Kryetari i shoqatës Atdhetare “Dibra”, Dashnor Miftari, informoi se virusi i rrezikshëm dëmtoi shumë biznese të pronarëve dibran që i kanë në SHBA. Pjesa më e madhe e biznesmenëve, të cilët kryesisht merren me ndërtimtari dhe gastronomi, thotë ai, kanë dëme të dukshme. E njëjta situatë paraqitet edhe tek biznesi dibran në vendet e Evropës. Kjo do të thotë se këtë vit, do të ulen ndjeshëm të ardhurat e mërgimtarëve për familjet e tyre në Dibër
Vjollca SADIKU
Dibër, 23 maj – Virusi Covid-19 ka goditur pjesën dërmuese të biznesmenëve dibran edhe në SHBA. Është një problem mbar amerikan në të cilin dëme kanë edhe biznesmenët shqiptarë, respektivisht biznesmenët nga Dibra. Këtë e pohon udhëheqësia e shoqatës Atdhetare “Dibra”. Analizat që ka bë kjo shoqatë thonë se mbi 70 për qind e biznesmenëve janë goditur drejtpërdrejt dhe kanë pësuar humbje të mëdha, kurse pjesa tjetër më e vogël ka dëme indirekte dhe pasoja më të vogla.
Kryetari i shoqatës Atdhetare “Dibra”, Dashnor Miftari, informoi se virusi i rrezikshëm dëmtoi shumë biznese të pronarëve dibran që i kanë në SHBA. Ai shtoi se pjesa më e madhe e biznesmenëve, të cilët kryesisht merren me ndërtimtari dhe gastronomi, kanë dëme të dukshme. Të dhënat e tyre tregojnë se më shumë se dy muaj bizneset e tyre nuk funksionojnë dhe ata janë të detyruar ti paguajnë të punësuarit. Po ashtu, sipas tyre, biznesmenët thonë se nëse situata vazhdon me prezencën e koronavirusit, atëherë do të fillojnë edhe të reduktojnë numrin e të punësuarve. Por, duke marrë parasysh se dibranët janë të punësuar edhe në sfera të tjera, një pjesë e tyre ka mbetur edhe pa punë. Nga dita në ditë, thonë në shoqatën Atdhetare “Dibra”, ndiqet situata në fjalë dhe aktiviteteve që ndërmerr Shtëpia e Bardhë në lidhje me pandeminë.
Shpresat për tejkalimin e situatës janë prezent tek të gjithë dibranët që jetojnë në SHBA, kurse numri i tyre, sipas shoqatës në fjalë, është mbi 15 mijë. Ata kryesisht jetojnë në Nju Jork, Nju Xhersi, Arizonë dhe shumë shtete të tjera të SHBA-së. Situata me koronavirusin ka goditur edhe pronarët e firmave dibran që funksionojnë në Itali, Zvicër, Gjermani, Francë e tjerë. Shoqatat e mërgimtarëve dibran në shtetet e BE-së thonë se edhe në këto shtete të Europës bizneset në përgjithësi kanë humbje dhe normalisht humbje kanë edhe kompanitë e dibranëve. Sidomos humbje të mëdha kanë pronarët e kompanive në Itali, ato në rajonet e Venetos dhe Lombardisë, dy krahina të cilët kanë qenë të goditura nga koronavirusi. Një situatë e këtillë, sipas burimeve të lartpërmendura, do të ndikoj edhe në uljen e numrit të devizave që mërgimtarët tanë sjellin për të afërmit e tyre në Dibër. Meqë në Dibër vlerësohet se “Dibra frymon nga të ardhurat e mërgimtarëve”, atëherë mund të themi se humbjet që kanë bizneset e dibranëve në botë do të ndikojnë edhe në standardin e dibranëve në vendlindje. (koha.mk)