Nga Hasan XHILO
Një intelektual shqiptar, pas diskutimit tim, më tha se në shumëçka kam të drejtë, megjithatë shtoi se “dielli ne nuk na ngrohë as nga Lindja as nga Perëndimi, por ne shqiptarëve na ngrohë aty ku jemi”. Nuk mbaj mend ndonjë intelektual shqiptar, mendoj se ishte arsimtar në një shkollë fillore – në diskutimin tim për filozofinë në Islam me kolegët – të ketë thënë një të vërtetë kaq të qartë siç është kjo në aspektin e interesit të profesionit tim, për të cilën ndoshta nuk është i vetëdijshëm. Mua nuk do të më kujtohej një konstatim i tillë po të mos e kisha dëgjuar, në një debat politik në Alsat, pikërisht mendimin që e zgjodha të jetë titull i këtij teksti.
“Dielli na ngrohë nga Perëndimi”, është një konstruksion i menduar mirë që tërheq me vete pasoja jo shumë fatlume nëse në këtë mendim depërtojmë pak më thellë. E nëse nuk ndalemi vetëm në kuptimin e tij formal do të na bëhen konfuze më shumë koncepte kulturore, etnike dhe religjioze. Ja, pra, më së pari kuptimet e fjalëpërfjalshme të këtij konstatimi. Ky konstatim këtu përfshin kontekstin dhe diskursin e sotëm politik. “Dielli na ngrohë nga Perëndimi”, do të thotë se Perëndimi është ai nga i cili na vijnë vlerat, kultura, siguria, standardi, demokracia, shekullarizmi, përkujdesja sociale dhe e gjithë ajo çka i duhet një shoqërie për mirëqenien e saj. Këtë sot askush nuk mund ta mohojë. Kjo padyshim është kështu!
Se kjo është kështu shihet edhe nga praktika. Nuk vijnë vlerat te ne, por ne iu dalim përpara atyre, sepse ne nuk kemi ku të shkojmë përveçse në Perëndim. Ndoshta kështu edhe duhet të jetë, sepse, ja pra, edhe dielli po shkon në Perëndim. Të gjitha religjionet si dhe kulturat dhe qytetërimet që kanë rezultuar prej tyre vijnë nga Lindja dhe shkojnë në Perëndim, si e gjithë rrjedha e historisë, e këtë e tregon vetë ajo, ka nisur drejt Perëndimit. A thua nuk flitet për popujt indo-evropianë, gjuhët indo-evropiane, për migrimet e mëdha të popujve. Shihet se gjendja aludon për faktin vijues – po edhe të duash nuk ke ku të shkosh përveçse në Perëndim. Edhe Kolumbo duke menduar se shkon në Lindje, në Indi, shkoi në Perëndimin e vërtetë, duke zbuluar Amerikën. Dhe sot nuk ka njeri që nuk e dëshiron këtë. Kur nuk mund të krijosh vlerat e tua, duhet t’i pranosh vlerat e të tjerëve, nëse ato nuk rrezikojnë identitetin kulturor, etnik dhe fetar. Nuk ka as edhe një popull më të vogël sot që nuk po përballet me këtë sfidë, e sidomos popujt e Ballkanit. Megjithatë, hyrja më thellë në konstatimin se “dielli na ngrohë nga Perëndimi” do të na zbulojë edhe kuptime të tjera të brendshme që nuk duhet t’i harrojmë për të cilat pikërisht më inkurajoi konstatimi i arsimtarit i cili menjëherë më solli ndërmend ajetet kur’anore që flasin për pemën e bekuar të ullirit që nuk është as në Lindje as në Perëndim, dhe se ajo, me fjalë të tjera thënë, mbinë aty ku është në tokën e saj. Në fakt, ajo mund të mbijë vetëm se në tokën e saj. Vetëm ajo pemë që mbinë në tokën e saj është pemë origjinale ose autentike. Përmbajtja e pemës varet nga toka e saj. Për këtë arsye, e vërteta nuk është as në Lindje as në Perëndim, ajo është aty ku jemi ne. Në literaturën mistike nocionet lindje dhe perëndim nuk kanë kuptime gjeografike, por simbolike. Pasi që ato kanë kuptime simbolike, ato mund të interpretohen në shumë mënyra.
Arsimtari kur tha se “… ne na ngrohë aty ku jemi”, dhe nuk ishte i vetëdijshëm për kuptimin e këtij mendimi të thellë. Ai në mendje kishte vetëm faktin se shqiptarët janë popull autokton evropian, ose thënë me fjalë të tjera, se ata janë të vetët në të vetën. A thua, vallë, sot ka vlerë më të madhe se kjo për të qenë të vetët në të vetën? A thua e tërë kultura e sotme evropiane nuk themelohet në vlerat të cilat tokë të sajën kanë Mediteranin? Territoret e sotme të Shqipërisë, Greqisë, Azisë së Vogël, Sicilisë… a nuk ishin vendet ku u paraqit shkenca, arti, politika, filozofia greke, të cilat me mijëra vjet mbetën të varrosura në Mediteran. Islami dhe Krishterimi, e jo vetëm njëri apo tjetri religjion, i bartën në Evropën e atëhershme dhe nga toka e së cilës do të mbijë kultura dhe qytetërimi evropian, ose ajo që sot quhet “identiteti evropian?” Problemi kryesor qëndron në atë se nuk mund t’i shohim këto vlera. A thua Greqisë i pengojnë vlerat euro-perëndimore që dalin nga vetë ajo për ruajtjen e identitetit religjioz ortodoks? Shqiptarët ortodoksë aspak nuk e parashtrojnë problemin e identitetit të tyre fetar.
Prandaj kur thuhet “Dielli na ngrohë nga Perëndimi” në diskursin modern politik shqiptar, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, e sidomos tek intelektualët, nënkupton edhe kontekstin krishterë. Këtu po bëhet inxhinieria më e madhe propagandistike nga e cila ende nuk mund të lirohen një numër i madh intelektualësh. Edhe Islami edhe Krishterimi, përveç vlerave të tyre, edhe vlerat e filozofisë dhe shkencës greke, i transferuan në Evropë. Do të thotë, vlerat u nisën drejt Evropës (Evropa gjeografike) dhe aty e fisnikëruan atë tokë nga e cila do të mbijë ajo që sot quhet kulturë evropiane ose identitet evropian. Është gabim dhe, prandaj, e paqëndrueshme floskula – kur bëhet fjalë për pluralizmin religjioz – se ky është rezultat i lëvizjeve të migracioneve në territoret e krishterimit.
Sot kërcënimi më i madh na vjen nga gjendja në të cilën vështirë se mund të jemi ajo çka jemi. A thua, vallë, askush nuk ia parashtron vetes pyetjen, se kur anëtarët e familjes së tij do të shkojnë diku në Perëndim, mund të humbin identitetin e tyre etnik dhe religjioz? Nëse “dielli na ngrohë aty ku jemi”, atëherë përjashtohet çdo e vërtetë me konotacion religjioz. Nëse shqiptarët e kanë pranuar ortodoksinë ose katolicizmin, ata e kanë pranuan edhe Islamin. Këtu nuk ka të drejtë ekskluzive për një zgjedhje, e aq më pak identifikim me atë të drejtë. Pra, as krishterimi dhe Judaizmi nuk janë religjione evropiane, siç nuk është edhe Islami. Nëse nuk mund të flitet për një “Islam evropian” ose “Islam ballkanik”, atëherë nuk mund të flitet as për “krishterim evropian” ose “krishterim ballkanik”. Ende më pak mund të flitet për Evropën e krishterë ose për identitetin e krishterë evropian. Me çfarë të drejte po kërkohen rrënjët e kulturës evropiane vetëm në krishterim, e jo edhe në Islam!? Nëse shikohet vetëm në filozofi do të shihet se filozofia islame ishte shumë më i hapur ndaj filozofisë greke dhe helenistike se sa ishte ajo krishtere. Myslimanët këtë filozofi e nxorën nga Mediterani dhe e helenizuan Evropën, sepse filozofia greke me mijëra vjet ka qenë pothuajse e harruar pikërisht në thellësi të këtij Mediterani. Analiza e jetës dhe shprehitë e saj të përditshme do të na tregojnë se Islami është shumë më e pranishëm se religjionet e tjera pikërisht në këtë jetë. Krishterimi më tepër është përqendruar nëpër kisha dhe manastire. Për këtë arsye, toka në të cilën themelohet ajo që sot quhet “identitet evropian” nuk është vetëm religjioni krishter ose hebraik, por edhe ai islam. Këtu, në Evropë, është mbjellë fara. Këtë farë e kanë mbjellë muslimanët e Mediteranit në Spanjë dhe Sicili, kurse osmanlinjtë në Ballkan ose në Evropën Juglindore. Halil Inalxhiku, historiani i njohur turk, thotë se Perandoria Osmane u formua në territorin evropian. Ajo filloi të përhapet nga Edreneja ose Rumelia. Shqiptarët, si dhe popujt e tjerë të Ballkanit, në fakt, nuk i ngrohë dielli nga Perëndimi. Ata i ngrohë aty ku janë, në Mediteran, sepse ai i cili e tha këtë se “dielli na ngrohë nga Perëndimi”, duke inkuadruar aty edhe konceptin religjioz që shpesh theksohet, me sa duket nuk e ka parë diellin mu për shkak të dritës së tij të fortë, aty ku është në mes të Adriatikut, në Mediteran. Vetëm aty ai mund të ruajë identitetin e vet, e sidomos identitetin e tij etnik. Vetëm aty mund ta ngrohë dielli në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pra, ai me atë që pranoi të bëhet musliman, nuk e humbi identitetin e tij. Përkundrazi, religjioni mund të kontribuojë që ai të forcohet. Identiteti etnik më shumë mund të humbet në Perëndim, ku mund të zhduken jo vetëm vlerat religjioze, por edhe ato etnike. Sot gjuha arabe nuk është kërcënim për asnjë gjuhë, e shumë më pak për gjuhën shqipe kurse rasti me gjuhën angleze nuk është edhe aq i parëndësishëm në planin e humbjes së shprehjes gjuhësore autentike. Edhe literatura islame që përkthehet në gjuhën shqipe mund të kontribuojë në autenticitetin e kësaj shprehjeje. Kur Bibla u përkthye në gjuhën gjermane nga Martin Luteri gjuha gjermane pasurohet me shprehje. Me përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe u përforcuan këto shprehje. Kjo mund të kontribuojë shumë, e sidomos te të rinjtë që jetojnë në Perëndim, për ruajtjen e këtyre shprehjeve. Në fund të fundit në Bosnjë dhe në Shqipëri nuk u bë kurrfarë turqizimi. Për dallim nga shtetet e tjera të Ballkanit këtu nuk jetojnë turqit. Islami nuk është përhapur si rezultat i lëvizjeve të migracioneve, por përkundrazi, edhe njëri edhe tjetri si popuj autentikë evropianë hynë në Islam ashtu siç hynë edhe në Krishterim. Këtu askush nuk ka pozitë të privilegjuar në aspekt të zgjedhjes së tij. Unë mendoj se nuk ka vend më të mirë ku mund të na ngrohë dielli se sa në Mediteran. Vetëm se prej nesh varet se si do t’i dalim përpara.