“Nëse referendumi në Maqedoni arrin sukses dhe ajo shkon drejt rrugës evropiane dhe anëtarësimit në NATO, do të ketë lëvdata, por nga ana tjetër – do të margjinalizohen bisedimet e pasuksesshme mes Vuçiçit dhe Thaçit. Dikur konsiderohej që Vuçiçi është kampion i paqes në rajon nga disa qendra dhe organizata ndërkombëtare, ndërsa tani ky titull i takon Zaevit”, tha Popov
Beograd, 28 shtator – Drejtori i Qendrës për Regjionalizëm nga Novi Sadi, Aleksandar Popov, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Beta” se Serbia po sillet “ndryshe nga mendja e shëndoshë” kur bëhet fjalë për referendumin në Maqedoni. “Çdo gjë është vendosur mbrapsht, Serbia si vend fqinj duhet të ketë në interes të saj marrëdhëniet stabile në rajon, ndërsa marrëveshja Greqi dhe Maqedoni është një hap i madh në këtë drejtim. Të kujtohemi se vetëm para një viti e gjysmë, Maqedonia ishte buzë luftës civile. Sjellja e Serbisë është kundrejt mendjes së shëndoshë, sepse Serbia duhet të sheh drejt normalizimit të marrëdhënieve në rajon”, tha Popov për Beta, transmeton gazeta KOHA.
Ai shtoi se Serbia zyrtarisht shfaqi sjellje ofenduese që kur socialdemokratët e Zoran Zaevit erdhën në pushtet në Maqedoni, pasi Partia Përparimtare Serbe kishte marrëdhënie shumë të mira me pushtetin e kaluar, të udhëhequr nga e djathta VMRO-DPMNE. “Është e qartë se kjo Qeveri në Maqedoni nuk është në shijen e PPS-së. Për dallim prej shumë vendeve tjera, Serbia nuk na uroi për arritjen e marrëveshjes mes Ciprasit dhe Zaevit. Pastaj, asnjëherë nuk morën shpjegim për tërheqjen e të gjithë të punësuarve nga ambasada serbe në Shkup”, u shpreh Popov. Ai tha se është e qartë që marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë ka vënë “nën hije” bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, raporton KOHA.
“Nëse referendumi në Maqedoni arrin sukses dhe ajo shkon drejt rrugës evropiane dhe anëtarësimit në NATO, do të ketë lëvdata, por nga ana tjetër – do të margjinalizohen bisedimet e pasuksesshme mes Vuçiçit dhe Thaçit. Dikur konsiderohej që Vuçiçi është kampion i paqes në rajon nga disa qendra dhe organizata ndërkombëtare, ndërsa tani ky titull i takon Zaevit”, tha Popov. Ai thotë se as edhe emërimi i ish-shefit të shërbimit sekret, Rade Bullatoviq, si ambasador në Maqedoni, nuk paraqet porosi që dërgon në drejtim të duhur.
“Politika jonë nuk shkon drejt ndërtimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore. Të kujtojmë se përfaqësues i ambasadës serbe ishte në Parlament gjatë kohës së sulmit ndaj Zaevit. Fitohet përshtypja se Serbia punon me agjentë në Maqedoni dhe nuk ka për qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të mira diplomatike. Ne kemi diplomatë të mirë, por në vend të asaj, ne dërguam dikë që shfaqë dyshim”, tha Popov.
Popov tha se një dimension tjetër i problemit të marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Serbisë është rezistenca shumë e fuqishme nga ana e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) për njohjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase. “KOS në mënyrë energjike është kundër, ndërsa është e qartë se ndikon negativisht edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore, që është e papranueshme”, tha Aleksandar Popov. (koha.mk)