Lista mund të jetë edhe më e gjatë, por në gjithë atë oqean autorësh e dijesh të përbotshme, mbetën vetëm ata që ne sot me të drejtë i quajmë arketipe vlerash të pakapërcyeshme. Kishte shumë autorë që përpëliteshin që të lënë gjurmë në shekujt e mëvonshëm, madje edhe në kohën e Gëtes, bie fjala, por vetëm ky i fundit bashkë me një brez shkrimtarësh gjermanë, ku bënte pjesë edhe Shileri, arritën të jenë bartësit kryesor të lëvizjes letrare “Sturm und Drang” (“Stuhi e vrull”)
Nga Emin AZEMI
Sot të botosh një libër, është më lehtë se të qërosh një farë kungulli. Ka plot kunguj që vetes i thonë autorë, madje edhe pasi të kenë mbrojtur ndonjë titull “mr.” a “dr.”, por ja që gjenden botues që nuk përdorin kurrfarë “filtri” para se të botojnë një biçim vepre, apo të aplikojnë një sistem antiplagjiaturë për të parandalu vjedhjen që shumë lehtë te ne shitet si “kontribut shkencor”. Të ashtuquajturat “vepra” që si patericë-bashkautorësie kanë “copy paste” teknologjinë e “hulumtimit shkencor”, vazhdojnë të stolisin bibliotekat e fakulteteve tona dhe askush nuk e merr guximin intelektual e qytetar t’i denoncojë këta cuba të internetit që brenda natës promovohen në kryekunguj që ta trullavin kryet me tituj e thirrje akademike.
Sot na u ka shndërru ky ambient yni social e kulturor në rasaditshte kungujsh të zbrazur që shumë lehtë mund të përdoren edhe si gjysmëhelmeta për kokat e halabakëve nëpër bahçe. Mbase, këta halabakë po ndodhë që ta vrasin konkurrencën e lirë me prurjet e tyre kungull-vlerash, dhe për rrjedhojë pashmangshmërisht po vjen dekurajimi i talentëve të rinj e që kanë vërtetë se çka të ofrojnë. Njoh shumë djem e vajza në Perëndim që kanë mbaru master e doktoraturë, por që nuk kanë guxim të dalin me libër autorial sepse profesorët e tyre i kanë mësu të bëjnë dallim në mes të punës rutinore dhe hulumtimit të njëmendët shkencor. I kanë mësu se deri në sa për qind të punimit shkencor lejohet të ketë pjesë nga punimet e të tjerëve dhe cila metodologji e citimit dhe aparaturës shkencore të përdoret, në mënyrë që punimi të del sa më pak i ndikuar nga të tjerët. Me fjalë të tjera, çmimi të jesh origjinal, vetvetja, është më i larti dhe ai nuk këmbehet me kurrfarë favori tjetër.
Recenzentët dhe redaktorët e dikurshëm vlerësonin nëqoftëse duhej apo jo të botohet një libër. Tani punën e recensentëve e redaktorëve e kanë zënë botuesit gjithpërfshirës, që njëkohësisht kryejnë edhe punën e shtypshkronjës edhe të administratorit financiar, edhe të agjentit tregtar edhe të promotorit të kungullishtës së patrazuar nga kritika serioze që do të bënte diferencimin e vlerave nga jovlerat.
Dikur refuzoheshin të botohen, sot gjithçka quhet vepër . Dikur, kishte edhe plot raste që autorë e vepra nuk botoheshin, por që më vonë kritika dhe lexuesi i shpallte kryevepra.
Ja cilat prej kryeveprave të letërsisë, apo librave mjaft të njohur janë refuzuar nga botuesit? Kjo furi refuzimesh ka përfshirë emra të shquar të letrave, siç ishin Oruelli, Stephen King, Harper Lee, J.K Roulling, madje edhe Prusti. Ky i fundit madje e kishte botuar me paratë e veta librin e tij të parë!
Kur shkroi librin alegorik “Ferma e kafshëve”, Xhorxh Oruell ishte i njohur, mirëpo pjesa dërrmuese e shtëpive botuese hezitonin ta botonin, për shkak të frymës së tij të fortë politike. Në këtë “libër gri” refuzimesh, ka shkruar emrin edhe Tomas Elioti, atëherë drejtues i shtëpisë botuese “Faber and Faber”. Ai ishte shprehur se “veprës nuk i mungon cilësia, por është shumë kritike ndaj Stalinit”.
Pastaj, fituesja e çmimit “Pulitzer”,1951, amerikania Harper Lee, pothuajse e humbi dorëshkrimin e romanit të saj të vetëm “Të vrasësh zogën përqeshës”, kur iu refuzua fillimisht nga botuesit. Thonë, që ajo i hodhi faqet e librit, por ia mblodhi agjenti i saj, i cili e detyroi më pas ta përfundonte me një mbyllje tjetër, që libri të botohej më 1960-ën.
Të njëjtin fat ka pësuar edhe romani për fëmijë, që është edhe libri me shitje rekorde sot në botë “HarryPotter” Autorja J.K. Roëling, ka qenë aq e varfër, saqë s’ka patur as kompjuter në shtëpi dhe filimisht librin e ka shkruar me dorë. Një shkak i mjaftueshëm ky, që botuesit ta shohin me syrin e një andralle më tepër. Gjithashtu, ata e kanë etiketuar atë edhe si një libër mjaft të gjatë për fëmijë. Refuzime këto, që duhet t’i kenë bërë me dhimbje koke botuesit, kur libri theu rekordet “bestseller”.
Gjithashtu refuzimit s’i ka shpëtuar as i famshmi i letërsisë horror, Stephen King, veprat e të cilit janë bërë të gjithë skenare filmash po aq të famshëm. Atij ia kthyen librin e parë të botuar “Carrie”. Mësohet që ai të ketë thënë pas refuzimit : “Në fakt, kush do të donte të lexonte një libër për një vajzë të varfër me probleme menstruale?”
Si rast i veçantë përmendet edhe Marsel Proust, shkrimtari më i madh ndër të refuzuarit, i cili e pagoi me paratë e veta botimin e “Suanit”, më 1913.
Lista mund të jetë edhe më e gjatë, por në gjithë atë oqean autorësh e dijesh të përbotshme, mbetën vetëm ata që ne sot me të drejtë i quajmë arketipe vlerash të pakapërcyeshme. Kishte shumë autorë që përpëliteshin që të lënë gjurmë në shekujt e mëvonshëm, madje edhe në kohën e Gëtes, bie fjala, por vetëm ky i fundit bashkë me një brez shkrimtarësh gjermanë, ku bënte pjesë edhe Shileri, arritën të jenë bartësit kryesor të lëvizjes letrare “Sturm und Drang” (“Stuhi e vrull”).
Sigurisht që edhe plehu i nesërm do të merr në gjiun vetë gjithë këtë kungullishte “letraro-shkencore” të sotme, por kjo nuk vjen vetvetiu nëse nuk aktivizohet një vetëdije pak më joportune e atyre që dinë dhe munden të diferencojnë vlerën nga jovlera. (koha.mk)