Vjollca SADIKU
Dibër, 13 maj – Për shkak të problemeve të shumta sociale, shumë familje dibrane vazhdojnë të jenë pa kulm mbi kokë. Problemi në fjalë është prezent shumë vite, por zgjidhja mungon. Dy ndërtesa sociale, të cilat ishin premtuar dhe paraparë të ndërtohen para disa vite, ende nuk janë askund, edhe pse problemi i sigurimit të kulmit mbi kokë tani më është i madh, shkruan gazeta KOHA.
Pas ndërtimit të një ndërtese kolektive për familje me të ardhura minimale në Dibër, para më shumë se shtatë vitesh, në të cilën disa banesa u dhanë për familje me të ardhura shumë të larta, e jo atyre që u takonte, pushteti qendror, nëpërmjet institucioneve kompetente paralajmëroi ndërtimin e dy ndërtesave të tjera kolektive. Ndërtesat ishte paraparë që të ndërtohen si banesa sociale me projektin qeveritar, pikërisht për kategorinë e familjeve me probleme ekstreme sociale. Por, edhe pse ky aktivitet u paralajmërua para shumë viteve, deri sot banesat nuk janë ndërtuar. Ishte paraparë ndërtimi i dy ndërtesa kolektive, me gjithsej 42 banesa. Por, kjo nuk ndodhi edhe pse paralajmërimet ishin. Në shumë qytete të tjera në vend, u ndërtuan ndërtesa kolektive sociale, por radha nuk i erdhi Dibrës, edhe pse problemi i sigurimit të kulmit mbi kokë te popullata është i theksuar, e sidomos te çiftet e reja. Në një situatë të këtillë, familje të pastrehë në një pjesë të madhe jetojnë pa pagesë fal mërgimtarëve dibranë, të cilët ua kanë mundësuar strehimin në shtëpitë e tyre që i kanë në atdhe. Ata banojnë dhe interesohen për sigurinë e shtëpive. Një pjesë tjetër e kësaj kategorie të familjeve, kanë apo nuk kanë, janë të detyruar të marrin me qira shtëpi apo banesa. Të tjerë mundohen të jetojnë në një dhomë te prindërit e tyre, të cilët në pamundësi t’u ndihmojnë, u kanë ofruar një dhomë për të jetuar. Të dhënat jozyrtare thonë se në Dibër, probleme të sigurimit të kulmeve mbi kokë kanë mbi 250 familje, por që ky numër rritet nga dita në ditë. Sidomos, çiftet e reja të cilët janë pa punë kanë probleme të shuma në këtë drejtim. Sipas tyre, pas përfundimit të shkollimit, martohen dhe pastaj ballafaqohen me problemin e strehimit. Një ndihmesë në drejtim të tejkalimit të problemit të strehimit kanë dhënë disa humanistë dibranë që kanë bizneset e tyre në Dibër, por edhe dibranë që jetojnë në diasporë, sidomos në SHBA. Ata kanë ndërtuar edhe shtëpi ku janë vendosur familjet e pastrehë. Kjo është një ndihmesë e madhe që bëjnë humanistët, por vetë ata këtë problem nuk mund ta tejkalojnë. Pikërisht kjo situatë paraqet një nga shkaqet, përveç papunësisë, për migrimin e çifteve të reja. Po ashtu një pjesë e familjeve të reja të kësaj kategorie marrin rrugën e udhëtimit për në shtetet e Unionit Evropian dhe atje kërkojnë azil. Problemi i cili nga dita në ditë merr përmasa ekstreme, tani për tani nuk ka gjasa të tejkalohet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara