Duka informoi edhe për aktivitete që bëhen në lidhje me kthimin nga Dibra për në Suedi, Zvicër dhe Shqipëri të shtetasve në fjalë të cilët ishin në izolim dy javët e kaluara. Pritet që këta turistë të kthehen në përputhje me kërkesat e ambasadave të shteteve amë
Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 30 mars – Në këto momente janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet me qëllim që t’ju mundësohet plasmani i qengjave të blegtorëve dibran, të cilët kanë kontrata për shitjen e të njëjtëve. Ky aktivitet do të kryhet deri në fund të javës, ka theksuar kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili është edhe shef i Shtabit operativ. Problemi në fjalë do të tejkalohet ashtu siç u tejkalua problemi me plasmanin e qumështit të lopës, tha Duka. Përndryshe sipas kryetarit të shoqatës së blegtorëve dibran “Dashi”, Skënder Ame, në Dibër kanë mbetur për plasman 8 mijë qengja.
Në pres konferencën që u mbajt pas mbledhjes të Shtabit operativ, kryetari Duka informoi edhe për aktivitete që bëhen në lidhje me kthimin nga Dibra për në Suedi, Zvicër dhe Shqipëri të shtetasve në fjalë të cilët ishin në izolim dy javët e kaluara. Pritet që këta turistë të kthehen në përputhje me kërkesat e ambasadave të shteteve amë.
“Sa i takon orës policore, kryesisht ajo respektohet. Pati vetëm një rast i cili pastaj u penalizua nga ana e policisë”, tha Duka. Sipas Shtabit operativ, në Komunën e Dibrës vazhdojnë të arrijnë ndihma humanitare. Pikërisht për këtë çështje pasdite Shtabi do të ketë takim me përfaqësuesit e shoqatave joqeveritare të cilët me marrëveshje me Komunën e Dibrës, ndajnë ndihmat humanitare. Kryetari Duka tha se në këtë takim do të bisedohet rreth mënyrës së ndarjes së ndihmave humanitare edhe atë me një listë të përbashkët, me qëllim që të bëhet kontrolli objektiv i ndarjes së ndihmave. Përndryshe, udhëheqësi i Shtabit operativ sërish apeloi tek dibranët që të vazhdojnë të respektojnë tërësisht masat Qeveritare dhe orën policore. Sektori për punë të brendshme në Ohër që mbulon komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, informoi se gjendja e sigurisë në dy komunat është stabile dhe e qetë. (koha.mk)