Sot, kjo qendër punon me kapacitet të përgjysmuar, pasi pjesa dërmuese e lokaleve në katin e dytë janë mbyllur, kurse aty këtu gjen ndonjë lokal të hapur në katin e parë. Shkëlqimin e humbi për shkak të problemeve të shumta, sidomos pas rrahjeve dhe zënkave të përditshme. Madje, nuk kanë munguar as çerdhet e narkomanëve, e cila ndikoi që shumë lokale të mbyllen dhe të largohen njerëzit
Urim HASIPI
Tetovë, 4 qershor – Qendra e re tregtare në Tetovë vazhdon të jetë e lënë në mëshirën e kohës. Kati i parë dhe i dytë pothuajse janë shumë pak funksional, ndërsa vetëm kati përdhes është më i frekuentuar dhe më i rregulluar, shkruan gazeta KOHA. Kjo qendër tregtare e ndërtuar në vitin 1995 në fillim shkëlqente, pasi pjesa dërmuese e lokaleve ishin të hapura dhe punonin, kurse frekuentimi i qytetarëve ishte më i madh.
“Atëherë kishte më shumë lëvizje, më shumë punë, më shumë para kishin njerëzit, por me pas – me vite u zbeh kjo qendër”, thotë një ish pronar në këtë qendër. Por me kalimin e kohës, kjo qendër humbi shkëlqimin për shkak të problemeve të shumta, sidomos pas rrahjeve dhe zënkave. Madje, nuk kanë munguar as çerdhet e narkomanëve, e cila ndikoi që shumë lokale të mbyllen dhe të largohen njerëzit. Sot, kjo qendër punon me kapacitet të përgjysmuar, pasi pjesa dërmuese e lokaleve në katin e dytë janë mbyllur, kurse aty këtu gjen ndonjë lokal të hapur në katin e parë.
“Në kohën kur filloi me punë kjo qendër, kishte lëvizje, kishte njerëz, punon të gjithë, por duke kaluar koha, problemet dhe kriza ekonomike e kanë bërë të veten. Tash shumë lokale janë shitur, janë mbyllur dhe nuk ka perspektivë. Disa herë e kam dhënë me qira dhe nuk e ka mbajtur askush, sepse nuk ka punë”, thotë pronari i një kafeterie në katin e parë. Mosinteresimi për këtë qendër e ka bërë të veten, e njëjta ka probleme me kanalizimin atmosferik dhe me izolimin. Kështu si edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit kur ka të reshura – grumbullohet uji, kurse kanalizimi jofunskional bën që uji të depërton edhe në lokale për shkak të mos izolimit të mirë. Kohë më parë, Këshilli për mirëmbajtjen e Qendrës së re tregtare, përmes një apeli drejtuar pronarëve të tjerë të lokaleve që nuk janë aktiv ose që i kanë të mbyllura, ka kërkuar nga ata të paraqiten në Qendrën tregtare që edhe ata të japin kontributin e tyre, sepse shpresohet se së shpejti – do të krijohen kushtet për funksionim e të gjitha lokaleve në këtë qendër tregtare.
Ky Këshill disa herë ka tentuar të bëjë funksionalizimin dhe rregullimin e Qendrës, duke angazhuar pastrues dhe rregullim të ndriçimit, megjithatë jo çdoherë ka hasur në mirëkuptim, pasi një pjesë e pronarëve të lokaleve kanë humbur interesimin dhe i kanë lënë nën mëshirë lokalet me dyer dhe dritare dhe thyera. Momentalisht, në këtë Qendër janë të hapura gjithsej afër 170 lokale, që paraqet një fuqi të madhe tregtare në dobi të biznesit tetovar.
Në këtë Qendër, në katin e parë dhe të dytë më shumë janë funksional zyrat për kontabilitet, gjeodezi dhe kadastra. Zakonisht gjatë verës ka gjallërim, por jo në masën e dikurshme, sepse tashmë në katin përdhes kanë mbetur pjesa më e madhe e artarive, të cilët akoma vazhdojnë të kenë punë. (koha.mk)