Kompanitë, të cilat ofrojnë shërbime digjitale, mbeten në krye të listës së veprimtarive që shënojnë rritje fitimesh në kohën kur masat e forta shtrënguese për parandalimin e koronavirusit kanë paralizuar disa nga hallkat e ekonomisë, siç është turizmi, transporti dhe sektori i hotelerisë
Shkup, 11 gusht – Mënyra tradicionale e shitjes, biznesi më i goditur koronavirus, është zëvendësuar me mundësitë që po ofron tregtia nga interneti. Me zbritje të shumta si dhe me shpërndarjen falas, restorantet dhe dyqanet që ishin të detyruar të mbyllin dyert, po përpiqen të tërheqin blerës, por në të njëjtën kohë të sigurojnë të ardhura për punëtorët dhe kompanitë. Edhe ato biznese që në të kaluarën nuk ofronin shërbime në mënyrë elektronike, tani janë të detyruara të përdorin mënyra alternative për shitjen e produkteve të tyre dhe t’u ofrojnë qytetarëve shërbimet e tyre pa pasur nevojë të dalin nga shtëpitë e tyre, për shkak të koronavirusit që ka ndryshuar mënyrën e jetës. Një nga masat e para që ndërmori qeveria gjatë muajit mars, prill dhe maj – ishte vendimi për të mbyllur të gjitha dyqanet në qendrat tregtare, përveç farmacive, supermarketeve dhe dyqaneve ushqimore. Ndalim i plotë u vendos gjithashtu për kafenetë, restorantet, si dhe baret, klubet, kazinotë dhe bastoret.
TEKNOLOGJIA E PARA ME FITIME
Kompanitë të cilat ofrojnë shërbime digjitale mbeten në krye të listës së veprimtarive që shënojnë rritje në kohën kur masat e forta shtrënguese për parandalimin e koronavirusit kanë paralizuar disa nga hallkat e ekonomisë, siç është turizmi, transporti dhe sektori i hotelerisë. Kryetari i Konfederatës së punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut, Mile Boshkov, thotë se koronavirusi imponon përdorimin e shërbimeve digjitale, kështu që shërbimet e kompanive të teknologjisë informative mbeten në krye të listës së kërkesave si nga sektori bankar për të ruajtur distancën fizike, ai arsimor për shkak të mësimit online, ashtu dhe nga kompanitë tregtare që veprimtarinë e tyre e drejtuan po në shitjen online.
“Tashmë është e qartë se gjithçka që bën pjesë në sektorin e digjitalizimit, nga ajo primarja deri te terciarja, që do të thotë jo vetëm programimi, përkatësisht teknologjitë informative, por edhe ajo pjesë informatikës që ndihmon në distrubuimin e produkteve, paraqet sektor për çka do të ketë shume nevojë, dhe të njëjtat tashmë është e qartë se do të shumëfishojnë përfitimet. Të jem më i qartë, tashmë në treg paraqitet kërkesë për kompanitë që ofrojnë shërbime logjistike për lidhjen e konsumatorit me prodhuesit e produkteve të ndryshme, që mundësohet përmes teknologjisë informative”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mile Boshkov.
Shërbimet e teknologjisë informative po bëhen gjithnjë e më të kërkuara për administratën, me qëllim që të shmangen takimet fizike, por në të njëjtën kohë, që qytetarët të marrin shërbimet nga administrata në çdo kohë që ju duhet. Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se ekonomia e vendit po vuan pasojat pas përhapjes së sëmundjes COVID-19, por ai thekson se kompanitë që po ofrojnë trajnime online, ka shënuar rritje të punës.
“Edhe bizneset e Maqedonisë së Veriut, si ato në shtetet e Evropës nuk qëndruan imun nga efektet e pandemisë së COVID-19. Është e vështirë të thuhet se ndonjë sektor mund të ketë regjistruar rritje, ngase efekti nuk lë të pa prekur asnjë sektor, megjithatë mund të thuhet se sektori i IT-së vazhdon të kryejë veprimtarinë e saj pjesërisht dhe kjo vetëm për shkak të natyrës së veprimtarisë së saj, eventualisht duke hapur mundësinë e kryerjes së shërbimeve online, për shkak të kufizimit të qarkullimit të qytetarëve. Vërehet një lëvizje shtesë edhe te kompanitë të cilat prodhojnë e importojnë produkte dhe pajisje medicinale, po ashtu edhe zinxhiri i furnizimit dhe shitjes së produkteve ushqimore, mirëpo edhe ato kanë sfida pasi që çmimet furnizuese rriten dhe ata detyrohen t’i risin çmimet, që në fund të bien në harxhim të qytetarëve pa faj të kompanive”, thotë Iseni.
VITI MË I VËSHTIRË QË NGA PAVARËSIA E SHTETIT
Ndërkohë, ekspertët theksojnë se për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, ky vit për shkak të pandemisë së koronavirusit do të jetë viti më i vështirë që nga pavarësia e shtetit, sa i përket mbijetesës së më shumë bizneseve, pasi dëmet do të jenë shumë vështirë të rikuperohen. Ndërkohë, drejtuesit e agjencive që ofrojnë shërbimet e tyre të ushqimit dhe mallrave tjera thonë edhe pas normalizimit të gjendjes kompanitë duhet të mendojnë për fuqizimin e tregtinë online.
“Edhe nëse virusi nuk do të shkaktonte këtë krizë, kjo mënyrë e shitjes në shtetet perëndimore është tashmë shumë aktuale. Për shembull, në Danimarkë 70 për qind e restoranteve punojnë me shpërndarje dhe 30 për qind me shërbim të drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë e tregtisë po vjen edhe te ne edhe pse ne jemi njerëz që duam të shoqërohemi, por pa dyshim që interneti dhe shpërndarja po merr hov edhe në këtë pjesë të kontinentit “, thotë Robert Todorovski, menaxher në një agjenci për dërgimin e ushqimit. Qeveria për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, kryesisht në sektorin e hotelerisë, turizmit dhe transportit, ka ofruar rreth 12 milionë euro ndihmë. Bëhet fjalë për kredi nga 3,000 deri në 30,000 euro, pa interes, me një periudhë mospagimi 6 muajsh dhe shlyerje të kredisë brenda 2 vjetësh.