Në dekadat e fundit u rrënuan shtëpitë e njohura të ndërtuara madje që gjatë Perandorisë Osmane siç ishte shtëpia e familjeve Disha, Grazhdani, Haxhialili, e tjerë. Bëhet fjalë për shtëpi, të cilët me të vërtet kanë merituar të mbeten edhe sot me qëllim që Dibra të mos i humb tiparet e një qyteti tradicional të vjetër
Vjollca SADIKU
Dibër, 10 shkurt – Qyteti i Dibrës dekadave të fundit është duke humbur objektet të vjetra banesore, respektivisht shtëpitë qytetare tipike për Dibrën. Me rrënimin e këtyre objekteve që Dibrës gjithmonë i kanë dhënë pamjen e saj tradicionale dhe epitetin urban – edhe atë shekuj me rrallë, qyteti po merr një pamje tjetër. Dibra përmendet qysh në shekullin e pestë para erës sonë. Gjatë shekujve, gjithmonë ka patur epitetin të qytetërimit dhe gjatë Perandorisë Osmane, Dibra ka patur shumë objekte tradicionale të cilët sot më nuk ekzistojnë. Politika jo korrekte urbane ndaj qytetit faktikisht rrënoi shtëpitë më të bukura tipike qytetare, të cilat sot i ka Prizreni, Shkodra, Gjakova, por jo edhe Dibra.
Në dekadat e fundit u rrënuan shtëpitë e njohura të ndërtuara madje që gjatë Perandorisë Osmane siç ishte shtëpia e familjeve Disha, Grazhdani, Haxhialili ,e tjerë. Bëhet fjalë për shtëpi, të cilët me të vërtet kanë merituar të mbeten edhe sot me qëllim që Dibra të mos i humb tiparet e një qyteti tradicional të vjetër. Edhe pse këto shtëpi kanë qenë të mbrojtura me Ligj nga ana e Entit për mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike në vend, sot më nuk ekzistojnë. Në vendin ku gjendej shtëpia e familjes Disha faktikisht është duke u ndërtuar një objekt i madh i banesave kolektive. Shtëpitë e familjeve Haxhialili dhe Grazhdani u rrënuan pak kohë më parë. Në shtëpitë në fjalë dominonin elementet tipike dibrane. Por, gjatë rrënimit – faktikisht nuk u mbrojtën as punimet e dorës në tavanet e bukura të punuara me gdhendje druri. Është një pasuri e humbur e Dibrës, e cila nuk mund të kthehet më.
Dikur ishin realizuar projekte të ndryshme për mbrojtjen e shtëpive në fjalë, por projektet në pjesën më të madhe të tyre nuk u realizuan. Me një aktivitet të pushtetit vendor, thotë arkitekti Gazmend Cami, u sanua dhe u bë rekonstruimi i shtëpisë së familjes Sela. Është një shtëpi e cila gjendet në lagjen e vjetër të qytetit dhe për fat të mirë, si e tillë sot vizitohet nga dibranët, por edhe nga turistët. Nga ana tjetër, me angazhimin familjar – për fat të mirë mbeti e pa rrënuar dhe është në një gjendje shumë të mirë shtëpia edhe e familjes Erebara. Kjo shtëpi mbetet një thesar i trashëgimisë kulturore dibrane edhe atë vetëm duke ardhur në shprehje angazhimi i vet familjes në fjalë. Në këtë shtëpi gjendet edhe tavani i gdhendur me dru, i cili sot gjendet në kartëmonedhën 100 denarëshe të vendit tonë.
Ky tavan që është punuar nga mjeshtrit e njohur dibran, dhe sipas anëtarëve të familjes Eerebra, në asnjë moment nuk është mirëmbajtur nga institucionet përkatëse shtetërore. Familja Erebara thotë se shtëpia e bukur e tyre mirëmbahet vetëm nga fondet e vet familjes. Kjo shtëpi gjendet në rrugën qendrore të Dibrës, ndërsa vizitohet nga shumë vizitorë të vendit dhe të jashtëm.
Pushteti vendor dhe dibranët në përgjithësi mburren me këto dy shtëpi të vjetra qytetare, të cilët faktikisht flasin për traditat e banimit, dhe historinë e qytetit. Duke marrë parasysh argumentin se Dibra si qytet i lashtë me një histori të pasur kombëtare, ka rolin e vet në trojet shqiptare, bëhen tentime nga institucionet lokale që të mos rrënohen këto dy shtëpi të mbetura, por edhe objektet të tjera me domethënie të gjerë kulturo-historike. Për fat të keq, përvojat flasin se Dibra e shtatë minareve, teqeve të shumta dhe hamameve, sot më nuk i ka shumë objekte të cilët kishin një domethënie të madhe. Politikat e vazhdueshme antikombëtare “zhveshën” Dibrën nga monumentet që flisnin për Dibrën dhe dibranët. (koha.mk)