Diktatorët janë më tërheqës për investitorët!

“Diktatorët duhet të marrin në konsideratë kthimin në shkollë dhe hapjen e disa librave të ekonomisë”, sipas një studimi të ri që gjurmon flukset e investimeve në vendet jo demokratike. Investitorët vënë më shumë para në regjimet autoritare ku lideri ka një edukim solid, konkludojnë studimet nga Instituti Bankar i Finlandës për Ekonomitë në Tranzicion. Nëse sundimtari ka përvojë të mëparshme në biznes, investimi është edhe më i madh, sipas studimit që shqyrtoi të dhënat e investimeve të huaja direkte në 100 shtete diktatoriale nga viti 1973 deri në vitin 2008.

“Paaftësia pengon investimet në një masë më të madhe, akoma më shumë sesa rreziku i shpronësimit”, shkruan autorët Abel François, Sophie Panel dhe Laurent Weill. Karakteristikat individuale luajnë një rol më të madh sesa institucionet në tërheqjen e investitorëve në vendet ku zgjedhjet e politikave varen nga liria e një personi të vetëm. Karakteri personal i sundimtarit mund të ndihmojë investitorët potencialë që të parashikojnë politikat ekonomike të ardhshme, zbuloi studimi.

“Diktatura është, deri në një farë mase, sundim i diskrecionit”, shkruan autorët. “Edhe në qoftë se ka ndryshime në fuqinë diskrecionare midis diktaturave, fushëveprimi i vendimeve të mundshme të politikës publike është më i gjerë sesa në demokraci, ku institucionet dhe zgjedhjet ndihmojnë për të mbrojtur kundër rreziqeve të sundimtarëve ekstremistë”, thanë ata.