E kaluara e kohës së luftës nuk luan askund një rol më të rëndësishëm në politikën bashkëkohore sesa në Korenë e Veriut, ku versioni i historisë së regjimit Kim, është një pjesë e pashmangshme e jetës së përditshme. Ndërsa Putin dhe Xi e kanë manipuluar kujtesën e luftërave të shekullit të kaluar, për t’iu përshtatur nevojave të tyre, dinastia Kim ka shkuar shumë më tej, duke shpikur beteja dhe fitore mahnitëse që nuk kanë ndodhur kurrë
Nga Katie STALLARD
Një tym i zi i dendur, u ngrit në qiellin e verës. Zhurma e shurdhër e shpërthimeve të largëta jehonte rreth meje. Në mesin e rrugës ndodhej një mjet i blinduar i përfshirë nga flakët. “Ne kemi luftë në qytetin tonë”- më tha një grua e moshuar që ishte ndalur për të parë automjetin që digjej. “Këtu është si në Stalingrad!”- shtoi ajo. Ndodheshim në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, dhe ishte maji i vitit 2014. Presidenti i korruptuar dhe autokrat i Ukrainës, Viktor Janukovich, ishte arratisur në Rusi që 3 muaj më parë pas një dimri të gjatë protestash në rrugët e Kievit, për të cilat Kremlini pretendoi në mënyrë të rreme se ishin orkestruar nga Perëndimi. Në kundërpërgjigje, Vladimir Putin, aneksoi Krimenë dhe filloi të armatoste luftëtarët separatistë në Ukrainën Lindore. Këta të fundit morën kontrollin e zyrave qeveritare në rajonet Donetsk dhe Luhansk dhe i shpallën ato kryeqytete të dy “republikave popullore” të reja, duke e refuzuar autoritetin e Kievit. Kontrolli i Mariupolit ndryshonte gati ccdo ditë, sa tek separatistët e mbështetur nga Rusia, tek ukrainasit besnikë ndaj vendit të tyre. Ato ishin ditët e para të një lufte që do t’i merrte jetën më shumë se 13.000 njerëzve gjatë 8 viteve të ardhshme.
Ajo do t’i siguronte Putinit pretekstin për të nisur pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Në vitin 2014, presidenti rus nisi të përhapte gënjeshtrën se civilët e pafajshëm gjendeshin nën sulmin e ushtrisë ukrainase, duke këmbëngulur se “neo-nazistët” kishin vënë nën kontroll qeverinë ukrainase nëpërmjet një grushti shteti të organizuar me ndihmën e mbështetësve të saj perëndimorë, ku më kryesori ishte natyrisht SHBA-ja.
Putin tha në marsin e vitit 2014 se “njerëz të veshur me simbolet naziste të svastikës” po patrullonin në rrugët e Ukrainës. Ndërkohë ambasadori i tij në Kombet e Bashkuara, tha në një takim të Këshillit të Sigurimit, se rajonet me shumicë rusishtfolësish në Ukrainës Lindore, kishin rënë pre e një “terrori të hapur ndaj tyre”. Televizioni shtetëror rus, ku informohen shumica e qytetarëve rusë, transmetoi raporte të pafundme mbi “juntën fashiste” që supozohej se kishte marrë pushtetin në Kiev, dhe mizoritë e tmerrshme që thuhej se po kryente ajo kundër grave dhe fëmijëve në Ukrainën Lindore. Kështu, kishte pretendime se qeveria e re po ndërtonte një “kamp përqendrimi fashist”. Në një trillim tejet monstruoz, rrjeti televiziv më i njohur rus raportoi në korrikun e vitit 2014 se ushtarët ukrainas kishin kryqëzuar një djalë 3-vjeçar. Edhe pse është tunduese të hedhësh poshtë si qesharake pretendimet aktuale të Putinit, se ai po zhvillon aktualisht një fushatë ushtarake për të “denazifikuar” Ukrainën, ai po bazohet në fakt tek një histori e konsumuar shumë në Rusi, të cilën propaganduesit e tij e kanë përhapur me shumë zell gjatë 8 viteve të fundit.