Janë të shumtë lojtarët shqiptarë që po shkëlqejnë në kampionatet e ndryshme dhe sidomos të rinjtë janë ata që tërheqin gjithmonë vëmendje të madhe, edhe për faktin se shihen si e ardhmja dhe sportdashësit janë më të sigurt kur shohin që ekipi i tyre është i mbushur me talente. Për këtë arsye, për ti ardhur në ndihmë trajnerit të kombëtares, në 2013 u hartua një listë me lojtarë, që në atë kohë konsideroheshin si e ardhmja e futbollit shqiptar. Disa kanë zhvilluar një karrierë të suksesshme, por disa janë zhdukur nga radarët e futbollit profesionist.
Elvis Kabashi
Një ndër lojtarët më të përfolur, është Elvis Kabashi. I rritur në Itali, Kabashi në atë periudhë shfaqej si heroi i ardhshëm i kombëtares sonë. Performancat e mira dhe fakti që luante me Juventusin, bënë që të binte në sy. Në deklaratat e tij ai shprehej. “Kam lindur në Itali dhe kam filluar të luaj me ekipe të grupmoshave të zonave, më kërkonte trajneri i ekipit të moshave të Italisë, por nuk pranova, jam shqiptar, kam gjak kuqezi. Nuk luaj për lekë, dua të bëhem i famshëm. Shpresoj të arrij kombëtaren e madhe” Një deklaratë tepër e zjarrtë nga ana lojtarit, por vetëm pak ditë pasi u grumbullua nga kombëtarja U-21, ai do ti dërgonte një letër FSHF-së ku i kërkonte të mos grumbullohej më, pasi ndihej Italian, duke sjellë zemërimin e tifozerisë kuqezi. Pasi u largua nga Juventusi, karrierën e zhvilloi me ekipe që militonin në kategoritë e treta, dhe në Janar të këtij viti firmosi me Livornon.
Françesko Tahiraj
Në moshën 11-vjeçare, kur luante për CBS Milan, ish-lojtari i Juventusit, Xhanluka Pesoto, pasi e vëzhgoi vendosi ta kontaktonte. Pasi kaloi provën, ai firmosi një kontratën me Juventusin. Pasi u largua nga Juventusi karrierën e vazhdoi tek Torino, Karpi dhe në vitin 2018 transferohet tek Aluminij, në kampionatin slloven. Ka zhvilluar edhe dy ndeshje me U-17.
Bersant Celina
Një tjetër lojtar që po shkëlqente në Angli ishte Bersant Celina. Në atë kohë aktivizohej tek Mançester Siti. Lojtari kishte shprehur dëshirën për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare, por në fund zgjodhi Kosovën. Aktualisht luan për Ipsviç, i huazuar nga Mançester Siti.
Aldo Bregasi
Aldo Bregasi aktivizohej në Greqi me ekipin e Panionios U-17, duke luajtur si mbrojtës qendre dhe në atë kohë premtonte shumë për të ardhmen. Ka qenë pjesë e kombëtares U-17 të Shqipërisë, ku në ndeshjen miqësore përballë Kosovës, ishte edhe kapiten i ekipit. Aktualisht është pa ekip.
Blendi Memaj
Blendi Memaj në 2013 u transferua tek gjiganti turk Beshiktash. Futbollisti kosovar që shpresonte të ishte e ardhmja e klubit nga Stambolli, dështoi të tregonte aftësitë, dhe në 2015 u transferua tek Rabotniçki në Maqedoni, por edhe aty nuk shkëlqeu dot. Që prej 2016 nuk ka asnjë informacion për këtë lojtar.
Ergys Kaçe
Nuk kishte si të mungonte në këtë listë edhe Kaçe. Lojtari që u ra në sy gjatë një ndeshje me Paok ku shënoi një super-gol. Aftësitë e treguara bën që të fillonte beteja se kujt do t’i përkiste talenti shqiptar helenëve apo vendlindjes. Pas shumë përpjekjesh nga federata jonë dhe insistimi nga tekniku De Biazi, korçari zgjodhi të përfaqësonte ngjyrat kuqezi. Ishte pjesë e atij brezi që përfaqësoi për herë të parë Shqipërinë në një kompeticion madhor. Pas disa problemeve në aspektin personal, aktualisht ka rigjetur formën tek Panatinaikos.
Adnan Januzaj
Lojtari të cilit i janë bërë lutje, këngë dhe deklarata që të luante me Kombëtaren kuqezi, duke krijuar kështu një rast unik. Ylli i Mançester Junajtedit në ato vite, duke u krahasuar me Giggs, kishte bërë të gjithë të çmendeshin pas tij. Titullar tek Mançester dhe autor i disa golave, u duk se do të ishte e ardhmja e futbollit botëror dhe shqiptar. Përpos lutjeve të tifozerisë vendosi të përfaqësonte Belgjikën. Aktualisht pasi zhgënjeu tek Mançester dhe Borussia, aktivizohet në Spanjë me Real Sosiedad.
Frederik Veseli
I rritur tek Akademitë e Mançester Junajtedit dhe Siti, kosovari premtonte shumë. Kampion bote me U-17 të Zvicrës, por dëmtimet e shumta e penalizuan, ku për disa vite nuk u dëgjua më për të. Duhej të vinte viti 2016, ku përfaqësoi Shqipërinë në Euro 2016, që Veseli të rikthehej në qendër të vëmendjes, duke u transferuar tek Empoli.
Ismail Zeli
Lindur në Kukës, por me një karrierë të zhvilluar në Angli, mediat angleze flisnin me superlativa për këtë lojtar në ato vite. Aftësitë e treguara tek ekipi i Vulverhempton, bën që shqiptari të grumbullohej edhe nga U-18 e Anglisë. Por pikërisht kur dukej se fati po i buzëqeshte, për Zelin fillon kalvari i transferimeve. Në 4 vjet ka ndryshuar 8 ekipe, dhe tani luan për Bury, ekip që militon në kategorinë e tretë.