Burimet e proveniencës partiake maqedonase, bëjnë të ditur se midis harkut kohor 1981-1988, në RS të Maqedonisë, në emër të “zbulimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, u ndërmorën një sërë masash kundër arsimit dhe kulturës shqiptare, disa prej të cilave po i përshkruajmë në vazhdim: kundër 320 mësimdhënësve shqiptarë u ndërmorën masa ideopolitike, ndërsa 150 prej tyre u larguan nga puna; riemërtimin e shkollave shqipe të cilat mbanin emra të figurave të shquara kombëtare shqiptare; tërheqjen nga përdorimi i më se 5150 librave dhe publikimeve në gjuhën shqipe, përkatësisht 350 tituj nga bibliotekat shkollore…
Nga Qerim LITA
Demonstratat, të cilat shpërthyen gjatë muajve mars-prill 1981 në Kosovë, për udhëheqjen komuniste maqedonase do të jenë si pretekst për të ndërmarrë masa të dhunshme, kundër inteligjencës shqiptare në përgjithësi, e kundër punonjësve të arsimit në veçanti. Sekretari organizativ i KQ të LKM-së, Millan Pançevski, më 21 maj 1981 ndër të tjerave deklaroi se ngjarjet në Kosovë, kishin pasur ndikim negativ e të drejtpërdrejtë ndaj situatës politike edhe në RS të Maqedonisë, i cili shprehej nëpërmjet prezencës së numrit të madh “të studentëve dhe nxënësve të kombësisë shqiptare nga RS e Maqedonisë në Kosovë”, pastaj, pranimit, përkatësisht emërimit në pozita të larta shoqëror-politike në Kosovë, te një numri të konsiderueshëm të personave nga territori i RS të Maqedonisë, të cilët më herët nga gjyqet komuniste maqedonase kishin qenë të dënuar për veprimtari “nacionaliste e irredentiste” etj. Ai, si një shovinist dhe antishqiptar i tërbuar, kërkoi nga organet shtetërore dhe partiake, që të ndërmarrin masa të rrepta ideopolitike në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën edukativo-arsimore më mësim në gjuhën shqipe, e cila sipas tij ishte “çerdhja e nacionalizmit dhe shovinizmit shqiptar” që shprehej në “kërkesat dhe tendencat për krijimin e sistemit të ndarë e paralel arsimor sipas përkatësisë nacionale”, pastaj në “konceptin e programeve, zhvillimin e mësimit, përmbajtjen e disa librave të caktuara etj”:
Në përputhje me kërkesën e Pançevskit, Dhoma shoqërore-politike e Kuvendit të RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 27 maj 1981, miratoi Konkluzionin, kushtuar procesit edukativo-arsimor në gjuhën shqipe, ku vihej në dukje se në të “ishin vërejtur dukuri të ndikimeve të huaja dhe paraqitje të nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”. Nisur nga një konstatim i tillë, Dhoma kuvendore përkatëse ngarkoi Sekretariatin Republikan për Arsim dhe Shkencë që të ndërmerrte masa përkatëse, për “kualitetin moralo-politik” të kuadrit arsimor me mësim në gjuhën shqipe.
FUSHATA E VRAZHDË IDEOPOLITIKE NDAJ ARSIMTARËVE SHQIPTARË
Rrjedhimisht, Sekretariati Republikan për Arsim dhe Shkencë, në bashkëpunim me organet tjera partiake e shtetërore, në radhë të parë me Drejtorinë e Shërbimit Sekret Shtetëror, e filloi fushatën e gjerë e të vrazhdë ideopolitik ndaj arsimtarëve shqiptarë, të cilët pasi i shpalli “nacionalistë dhe irredentistë” i përjashtoi nga puna, përkatësisht nga procesi edukativo-arsimor. Në fakt, diferencimet e para ideopolitike ndaj inteligjencës shqiptare në përgjithësi, e ndaj kuadrit arsimor në veçanti, filluan menjëherë pasi KQ i LKJ-së, miratoi të ashtuquajturën “Platformë politike për Kosovën” në tetor të vitit 1981. Të njëjtat do të zgjerohen pas mbledhjes së 13-të të KQ LKM-së (29 prill 1983) dhe asaj të 12-të (23 shtator 1987), në të cilat u miratuan programe operative, për luftën e hapur e të pa kompromis kundër arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Në pikën 29 të Programit operativ që KQ i LKM-së e miratoi më 23 shtator 1987, thuhej shprehimisht:
“Lidhja e komunistëve e ka të obligueshme ta intensifikojë punën ideopolitike nëpër shkolla e fakultete si dhe në institucionet tjera edukative-arsimore e shkencore. Veçanërisht duhet të përforcohet lufta kundër nacionalizmit e separatizmit shqiptar; në mënyrë më të shprehur të filloj procesi i dezindoktrinimit tashmë të pjesës së indoktrinuar të rinisë shkollore e studentore dhe diferencimi ideopolitik midis kuadrit arsimor”.
Paraprakisht, Kuvendi i RS të Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 24 prill 1987, miratoi Konkluzionet, me të cilat urdhëroheshin organet ekzekutive dhe administrative shtetërore që të ndërmerrnin masave represive për siç thuhej “çrrënjosjen e aktivitetit armiqësor nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Vëmendje të veçantë në këto konkluzione i kushtohej procesit edukativo-arsimor, kulturës, shkencës, veprimtarisë botuese dhe mjeteve të informimit në gjuhën shqipe, ku nga organet e administratës dhe forcave tjera të këtyre institucioneve u kërkua që të ndërmerrnin masa urgjente për “pengimin e të gjitha dukurive nacionaliste dhe t’i përjashtojnë nga puna ata të cilët veprojnë nga pozita nacionaliste”.
Burimet e proveniencës partiake maqedonase, bëjnë të ditur se midis harkut kohor 1981-1988, në RS të Maqedonisë, në emër të “zbulimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, u ndërmorën një sërë masash kundër arsimit dhe kulturës shqiptare, disa prej të cilave po i përshkruajmë në vazhdim: kundër 320 mësimdhënësve shqiptarë u ndërmorën masa ideopolitike, ndërsa 150 prej tyre u larguan nga puna; riemërtimin e shkollave shqipe të cilat mbanin emra të figurave të shquara kombëtare shqiptare; tërheqjen nga përdorimi i më se 5.150 librave dhe publikimeve në gjuhën shqipe, përkatësisht 350 tituj nga bibliotekat shkollore; ndërrimi i plan programit mësimor për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe për lëndët: histori, gjuhë dhe letërsi shqipe dhe muzikë; mbyllja e paraleleve në gjuhën shqipe nëpër shkollat e mesme profesionale për vitet e treta dhe të katërta gjatë vitit shkollor 1987/88, ndërsa një vit më pas mbyllen tërësisht, përfshi këtu edhe paralelet e gjimnazeve (në përjashtim të një numri simbolik në gjimnazet: Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Dibër) dhe në vend të tyre do të hapen të ashtuquajtura “paralele të përziera”, ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase. Një situatë edhe më e pa lakmuar u krijua në arsimin e lartë, ku nga 2.365 studentë shqiptarë sa kishte në vitin 1980 nëpër fakultetet e ndryshme në Universitetin e Shkupit, ky numër gjatë vitit akademik 1987/88 bie në 1.264. Duhet të kihet parasysh fakti se numri më i madh i tyre studionin në Akademinë Pedagogjike dhe në Katedrën e Albanologjisë.
BURGOSJET DHE PROCESET GJYQËSORE KUNDËR GRUPEVE DHE ORGANIZATAVE POLITIKE SHQIPTARE 1972-1989
Në kushtet e një regjimi diktatorial, siç ishte ai komunist jugosllav-maqedonas, veprimtaria shqiptare zhvillohej përmes organizimit ilegal. Për dallim nga viteve pesëdhjeta, kur organizimi ilegal politik zhvillohej përmes organizatave me orientim pro-perëndimor, gjatë viteve shtatëdhjeta e veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ky organizim zhvillohej kryesisht përmes të ashtuquajturave organizata marksiste leniniste. Ndër organizatat e para me ideologji marksiste-leniniste, duhet veçuar “Kushtrimin e Lirisë”, e cila u themelua gjatë vitit 1972 nga një grup studentësh dhe veprimtarësh nga Tetova me rrethinë, në krye me Rafi Halilin, Gafur Lokun, Elmaz Ademin, Baki Ymerin, Rushit Nesimin etj.. Në qershor të vitit 1979, në Tetovë, formohet edhe një organizatë tjetër ilegale me emrin “Partia Nacionale e Punës”, në krye të së cilës ishin ish të burgosurit politik: Rrahim Neziri, Zaim Beqiri, Shaban Limani, Esad Abdyrrahmani etj. Organizata të tilla e të ngjashme u formuan edhe në qendrat tjera shqiptare si në Gostivar, Kumanovë, Shkup, Kërçovë, Dibër e Strugë.
Shërbimi sekret maqedonas – UDB, nëpërmjet shkresave tepër të besueshme njoftonte KQ të LKM-së për ekzistimin e disa organizatave ilegale shqiptare, të cilat për një periudhë relativisht të shkurtë kishin arritur ta shtrinë veprimtarinë e tyre, në më shumë rrethe dhe mjedise shqiptare, duke i “përfituar disa nxënës, studentë, arsimtarë dhe persona tjerë”. Si drejtues të këtyre organizatave, sipas UDB-së maqedonase, paraqiteshin kryesisht “persona të dënuar më herët për veprimtari armiqësore”, lidhjet e tyre familjare dhe miqësore, persona që rridhnin nga familjet intelektuale e nacionaliste, përkatësisht balliste, apo kishin lidhje të përbashkëta me një pjesë të emigracionit dhe me të shpërngulurit në Turqi. Për rrjedhojë, gjatë saj periudhe kohore në Maqedoni u burgosën një numër i madh i veprimtarëve të shquar shqiptarë, dhe u zhvilluan me dhjetëra procese gjyqësore, në të cilat u shqiptuan dënime të rënda, gjithnjë nën akuzën e veprimtarisë “armiqësore nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”.
Sipas Analizës së hartuar në mars të vitit 1987 nga Sekretariati Republikan i Jurisprudencës i RS të Maqedonisë, numri i përgjithshëm i të burgosurve shqiptarë në këtë republikë nga 1 janari 1980 e deri më 1 janar 1987 ishte 668 shqiptarë, prej të cilëve 60 ishin dënuar për vepër më të rëndë penale “shoqërim për shkak veprimtarisë armiqësore”, të paraparë në Nenin 136 të Ligjit Penal të RSF të Jugosllavisë, ndërsa 607 të tjerë ishin dënuar për kundërvajtje me ngjyrë politike për shkak “nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Po kjo analizë vë në dukje se nga viti 1972 e deri në vitin 1980, me vendim të plotfuqishëm ishin dënuar edhe 28 shqiptarë tjerë, me çka numri i përgjithshëm i të dënuarve shqiptarë për vepër penale deri në vitin 1987 shkonte në 88. Mirëpo, sipas një tabele të hartuar nga po i njëjti institucion, del se numri i të burgosurve politik shqiptarë deri në vitin 1986 ishte130 e jo 88 siç përshkruhej në analizën e mësipërme. Ky numër sipas viteve ishte me sa vijon: 1 në vitin 1970, 10 në vitin 1972, 1 në vitin 1973, 8 në vitin 1975, 1 në vitin 1976, 3 në vitin 1977, 4 në vitin 1980, 13 në vitin 1981, 46 në vitin 1982, 15 në vitin 1983, 11 në vitin 1984, 2 në vitin 1985 dhe 15 në vitin 1986, ose gjithsej 130 shqiptarë të cilët brenda harkut kohor 1970-1986 u dënuan për vepër penale “kundër themeleve të rregullimit shoqëror vetëqeverisjes dhe sigurisë së RSFJ-së nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, të paraparë në nenet: 131, 133, 134, 136, 137, 154 dhe 157 të Ligjit Penal të atëhershëm të RSFJ-së. Numri më i madh i tyre ishin nga Tetova, apo gjithsej 30 persona, pastaj 25 nga Struga, 18 nga Gostivari, 15 nga Kërçova, 10 nga Shkupi, 7 nga Dibra, 6 nga Ohri, 5 nga Kumanova, 2 nga Prespa dhe 12 të tjerë ishin nga qytetet e ndryshme të Kosovës, të cilët qenë dënuar nga gjykatat e atëhershme komuniste maqedonase. (vijon nesër)