Dibërm, 18 maj – Situata epidemiologjike në Komunën e Dibrës është stabile. Më shumë se një muaj nuk është regjistruar rast i ri me koronavirus. Këtë e theksoi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili potencoi se aktualisht, për shkak të përfundimit të izolimit në objektet shtetërore, pasi kanë ardhur nga bota e jashtme në Dibër, kanë filluar izolimin shtëpiak 14 persona. Edhe situata e sigurisë po ashtu është stabile. Gjatë ditëve të kaluara u regjistrua në zjarr në fshatin Kosovrast i Epërm ku u dogjën objekte dhe bagëti.
Në pres konferencë, Duka informoi se Shtabi i krizës në seancën e fundit ka informuar se për shkak të rritjes të përdorimit të ujit, ka filluar restrikcioni i furnizimit me ujë në Dibër. Duka tha se ndërmarrja komunale, e cila menaxhon me ujësjellësin “Standardi” ka vendosur katër orë restrikcion edhe atë prej orës 13 deri në ora 17 të ditës. “Duke marrë parasysh këtë problem, ne si pushtet vendor kemi ndërmarr të gjitha aktivitetet për realizimin e një projekti për të stabilizuar situatën me furnizimin me ujë”, tha ai, ndërsa apeloi tek qytetarët të paguajnë faturat për ujë dhe mbeturina meqë ndërmarrja “Standard” gjendet në një situatë të palakmueshme financiare dhe në pikëpyetje janë edhe pagesat e rrogave të punëtorëve.
Kryetari i Dibrës informoi edhe për vazhdimin e ardhjes të ndihmave humanitare. Ai falënderoi donatorin e ndihmave humanitare – mërgimtarin nga këto troje, Munir Shemshi. Po ashtu Duka tha se masat e reja qeveritare duhet të respektohen tërësisht meqë ata janë në interes të mbrojtjes të shëndetit të popullatës (V.S)