Pjesa dërmuese e tyre rekreohet sidomos gjatë ditëve të pushimit në vendbanimet kufitare të Shqipërisë, siç janë Maqellara, Dobrova, e sidomos qyteti i Peshkopisë. Në këto vendbanime janë ndërtuar objekte të bukura hotelierike, të cilat ofrojnë ushqime tradicionale, edhe atë me çmime më të leverdishme për xhepat e banorëve të Dibrës së Madhe
Vjollca SADIKU
Dibër, 26 shkurt – Zhvillimi i lokacioneve turistike në vendbanimet kufitare të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar dukshëm kanë ndikuar në prezencën e dibranëve sidomos gjatë vikendeve për t’u rekreuar në qytetit e Peshkopisë, por edhe në lokalitete turistike në afërsi të këtij qyteti shqiptar, i cili gjendet 20 kilometra larg Dibrës së Madhe. Investimet që kanë bërë afaristët shqiptar në sferën e turizmit po joshin banorët e Dibrës së Madhe, që sidomos gjatë vikendeve – të jenë prezent në trevat e Dibrës së Vogël. Deri para një viti, dibranët me të madhe gjatë vikendeve pushtonin Strugën dhe Ohrin. Kjo prezencë e madhe e dibranëve në Strugë dhe Ohër nuk ishte vetëm gjatë sezonit veror, por pothuajse gjatë dymbëdhjetë muajve. Kapacitetet turistike, por edhe oferta tregtare tërhiqte dibranët në këto dy qytete turistike të vendit tonë. Megjithatë, sot dibranët kanë “ndërruar” adresën e udhëtimit. Pjesa dërmuese e tyre rekreohet sidomos gjatë ditëve të pushimit në vendbanimet kufitare të Shqipërisë, siç janë Maqellara, Dobrova, e sidomos qyteti i Peshkopisë. Në këto vendbanime janë ndërtuar objekte të bukura hotelierike, të cilat ofrojnë ushqime tradicionale, edhe atë me çmime më të leverdishme për xhepat e banorëve të Dibrës së Madhe. Duke marrë parasysh se një pjesë e restoranteve janë ndërtuar në afërsi të Drinit të Zi, por edhe të vendeve të tjera turistike, ditëve të shtuna dhe të diela – mysafirë të këtyre objekteve janë kryesisht banorët e Dibrës së Madhe.
Gjatë një vizite në qytetin e Peshkopisë, takuam anëtarët e familjes Klloboçishta nga Dibra e Madhe. Ata thonë se pothuajse çdo vikend janë në Peshkopi. “Këtu ndjehemi në vendin tonë dhe të gjithë restorantet ofrojnë ushqime tradicionale dhe me çmime të kapshme”. Po sipas tyre, investimet e shumta që janë bërë në këtë pjesë të Shqipërisë me të vërtet ofrojnë një kënaqësi, por edhe ushqim të begatshëm. Restorantet tashmë kanë edhe këndet e lodrave për fëmijë, gjë që ka bërë për rritjen e myshterinjve nga kjo anë e kufirit. Nebi Hoxha, pronar i një nga objektet shërbyese në Peshkopi, thotë se më se 20 vjet ka punuar në Greqi, ndërsa para pesë vitesh është kthyer në vendlindje dhe ka investuar në restorantin e tij. Gjatë vitit, thotë se ka patur shumë mysafir nga Dibra e Madhe, ndërsa shton se nga dita në ditë rritet numri i vizitorëve nga përtej kufirit.
“Jemi shumë të kënaqur nga funksionimi i këtij biznesi dhe për banorët e Dibrës së Madhe ofrojmë të gjitha kushtet që ata preferojnë”, thotë Hoxha. Një numër i theksuar i dibranëve vizitojnë edhe hotelet e Lixhave të Peshkopisë – lokalitet banjar, i cili nga dita në ditë ka hotele të shumta dhe mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare. Duke marrë parasysh këtë interesim të madh të dibranëve për vendet turistike të Shqipërisë, në vendkalimin kufitar Bllatë, në afërsi të Dibrës, sidomos gjatë vikendeve, ka një rritje të pasagjerëve dhe automjeteve. Kur jemi tek udhëtimi për në Shqipëri, duhet theksuar se kohëve të fundit, disa nga kompanitë për transport të udhëtarëve nga Dibra e Madhe, kanë shprehur interesim për të vendosur një linjë të rregullt mes dy Dibrave. Pronarët e kompanive dibrane për transport të udhëtarëve thonë se tani kur ka një frekuentim të madh të banorëve të të dy Dibrave, do të ishte efektive që të vendoset një linjë e rregullt mes Dibrës dhe Peshkopisë. Vizitat janë edhe anasjelltas – shtetas shqiptarë nga Peshkopia për çdo ditë shihen në Dibrën e Madhe, ose për tregti, ose për punë tjera të përditshme. (koha.mk)