Dibranët, edhe pse shpeshherë ballafaqohen me probleme si konsumatorë, në asnjë moment nuk kanë mbrojtjen apo të informohen me të drejtat e tyre kur kanë probleme me tregtarët, konkretisht me kualitetin, si dhe licencat për mallrat që blejnë. Në këtë drejtim, kryetari i Këshillit të Komunës, Bashkim Mashkulli, thotë se është nevojë e kohës që përsëri të riaktivizohet puna e shoqatës për mbrojtjen e konsumatorëve
Vjollca SADIKU
Dibër, 17 prill – Viteve të fundit, konsumatorët jo vetëm në Dibër, por edhe më gjerë – shpeshherë ballafaqohen me problemet e shumta gjatë furnizimit me artikuj ushqimor, teknikë të bardhë e tjerë. Edhe pse shqetësimet e tyre janë prezente, kur ata blejnë mallra me afate të skaduar ose teknikë me defekte, nuk kanë kujt ti drejtohen. Ndodh që problemet e këtilla të mbeten vetëm si shqetësime, por jo edhe të marrin kahje ligjore. Para disa vitesh, në Komunën e Dibrës – me ndihmën e Organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve të vendit u formua një shoqatë për mbrojtjen e konsumatorëve. Shoqata u themelua me nismën e pushtetit vendor, por për një kohë të shkurtër – e njëjta u shua. Prandaj, aktualisht dibranët edhe pse shpeshherë ballafaqohen me probleme si konsumatorë, në asnjë moment nuk kanë mbrojtjen apo të informohen me të drejtat e tyre kur kanë probleme me tregtarët, konkretisht me kualitetin, si dhe licencat për mallrat që blejnë. Në këtë drejtim, kryetari i Këshillit të Komunës, Bashkim Mashkulli, thotë se është nevojë e kohës që përsëri të riaktivizohet puna e shoqatës për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Mbrojtja e konsumatorit është një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari”, thotë Mashkulli, ndërsa shton se problemi me mungesën e kualitetit, por edhe me respektimin e afateve për dorëzim të mallit, është prezent edhe në Dibër. “Mendoj se një shoqatë e tillë do të ishte në interes të dibranëve me qëllim që ata të mbrojnë interesat ligjore kur është në pyetje problemi me mallrat që blejnë. Prandaj, po tentojmë që në një kohë të shkurtër të vendoset nga ana e Këshillit themelimi ose riaktivizimi i kësaj organizate për Komunën e Dibrës”, tha Mashkulli.
Në bisedën që patëm me konsumatorë të dëmtuar në Dibër, u informuam për pamundësinë që ata të mbrojnë interesat e tyre. A.Z. nga Dibra thekson se ka patur probleme me kualitetin e një mjeti që ka blerë në një shitore për teknikë të bardh. Përveç mosmarrëveshjeve me firmën, nuk ka ditur se kujt ti drejtohet. “Km patur informata se më parë ka funksionuar shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve pran Komunës Dibër, por kuptova se tashmë kjo shoqatë nuk funksionon. Tani s’di kujt t’i drejtohem”, thotë qytetari i dëmtuar. Jo vetëm ai, por edhe konsumatorët tjerë nuk e dinë se kujt ti drejtohen në momentet kur ndjehen të zhgënjyer nga rrjeti tregtar. Pjesa më e madhe e dibranëve nuk është e informuar se për problemet që kanë me afatet e skaduara, defektet në teknik të bardhë…, problemet mund ti paraqesin edhe tek Inspektori i tregut. Inspektori i tregut, Rifat Dede, thekson se ky Inspektorat është në shërbim të konsumatorëve, prandaj thotë ai, problemet duhet ti paraqesin në këtë adresë. (koha.mk)