DiCaprio ha në restorantin e të pastrehëve (FOTO)

27

Leonardo DiCaprio përshëndeti fansat që nuk i mbante vendi nga ngazëllimi dhe nënshkroi autografe në Edinburg të Skocisë, ku vizitoi një bar-restorant që nxit rritjen e ndërgjegjësimit mbi personat e pastrehë. Fituesi i çmimit Oscar, një nga meshkujt më të pashëm të Hollivudit, ndaloi për të ngrënë tek restoranti “Home”, ku shërbehen gatime të kuzhinës skoceze e franceze.

Shumicën e fitimeve që nxjerr, pronari i tij i shpenzon me projekte në mbështetje të të pastrehëve. Një numër i madh adhuruesish të aktorit sfiduan të ftohtin e hidhur vetëm që të kishin mundësinë që ta shihnin nga afër idhullin e tyre. Një vajzë madje i ka kërkuar të firmosë tatuazhin me fytyrën e Di Caprios që kishte në krah. “Shkova dhe iu luta të firmoste tatuazhin tim. Ai kur e pa tha se ishte fantastik dhe unë e falënderova”, tregoi vajza. Një çift kishte pritur me orë të tëra për mundësinë e një takimi të shkurtër me aktorin. Ai u tregua kaq i dashur, tregojnë ata, erdhi drejt e tek ne, ishim të parët që takoi, ishte shumë e veçantë.

Restoranti ku ndaloi DiCaprio fton çdo të hënë të pastrehë që të ulen e të hanë atje me dinjitet e u ofron edhe mundësi punësimi. Fakti që aktori 42-vjeçar zgjodhi të qëndronte atje duke tërhequr kështu vëmendjen tek iniciativa e pronarëve, është përshëndetur gjerësisht. Në përgatitjen e ushqimit të tij ndihmuan katër pjesëtarë stafi, të cilët dikur kanë qenë dhe vetë të pastrehë.