, mund të shpjegohen me dallimin në cilësinë e punës për shkak të investimeve në kapitalin njerëzor, posedimin e shkathtësive dhe kompetencave të ndryshme, që ndryshe vlerësohen nga punëdhënësit, si dhe grupet jo-konkurruese në tregun e punës ku ekzistojnë mjaft profesione që kërkojnë edhe njohuri të ndryshme specifike që edhe paguhen më shumë. Në rastin e Maqedonisë, vlerësohet se mungesa e kuadrove të teknologjisë informatike nga njëra anë dhe teprica e kuadrove në sektorin e prodhimtarisë në tregun e punës, si rrjedhojë edhe e papunësisë së lartë, si dhe produktiviteti shumë i lartë i kompanive të sektorit dinamik të IT-së, dhe produktiviteti i ulët i sektorit prodhues në Maqedoni, diktojnë edhe dallimin kaq të madh në paga.
Kryeson sektori i tekstilit
“Në Maqedoni nuk kemi numër të mjaftueshëm të njohësve të sektorit të Teknologjisë informatike për shkak se ekziston zhvillim shumë i shpejtë i sektorit të Teknologjisë informatike dhe kërkesë e madhe për profesionistët e këtij lëmi në tregun e punës që menjëherë i absorbon kuadrot e afta për punë. Nga ana tjetër, kemi papunësi të madhe ku njerëzit që orientohen të punojnë në prodhimtari, së paku në fazat fillestare të punës, nuk ju nevojitet ndonjë specializim më i madh. Gjithashtu sektori i tekstilit, gomës dhe të ngjashme absorbojnë numrin më të madh të të punësuarve në shtet, ndërsa në sektorin e IT-së nevojiten edhe kualifikime specifike”, thotë për KOHA, analisti ekonomik, Arben Halili.
Sipas tij, për nivelin e pagës ka rëndësi arsimimi i të punësuarit, gjendja në të cilën gjendet kompania ku ai punon, sektori përkatës ekonomik si dhe orientimi në prodhim apo shërbime që posedojnë apo jo vlerë të shtuar. Vlerësohet se kompanitë nga industria e tekstilit dhe të ngjashme duhet të rrisin produktivitetin përmes investimit në makineri të reja, në orientimin dhe krijimin e brendeve vendore dhe ngadalë të zvogëlojnë punën apo qepjen për partnerët e huaj.
Në ndërkohë, njohësit e tregut të punës shpjegojnë se pagat e larta që i paguajnë kompanitë e sektorit të shërbimeve si në banka, sigurime apo teknologji informatike, jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë, rrjedhin nga rezultatet financiare të fuqishme të tyre në raport me veprimtaritë e tjera që sjellin më shumë fitime për pronarët apo aksionarët e tyre. Përvojat e shteteve që kanë pasur zhvillim të madh ekonomik tregojnë se vetëm shkallët e larta të rritjes ekonomike për një periudhë më të gjatë sjellin edhe paga më të larta për punëtorët në atë shtet. Ndryshe në Maqedoni, pas punëtorëve në prodhimtarinë e lëkurës me 200 euro pagë mujore, pasojnë me paga më të ulëta prej 13-14 mijë denarë në mesatare punëtorët në industrinë e tekstilit, përgatitjen e ushqimit, përpunimit të drurit dhe mirëmbajtjes së ndërtesave. Nga ana tjetër, pas pagave prej 1100 euro të programuesve, shërbimet kontabiliste dhe juridike marrin nga 59 mijë denarë, në transportin ajror marrin nga 55 mijë denarë, ndërsa 48 mijë marrin të punësuarit në sektorin e telekomunikacionit. Në prodhimtarinë e ilaçeve fitohen në mesatare afër 44 mijë denarë, ndërsa në furnizimin me energji elektrike fitohen nga 37 mijë denarë.
Rritja ekonomike trefishon pagat në Kinë
Para më shumë se dhjetë vitesh, Kina kishte paga më të ulëta se Maqedonia, ndërsa pas dhjetë vitesh, pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kinës u rrit edhe me 10 për qind në vit, kanë paga dyfish më të larta. Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, paga mesatare në Kinë ishte 5586 juan apo 759 euro. Në vitin 2020 parashikohet që paga mesatare në Kinë të arrijë në 954 euro në muaj. Të dhënat tregojnë se prej vitit 2005 deri në vitin 2016, pagat në sektorin industrial në Kinë janë trefishuar, me çka ky shtet ka tejkaluar për lartësinë e çmimit të punës edhe Brazilin, Meksikën dhe Argjentinën, ndërsa është shumë afër Greqisë dhe Portugalisë. Kostoja e punës në industrinë kineze ka arritur në 3,6 dollarë në orë, që paraqet 70 për qind të pagës në sektorin industrial të Greqisë dhe Portugalisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.