Evis HALILI
Shkup, 25 maj – Përdorimi në masë dhe keqpërdorimi i simboleve nacionale gjatë dhjetë viteve të fundit në fushata, mitingje e të tjera më shumë sesa për zgjimin e sentimentit patriotik kanë krijuar konfuzion tek qytetarët. Kujt i takon luani, apo dielli, ngjyra e kuqe, apo këngët si Ciao Bela e Tokë maqedonase, shkruan gazeta KOHA. Sipas analizës së realizuar pas një hulumtimi të dy Qendrave, për Bashkëpunim ndërkombëtar dhe Dialogut kreativ, së bashku me Civika mobilitas, perceptimi i qytetarëve për simbole të caktuara nacionale dhe elementeve të memories kulturore, sidomos të atyre që janë përvetësuar nga subjektet politike gjatë zhvillimit të fushatave elektorale, protestave, e të tjera janë të ndryshme. Pjesa më e madhe e të anketuarve janë maqedonas, mbi 85 për qind, shqiptarë mbi pesë për qind dhe sipas tyre simboli i luanit më shumë sesa si simbol maqedonas perceptohet si simbol i VMRO-DPMNE, ndërsa shqiponja me dy krerë vetëm për mbi 67 për qind e të anketuarve mendojnë se i takon shqiptarëve. Për të tjerë ky simbol asocon me perandorinë bizantine dhe më pak se 2 për qind i asocon me Bashkimin Demokratik për Integrim. Sa i takon simbolit të diellit, vetëm 37 për qind e të anketuarve mendojnë se i takon historisë dhe popullit maqedonas, ndërsa mbi 42 për ind të tjerë mendojnë se i takon Maqedonisë antike dhe grekëve. Sa i takon ngjyrës së kuqe, kur përdoret nga partitë dhe me çfarë i asocon ajo përqindja është e barabartë mes atyre që i asocon me flamurin maqedonas dhe “diçka tjetër”. Perceptimi i pjesës më të madhe të të anketuarve është se partitë më të mëdha politike kanë tendencë të përvetësojnë simbolet historike dhe fetare duke i kthyer ato në pronësi të vetën. Të pyetur nëse kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, treçereku i të anketuarve janë përgjigjur negativisht, dhe një pjesë tjetër nuk e dinë nëse subjektet politike e kanë këtë të drejtë përvetësimi apo jo. Po ashtu përdorimi i simboleve nacionale, trashëgimisë, elementeve të memories kulturore sipas pjesës më të madhe të të anketuarve bëhet për qëllime politike dhe vetëm një pjesë e vogël mendojnë se bëhet për të krijuar ndasi, apo edhe për të bashkuar popullin. “Diferencimi i simboleve dhe kulturave nacionale si edhe keqpërdorimi i tyre për qëllime politike, ka sjellë edhe keqinterpretimin e tyre dhe ndasi mes qytetarëve. Me këto hulumtime ne bëmë një analizë serioze të mënyrës sesa dhe sesi keqpërdoren simbolet nacionale sidomos gjatë periudhës së përforcimit të identitetit nacional dhe në mjediset më të vogla, nën ndikimin më të madh të historisë, mitologjisë, e të tjera. Situata politike këto dhjetë vitet e fundit në Maqedoni është rënduar me shfrytëzimin e simboleve nacionale”, thotë Daniela Nikolova, koordinatorja e këtij projekti të përbashkët, gjatë prezantimit të rezultateve të këtij hulumtimi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara