Numri i automjeteve të përfshira nga zjarri brenda dhjetë ditëve kalon shifrën e dhjetë vetura, apo nga një veturë në ditë është djegur. Apelohet që në këto raste, nëse nuk mund të intervenohet shpejtë, vozitësit dhe udhëtarët të largohen menjëherë nga automjeti. Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, ka patur vetëm dëme materiale por jo edhe viktima në njerëz
Urim HASIPI
Tetovë, 13 gusht – Në orët e para të mëngjesit të së dielës, një zjarr i madh kaploi deponinë ‘Skrab’ të hekurishteve, në Tetovë, përballë fabrikës së Teteksit. Menjëherë pasi është lajmëruar njësiti i zjarrfikësve, të njëjtit kanë shkuar në vendngjarje. Uka Aliti, komandant i njësitit të zjarrfikësve, deklaron se kanë intervenuar për shuarjen e zjarrit me 5 automjete dhe 7 zjarrfikës, shkruan gazeta KOHA.
“Kemi arritur në vendngjarje me dy automjete, në fillim, dhe 6 zjarrfikës. Mirëpo na u desh që për ta futur zjarrin nën kontroll, meqë bëhej fjalë për lëndë djegëse që digjen shpejtë dhe nuk dinim se çfarë ka këtu, se ka mjete eksploduese dhe mjete të rrezikshme që vënë në rrezik edhe jetën e të punësuarve këtu si dhe jetën e zjarrfikësve, kemi thirrur në ndihmë edhe 3 automjete të tjera”, deklaroi Uka Aliti Komandant në njësitin e zjarrfikësve në Tetovë. Sipas tij zjarri është shuar pa lënë asnjë të lënduar dhe pa dëme materiale.
“Duke përdorur cisternat tona, ujin dhe fuqinë potenciale të zjarrfikësve, arritëm në kohë dhe pa kurrnjë pengesë, pa kurrnjë të lënduar, edhe zjarrin ta fusim nën kontroll, dhe mos ti lëmë flakët e zjarrit të zgjerohen, meqenëse dihet se tani janë temperaturat tropikale, e futëm zjarrin nën kontroll dhe e likuiduam tërësisht”, theksoi ai. Përndryshe, rritja e temperaturave, ka ndikuar në atë që, këtë periudhë të shtohen rreziqet dhe përhapja e zjarreve dhe për të njëjtën arsye nga Njësia e Zjarrfikësve në Tetovë apelojnë deri tek qytetarët që të njëjtit të tregojnë kujdes. Tashmë ka filluar pastrimi i fushave nga kashtat, bari i thatë dhe therat në funksion të mbjelljeve të ardhshme, pas çka dukshëm është rritur frekuentimi në rajon, sidomos në rrugët rajonale dhe lokale. Për këtë Sektori për Punë të brendshme në Tetovë apelon deri tek qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur punojnë ose lëviznin në hapësira të hapura.
“Kjo para se gjithash ju referohet atyre të cilët janë të angazhuar me punë në fushë, deri tek të cilët apelohet që të mos ndezin zjarre, për shkak se flakët shumë shpejtë dhe lehtë mund të përhapen sidomos kur ka edhe erë. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë rikujton qytetarët se ndezja e qëllimshme e zjarreve në mal paraqet vepër penale për të cilën është e paraparë dënim me burg nga 8 deri në 10 vjet varësisht vendit, madhësisë, dhe pasojave përfundimtare”, thonë nga Policia e Tetovës.
Nga njësia e zjarrfikësve edhe njëherë apelojnë deri tek qytetarët që tani në muajt e verës ku kemi temperature shumë të larta të tregohen të kujdesshëm , dhe të mos ndezin zjarre të qëllimshme. Në ndërkohë, nuk kanë të ndalur edhe zjarret nëpër vetura, ku si shkak më i shpeshtë është instalimi i rrjetit të rrymës nëpër këto vetura, zakonisht i vjetruar apo me defekte.
Ndryshe, sipas automekanikëve, në Tetovë ka shumë vetura të vjetra të cilët sillen nga jashtë dhe si pasojë e vjetërsisë të njëjtat lehtë mund të përfshihen nga zjarri. Numri i automjeteve të përfshira nga zjarri brenda dhjetë ditëve kalon shifrën e dhjetë vetura, apo nga një veturë në ditë është djegur. Apelohet që në këto raste, nëse nuk mund të intervenohet shpejtë vozitësit dhe udhëtarët të largohen menjëherë nga automjeti. Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, ka patur vetëm dëme materiale dhe nuk janë regjistruar raste tragjike. (koha.mk)