Delvina KËRLUKU
Sabit Bocku i lindur në shkurt të vitit1942 në Dibër, shkollën fillore e tetëvjeçare e kreu në vendlindje, në Dibër. Në vitin 1959/60 u regjistrua në shkollën e mesme Normale ” Zef Lush Marku ” në Shkup. Pasi e mbaroi Normalen, diplomoi në korrik të vitit 1963. Në shtator po të atij viti u punësua si mësues në fshatin Çegran të Gostivarit, ku edhe punoi një vit e tre muaj. Në vitin 1966 kthehet në Dibër dhe punësohet si mësues në fshatin Spas. Në vitin 1974 u regjistrua në Akademinë Pedagogjike të Artit Figurativ – drejtimi i pikturës. Më pastaj kalon nga shkolla periferike, në shkollën qendrore “Liman Kaba” të fshati Sollokiç. Në vitin 1979 punësohet në shkollën tetëvjeçare “Bashkim Vëllazërim”, po ashtu edhe në shkollën e mesme ” Zdravko Çoçkovski“. Gjatë kësaj periudhe ka botuar dy libra: “Arkitektura karakteristike dhe veshja popullore e Dibrës të Madhe” dhe “Oraniku – Sheri i Dibrës, toponimet dhe mikrotoponimet”. Si arsimtar i artit figurativ vazhdon punën deri më vitin 2005. Në shtator po të këtij viti u pensionua. Ai thotë: “Tani jam në pension, por pikturën nuk e lë kurrë”.
KOHA: Çdo njeri ka historinë e vet personale dhe rrugën e vet drejt arritjeve. Cila është historia Juaj në rrugëtimin e botës së artit?
BOCKU: Shkollën fillore tetëvjeçare e mbarova në Dibër. Qysh kur isha i vogël më ka shkuar për qejfi lënda e vizatimit. Më kujtohet në klasën e katërt, në fillore, në kapakët e fletoreve vizatoja fruta, shtëpi, pemë, zogj dhe kafshë. Ne tetëvjeçare si arsimtar i artit figurativ, kam pasur Zhivko Sarevskin. Si fëmijë një rast më ka lënë mbresë që e kujtoj edhe sot e kësaj dite. Para shtëpisë sime në lagjen Dormallë kishte një derë të madhe të punuar me dërrasa plepi që si material është i butë, sidomos për të vizatuar. Unë, si fëmijë, ndoshta kam qenë në klasën e gjashtë, aty e vizatova një figurë nga mitologjia greke, Herkulesin, që më herët e kisha pa në kinema. Ai ishte njeri i fortë, me muskulaturë të zhvilluar, me kraharor të gjerë dhe mbi të gjitha trim. Në moment kur kam qenë duke vizatuar kalon një patrullë policore. Njëri prej tyre ishte shqiptar, kaluan dy tre hapa, larg derës, mandej njëri u kthye mbrapa e më tha: “ çfarë bën aty ”. Ia mbaj mend emrin policit, që tani është i ndjerë. Iu përgjigja, dukë i thënë se vizatoj. Ai me inat ma ktheu: largohu prej këtu se do tët çoj në stacionin policor. Megjithatë, unë iu përgjigja përsëri se nuk jam duke bërë gjë të keqe – vizatoj. Në vitin 1959/60 u regjistrova në shkollën normale “ Zef Lush Marku”, në Shkup. Profesor të vizatimit e kam pasur Spase Kunovskin – i ndjerë tani. Në korrik të vitit 1963 diplomova. Në shtator po të atij viti u punësova si mësues në fshatin Çegran të Gostivarit. Më pastaj, në vitin 1966, në shkollën periferike në fshatin Spas, që ishte nën Shkollën qendrore “Liman Kaba”, në fshatin Sollokiç. Në vitin 1975 kalova në Shkollën qendrore “ Liman Kaba”, pasi e mbarova akademinë pedagogjike, dega e artit figurative, në klasën e profesor Rexhep Ferrit – dega pikturës. Këtu me rastin e patronatit të shkollës tetëvjeçare, hapa ekspozitën e parë me punimet e mia. Në vitin 1979 u punësova në Shkollën tetëvjeçare “Bashkim Vëllazërim “ në Dibër, po ashtu edhe ne shkollën e mesme “ Zdravko Çoçkovski”, në Dibër. Në gjimnazin e Dibrës punova deri më vitin 1994. Për herë të parë hapa ekspozitë personale të artit figurative në qytetin e Dibrës. Mandej, në bashkëpunim me drejtorin e atëhershëm, Lutfi Marku, andej kah viti 1983/84, unë formova një koloni të piktorëve që kishin talent. Kolonia vazhdoi disa vite dhe pastaj u shua.
KOHA: Z.Bocku, sikur nuk kanë kaluar gjithë këto vite të rrugëtimit kombëtar. Sepse, Ju na e bëni më të freskët historinë e popullit tonë, duke pikturuar figurat tona kombëtare. Pse pikërisht jeni ndalur në histori. Mos vallë “luftoni” padrejtësitë e bëra ndaj historisë sonë kombëtare?
BOCKU: Pikërisht jam ndaluar në këtë drejtim, se shqiptarët janë i vetmi komb që është i vuajtur, i torturuar, i asimiluar, prandaj jam ndaluar në këtë fushë, duke paraqitur personazhe të ndryshme, që kanë luftuar për të drejtat e kombit tonë. Së pari, do të nisem nga lashtësia. Ne si popull jemi më të vjetër në Gadishullin Ballkanik. Fillojmë nga Pellazgët që pasardhësit e tyre janë Ilirët. Një pjesë të historisë së tyre e përvetësojnë grekët. Këtë që e them, e kanë thënë edhe shumë shkencëtarë, arkeologë, linguistë e shumë të tjerë që janë marrë me çështjen e Pellazgëve. Ata bazohen në fakte shkencore që kanë lenë gjurmë gjatë periudhave të ndryshme, duke filluar nga toponimet, emrat, ndërtimet e objekteve me mure të trasha dhe gurë të mëdhenj, punuar thatë pa llaç ( mallter), që sot e kësaj dite ato ekzistojnë dhe quhen mure pellazgjike. Pasardhësit e tyre janë Ilirët të përhapur në terë gadishullin Ballkanik. Pastaj i tërë territori Ilir bie nën sundimin e Perandorisë Romake, edhe pse në sundimin Romak emri Ilir përdoret ILIRAIA. Një nga perandorët e kësaj perandorie ka qenë me prejardhje Ilire ( DIOKLECIANI). Ekziston pallati i tij DIOKLECIANIT në Split të Kroacisë.
Perandoria Romake në fund të shekullit të III pas Krishtit ndahet dhe formohet edhe Perandoria Bizantine. Si perandor vjen Kostandini i Madh, kurse qendra e kësaj perandorie vendoset në Kostandinopol (Stambolli i sotëm). Gjatë kësaj periudhe 1000 vjeçare shumë fise Ilire u asimiluan. Edhe pse Justiniani andej kah fundi i shekullit të V në asnjë mënyrë nuk lejon që sllavët e ardhur nga Karpatet ta kalojnë lumin Danub, pas vdekjes të tij ata filluan të depërtojnë në jug dhe andej në fund të shekullit të VI pas Krishtit e mbuluan Gadishullin Ballkanik. Me ardhjen e tyre, filluan të asimilojnë vendasit, t’i ndryshojnë emrat e vendeve, lumenjve, maleve dhe u zëvendësua me emra sllave. Sllavët erdhën si paganë, por më vonë, nga shekulli i VIII, kalojnë në kristianizëm – ortodoks. Një pjesë e banorëve të Gadishullit Ballkanik, sidomos pjesa veriore, i kanë takuar besimit katolik, kurse pjesa jugore asaj ortodokse. Me ardhjen – pushtimin e perandorisë osmane, Gadishullit Ballkanik, shumë fise Ilire filluan të kalonin në besimin islam. Sipas autorëve të mesjetës, emri Ilir filloi të zbehet dhe zëvendësohet me termin Arbër. Pjesa jug perëndimore e Gadishullit Ballkanik është quajtur Arbëri. Marin Barleti në veprën që ka shkruar mbi jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar. Jeta e Arbërisë në sundimin e Perandorisë Osmane qe mjaft e vështirë. Në sundimi e pesë shekujve e gjysmë, ishim më të diskriminuar, të torturuar. Pjesa dërmuese e popullatës pranoi fenë islame. Popujve tjerë tjera në Gadishullin Ballkanik iu mundësa hapja e shkollave në gjuhën e tyre, kurse për shqiptarët ishte e ndaluar shkolla, mësimi në gjuhën amtare. Kushtet e vështira, taksat e rënda, shërbimi ushtarak me vite të tëra, e detyruan popullin të ngrihej në kryengritje për të drejtat e tyre. Duke filluar nga Lidhja e Prizrenit, ku organizator i parë qe Abdyl Frashëri, ndërkaq kryetar i Lidhjes së Prizrenit Iljaz Pash Dibra – Qoku. Kryengritjen e udhëheqin shumë patriotë, si Isa Boletini, Bajram Curi, Elez Jusufi, Idriz Seferi etj. Shumë patriotë luftuan me pushkë dhe me pendë për çështjen kombëtare, si Hasan Prishtina, Mihaill Grameno, Çerçiz Topulli dhe Ismail Qemali, i cili shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 1912. Por, uzurpatorët fqinj dhe grabitqarët, me ndihmën e fuqive të mëdha, në atë kohë i shkëputën pjesën më te madhe të tokave shqiptare dhe i ndanë një pjesë Malit të Zi, një pjesë Serbisë dhe një pjesë Greqia. Tani nga një sundim pesë shekullor, gjysma e popullit dhe trojet shqiptare ranë në një sundim më të egër, shfarosës dhe asimilues. Greqia shoviniste arvanitasit, një pjesë të besimit musliman i vrau dhe një pjesë i shpërnguli për në Turqi. Kurse arvanitët ortodoks i asimiloi dhe gjuhën shqipe ua ndaloi. Qëllimi kryesor në tablotë e mia është të lë gjurmë e të mos harrohet e kaluara, gjeneratat e reja të njoftohen më të kaluarën tonë.
KOHA: Shqiptarët kanë një identitet të qartë, i cili krijon siguri, krenari dhe nuk e komplekson popullin tonë ndaj popujve të tjerë. Sa ju bën krenar kjo dhe cila është historia e paraardhësve tuaj?
BOCKU: Në pyetjen e dytë, për këtë fola gjerë e gjatë, ne shqiptarët si popull më i vjetër në Ballkan e di gjithë bota mbarë, se jemi pasardhësit e Ilirëve, identitet i vulosur në mënyrë shkencore nga shumë shkencëtarë, arkeologë dhe linguistë. Shumë shkrime të lashta gjuhëtare, arkeologë i zbërthejnë nëpërmjet gjuhës shqipe p.sh. arkeologjia dhe historiania me prejardhje shqiptare Nermine Vlora – Falaski, shumë shkrime në pllakat e mermerit apo argjilit të pjekur të zbuluar nga Etruskët, domethënien e tyre e zbërthente vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe. Të marrim Iliadën e Homerit që i këndon luftës së Trojës, e shkruar në greqishten e vjetër. Aty mund të shohim se 30 për qind ka fjalë të gjuhës shqipe. Kjo të jep të kuptosh se jemi popull shumë i vjetër dhe me identitet të pa kontestueshëm.
KOHA: Maqedonia është në fazën e një reforme të thellë për të ngritur nivelin e institucioneve kulturore në nivelin e kërkesave të menaxhimit evropian të monumenteve, muzeve dhe projekteve të zhvillimit kulturor. Ne, nuk duhet të kursejmë asgjë për forcimin e institucioneve tona të kulturës ( kombëtare) shqiptare, për nxitjen e talenteve të reja dhe zhvillimin e burimeve kulturore. Në fakt, si qëndrojmë në këtë sferë?
BOCKU: Reformat nuk erdhën vetvetiu, inteligjenca dhe mbarë populli shqiptar në Republikën e Maqedonisë me këmbëngulje kërkuan të reformohen ‘aparatet’ shtetërore. Është më se e vërtetë se edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë pasur ndikim. Tani faktori politik shqiptar duhet me fakte dhe argumente të ndikojë në zhvillimin e institucioneve të kulturës të kombit shqiptar, t’i kundërvihet ” ENCIKLOPEDISË ” së popullit maqedonas, ku janë paraqitur fakte të shtrembëruara, pa argumente shkencore, në mënyrë tendencioze ta nënvlerësojnë kombin më të vjetër ne Gadishullin Ballkanik. Na paraqesin si ardhacakë, çështë e vërteta, ata vetë jenë ardhacakët në këtë rast. Ata “historianë” nga themelet e ledheve të huaja marrin gurët dhe duan të ndërtojnë vatan. Kjo është si ajo loja e fëmijëve, nga brollet e misrit ngrenin kulla deri në një lartësi dhe në moment kur vendoseshin trarët e pullazit, kulla rrëzohej, pra… ?! Sa i përket arsimit në gjuhën shqipe, ka një thënie: “Arsimi i shëndoshë, kombi i ditur”. Kam edhe një vërejtje për faktorin politik shqiptar, sidomos atij dibran. Dibra në tërësi si krahinë, një ndër me te njohurat në Ballkan, që nga mesjeta deri në Luftën e Dytë Botërore, sot është i vetmi qytet pa muze. Ky është një turp i madh për ne dibranët. Në një ligjëratë të mbajtur në Pallatin e kulturës, në vitin 1995, profesori i ndjerë Skënder Rizaj thoshte : ” Për të lexuar ngjarjet që kanë ndodhur në Dibër gjatë shekujve të kaluar, në qendrat e metrolopeve si Stambolli, Roma, Raguza, Vjena, Londra dhe Parisi, duhet të lexosh mbi gjashte muaj dokumente, shkrime etj”. Sa i përket talenteve në përgjithësi te ne shqiptarët ka mjaftë, por duhet të krijohen kushtet. Në këtë drejtim ka disa shkaqe që mungojnë : E para dhe e vetmja faktori politik shqiptar fle. Ai duhet rininë ta nxisë dhe ta stimulojë, veçmas talentet e reja. Qoftë ministër apo zëvendës, të mos rrinë duarkryq dhe me gojë të mbyllur në dikasteret e tyre, të jenë persona që e duan artin dhe kulturën. S’është mirë të udhëheqin ato resore që s’ka lidhje me vendin e punës dhe të vendoset vetëm pse është partizan i partisë. Por edhe rinia, studentët, artistët, t’i lënë kafenetë se do të na shkel rrota e historisë, atëherë do të jetë shumë vonë. Pra, fajin e kemi vetë ne!
KOHA: Përmes Etnokulturës dhe gjuhës tonë është ruajtur dhe forcuar më shumë se çdo gjë tjetër identiteti kombëtar. Ndërsa, përmes pikturave tuaja është ruajtur historia dhe tradita dibrane. Ta mbash gjallë traditën dhe historinë është vlerë?
BOCKU: Elementi kryesor që dallohet nga kombet tjera është GJUHA, zakonet, tradita, veshjet që identifikohesh si komb. Edhe unë në pikturat e mia veshjen kombëtare e kam paraqitur afro 75 për qind. Është me rëndësi që brezat e ardhshme jo vetëm ta dinë, por edhe ta shohin si e ka të kaluarën kombi shqiptar. Sot ajo ndryshon, nuk përdoren në veshjet e përditshme përveç koncerteve festive – vallet popullore etj. Unë them se kjo pasuri duhet të ruhet me fanatizëm në muzetë tona.
KOHA: Z. Bocku, keni promovuar punën tuaj përmes ekspozitave individuale dhe kolektive. Na tregoni më gjerësisht mbi ekspozitat dhe ku kanë shëtitur pikturat tuaja?
BOCKU: Për periudhën mbi 40 vjeçare kam pasur mjaft ekspozita vetjake, mund të them mbi 25 ekspozita, më shumë në qytetin e Dibrës, por edhe në qytetet tjera të Maqedonisë, sidomos në atë perëndimore dhe dy ekspozita në qytetin e Peshkopisë, në Republikën e Shqipërisë. Me ekspozita kolektive kam marrë pjesë në Shkup, Gostivar, Tetovë etj . Me punimet e mia kam pasur sukses, ku edhe më kanë vlerësuar me diploma, mirënjohje, të cilat i ruaj në bibliotekën time. Jam marrë një kohë edhe me skenografi. Në vitin 1979 grupi i dramës përgariti ” NITËN ” e Josip Relës. Për një periudhë dy dekadash bëra mbi 23 skena të dramave që jenë shfaqur në Pallatin e kulturës në Dibër, madje edhe në Tetovë, Gostivar, në Koçan, në Prizren. Këtu drama “Nita” u vlerësua si për interpretimin e aktorëve, po ashtu edhe për skenografi na ndanë çmim të posaçëm dhe diploma.
KOHA: Shumë dekada u përkushtuat në mësimdhënie. Mund të na tregoni barrierat e arsimit, por edhe atë si student dhe mësimdhënës?
BOCKU: Çdo punë ka edhe peripecitë e veta. Gjithmonë lëmuar nuk shkon, puna në arsim është specifike, por humane. Së pari duhet ta respektosh punën, sidomos ne arsim. Ke punë me qenie njerëzore – fëmijët duhet t’i përgatisësh për ardhmërinë. Arsimtari duhet të përgatitë planin vjetor, mujor, javor edhe ditor. Arsimtari është i detyruar që nxënësit në orën e mësimit të jenë të kompletuar me mjete që të zhvillohet normalish mësimi dhe detyrat e dhëna të kontrollohen, mandej zhvillon njësinë e re metodike. Si studentë, t’ua them realitetin, gjithmonë shkoja në provim i pergatitur. Studimet i mbarova ne afatin e caktuar.
KOHA: Nëse kthehemi në lagjen tuaj të fëmijërisë, çfarë kujtoni dhe çfarë nostalgji keni për atë botë?
BOCKU: Me thënë të drejtën, kushtet e atëhershme me këto të sodit kanë ndryshime të mëdha. Jeta në atë kohë ishte e varfër. Me shokët kur luanim, të themi futboll, topin e bënim prej leckash të futur në një çorap grash dhe i jepnim formën e rrumbullakët, luanim “vara” që kishin formën e katërkëndëshit me plloça ( pllakë e rrafshët prej guri), luanim symbyllas, “bilembil”, “peç”, “pushkaria” etj. Atëherë nuk dinim çështë radio, për televizor as që kishim dëgjuar. Kurse sot, fëmijët shohin televizor, dinë ta përdorin kompjuterin, internetin etj. Fëmija 3 – 4 vjeçar di ta përdorë celularin, me ta mund të flasësh në të katërt anët e botës. Zhvillimi teknik është në kulm.
KOHA: Populli thotë se arti është dhunti e Zotit, që ia ka falë njeriut. Përveçse Ju e posedoni këtë dhunti, a është trashëguar edhe te djali. A është një ëndërr e juaj që të kalojë tek pasardhësit e tuaj arti?
BOCKU: Populli thotë, por edhe shkenca – Zoti , natyra i fal 1 për qind talent njeriut. Edisoni shkencëtar thotë: 99 për qind duhet punë që ta zhvillon talentin. Unë si piktor, djalin Dritanin, e përgatita dhe e orientova ta studiojë artin figurative – drejtimi i pikturës. Ai tani punon si profesor i artit figurativ në shkollën nëntevjeçare “Bashkim Vellazerim”, por edhe mbesa ime Lorena e adhuron pikturën, ku edhe shumë piktura të klasës së parë i ruaj si kujtim.
KOHA: Arti luan një rol të veçantë në zhvillimet kulturore. Sa jeni vlerësuar për punën tuaj shumëvjeçare nga vendi juaj?
BOCKU: Arti në përgjithësi dhe arti figurativ në veçanti, është baza e një kulture të një kombi, që lë gjurmë të pashlyeshme, qoftë arkitektura, piktura, skulptura, muzika dhe filmi, janë vepra të pazëvendësueshme. Sa i përket vlerësimit të punës time, e hapi fletoren me përshtypje për pikturat ku edhe i kam ekspozuar… Shumë artdashës më kanë lënë shënimet e tyre, përshtypjet, ku edhe shpesh i lexoj dhe më rikthejnë në një kohë të qenë. Një shënim apo përshtypje e lënë, ka qenë dhe është vlerë. Aq më shumë, kur më zgjasin dorën njerëzit për punën që kam bërë dhe ata që afrohen të dinë e ta transmetojnë te publiku, për kontributin tim, pra mediat.
KOHA: Kurbeti, plagë e kamotshme. Sa ka lëshuar rrënjë në vatrën tuaj dhe sa ndikon në vendlindje, duke pasur parasysh se artisti kërkon publik?
BOCKU: Sa i përket kurbetit, ballkanasit në përgjithësi e kenë pasur si traditë, në veçanti shqiptarët – dibranët. Më parë ata kenë shkuar të punojnë në kurbet – gjinia mashkullore. Sa i përket trevës së Dibrës , ata si kurbetçinj më së shumti shkonin në Stamboll, Selanik dhe më vonë në vendet e tjera të Greqisë, që ishte në sundimin e Perandorisë Osmane. Dibranët kanë qenë të njohur në tërë ballkanin si muratorë, drugdhendës, bojaxhi dhe zbukurime të enterierit të banesave, etj. Kurse në stinën e pranverës kanë shkuar në kurbet, kanë punuar 5 – 6 muaj, në vjeshtë janë kthyer te familjet e tyre. Kurse tani, sidomos viteve të fundit, dibranet jenë shpërndarë në shumë shtete të Evropës perëndimore me terë familjen. Por, plaga më e madhe është ajo në SHBA – atje më nuk quhet kurbet, kane formuar familjet e tyre, kanë shtëpi, dyqane, biznese – kompani, kanë formuar kapitale, pasuri të patundshme me kushtet të mira jetese, shumica e tyre nuk kthehen më kurrë në vendlindje. Unë kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, Antigonën, e cila gjendet në Zvicër me burrin dhe dy fëmijët. Kurse djali i madh Blerimi, është në SHBA, i martuar dhe ka tre djem. Edhe pse është aq larg, të them realitetin, s’ka ditë që të mos na paraqitet në telefon. Kurse djali tjetër Dritani është i martuar dhe ka tre fëmijë dhe siç thash punon profesor i artit figurativ në shkollën nëntëvjeçare në Dibër.