“Digjini fotografitë dhe fanellat e Messit”- Merret vendimi për presidentin e Federatës së Palestinës

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka lënë në fuqi dënimin e FIFA-s për presidentin e Federatës së Futbollit të Palestinës, Jibril Rajoub, i cili ishte dënuar me 12 muaj pezullim nga futbolli dhe rreth 18 mijë euro për “nxitje të urrejtjes dhe dhunës” ndaj Lionel Messi.

Para ndeshjes miqësore të Argjentinës me Izraelin në qershor të vitit 2018, presidenti i Federatës së Futbollit të Palestinës (FFP), Jibril Rajoub, foli për tensionin politik dhe konfliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

Ndeshja pritej të zhvillohej në stadiumin “Teddy” në Jerusalem, qytet ky që thuhet se është ndërtuar në një fshat që i përkiste Palestinës para se të shkatërrohej në vitin 1948.

Rajoub i nxiti tifozët palestinezë ta kenë cak Messin dhe i inkurajoi ata t’i digjnin të gjitha fanellat e Barcelonës me emrin e argjentinasit.

“Ai është një simbol i madh, kështu që ne duhet ta kemi cak atë personalisht dhe i bëjmë thirrje të gjithëve t’i djegin fotografitë dhe fanellat e tij dhe ta braktisim atë. Ne ende shpresojmë se Messi nuk do të luajë dhe nuk do të vijë”, kishte thënë Rajoub.

Në fund, ndeshja u anulua. Ambasada e Izraelit e mori këtë vendim, duke dalë me deklaratën e mëposhtme.

“Ambasada e Izraelit është e pikëlluar të lajmërojë se ndeshja mes Argjentinës dhe Izraelit, e planifikuar të zhvillohet të shtunën, më 9 qershor, është anuluar”, thuhej në deklaratën e izraelitëve.

“Kërcënimet dhe provokimet e drejtuara ndaj Lionel Messit – që e fitoi solidaritetit e kolegëve të tij dhe frikës për të luajtur në këtë ndeshje miqësore – nuk janë të huaja për jetë e përditshme të izraelitëve pasi që sportistët tanë kanë qenë cak i dhunës dhe sulmeve të tilla plot herë”.

FIFA mori ankesë nga Federata e Futbollit e Izraelit dhe Rajoubi u pezullua nga të gjitha aktivitetet sportive për 12 muaj, që vlen deri më 23 gusht 2019, si dhe u gjobit me 18,056 euro. Ai e apeloi këtë vendim menjëherë, por FIFA ia refuzoi apelin në shtator.

Vetëm dy muaj më vonë, në nëntor, ai shkoi në CAS, ku sërish nuk e arriti qëllimin pasi që CAS-i vendosi ta lërë në fuqi vendimin e FIFA-s.