Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 8 prill – Tani më pesë ditë me rrallë në Komunën e Dibrës, e cila ka edhe statusin e qytetit të krizës, nuk ka të evidentuar të sëmurë nga koronavirusi. Këtë e theksoi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka në takimin me gazetarët në të cilin informoi se gjatë ditës së djeshme janë marrë edhe 13 teste, të cilët janë dërguar në institucionet të Shkupit për verifikim, shkruan gazeta KOHA. Domethënë, shtoi Duka, Dibra mbetet me 49 të sëmurë nga të cilët katër kanë ndërruar jetë dhe 16 pacientë u shëruan tërësisht pas dy analizave që kanë bërë. Aktualisht, siç tha Duka, 71 persona janë në izolim shtëpiak.
Pas takimit që pati Shtabi komunal operativ u konkludua se gjendja e sigurisë është e mirë përveç një vjedhje e rëndë që është bërë në fshatin më të madh të Dibrës – Mogorçë. Kryetari i Dibrës poashtu informoi se aktualisht filloi dezinfektimi i radhës i rrugëve, rrugicave, institucioneve publike, si dhe banesave kolektive. Ky aktivitet realizohet nga ndërmarrja komunale “Standardi” dhe njësia antizjarr Dezinfektimi bëhet me preparatet të standardeve të larta, tha Duka. Gjithashtu bëhet edhe larja me dezinfektues të rrugëve dhe rrugicave në qytet.
“Aktualisht janë ndërmarrë aktivitete dhe përgatitje për udhëtim në SHBA të shtetasve amerikan që janë nga Dibra me qëllim që ata të udhëtojnë tek familjet e tyre në Amerikë”, tha Duka dhe shtoi se ky aktivitet do të përfundojë shumë shpejt.
Duke apeluar tek dibranët që të respektojnë tërësisht orën policore që nga sot fillon në ora 16 dhe do të zgjas deri në ora 5 të mëngjesit, kryetari i Dibrës informoi qytetarët se do të ketë markete kujdestare dhe në shërbim të qytetarëve do të jenë vullnetarët të Kryqit të Kuq, të cilët mundësojnë blerjen dhe dërgimin e artikujve ushqimor deri tek porositësit, respektivisht familjeve dibrane. Ai po ashtu informoi se në Komunën e Dibrës nuk ka probleme me furnizimin me ushqime dhe mjete tjera. (koha.mk)