Dibra “vuan” për semaforë

13

Në një komunikacion frekuentues sigurisht se qyteti shumë vite me radhë ka nevojë për semaforë ose ndërtimin të rrethrrotullimeve brenda tij. Rrethrrotullimet, të cilat janë ndërtuar në hyrje të qytetit janë efikase, por të tilla duhet të ndërtohen edhe në qytet meqë siguria në komunikacion nuk është në nivelin e duhur

Vjollca SADIKU

Dibër, 16 janar – Qyteti i Dibrës për shkak të numrit të madh të automjeteve, vazhdon të ketë probleme në sferën e komunikacionit. Ndoshta dekada më parë, rrugët kanë qenë të mjaftueshme për një komunikacion, i cili nuk ka qenë i rënduar, por tani kur pothuasje çdo familje e dytë ka automjetet e veta, në sferën e komunikacionit kërkohen reforma lokale.

Në një komunikacion frekuentues sigurisht se qyteti shumë vite me radhë ka nevojë për semaforë ose ndërtimin të rrethrrotullimeve brenda tij. Rrethrrotullimet, të cilat janë ndërtuar në hyrje të qytetit janë efikase, por të tilla duhet të ndërtohen edhe në qytet meqë siguria në komunikacion nuk është në nivelin e duhur. Këtë e thekson nënkryetari i Komisionit komunal për rregullimin e komunikacionit në Komunën e Dibrës, Abyl Koleci, përndryshe ekspert i njohur në sferën e komunikacionit. Ai thotë se Dibra tani ka një frekuencë të madhe të automjeteve dhe ndodh shpeshherë që për shkak të mungesës së parkingjeve, të ndodhin probleme të ndryshme. Koleci shton se problemi i parkingut, semaforëve dhe rrethrrotullimeve është një shqetësim për institucionet kompetente në nivel lokal, por edhe për pjesëmarrësit në komunikacion. “Po ashtu, problem në sferën e komunikacionit janë edhe mungesa e shenjave vertikale në vendet adekuate. Ne si Komision kemi shqyrtuar shumë herë këtë problematikë dhe kemi sugjeruar se para vendosjes së shenjave vertikale, të ketë një ekspertizë profesionale në këtë drejtim. Gjithashtu ka nevojë që rregullisht të riparohen shenjat horizontale në pjesët ku frekuenca e qytetarëve është e theksuar”, tregon Koleci.

Të theksojmë se sipas udhëtarëve, por edhe sipas pronarëve të automjeteve, pikat problematike në qytetin e Dibrës sa i përket komunikacionit është pjesa tek udhëkryqi tek Posta e Qytetit dhe Gjykata Themelore, tek udhëkryqi i Spitalit të Përgjithshëm, dhe pika që lidhet me rrugën rajonale për në vendkalimin kufitar Bllatë. Të dhënat zyrtare të numrit të aksidenteve në komunikacion tregojnë se numri më i madh i tyre ndodhin pikërisht në tre kryqëzimet e lartpërmendura. Në kryqëzimin tek Posta dhe Gjykata pothuajse për çdo parkohen automjete e që nuk guxojnë ta bëjnë, pasi pengohet siguria në komunikacion. Eksperti në sferën e komunikacionit, Abdyl Koleci, thotë se Dibrës i duhet edhe një karrotrec meqë parkimi i automjeteve sidomos kur në qytet ka edhe një frekuentim të madh të automjeteve të mërgimtarëve gjatë muajve të verës, parkimi shpeshherë bëhet i gabuar, por ndodh edhe meqë për parkim nuk paguhen para nga veturat e prishura që “flenë” nëpër rrugët e qytetit. “Është një masë që duam apo s’duam, duhet të përdoret në Dibër”, thotë Koleci. (koha.mk)

 

Comments are closed.