“Situata mbetet e njëjtë. Kemi deri tani 49 të prekur nga ky virus nga i cili patëm katër viktima, 16 u shëruan, kurse të tjerët janë në shërim dhe izolim shtëpiak. Numri i përgjithshëm i atyre që janë në izolim dhe vetizolim shtëpiak sot është 79”, tha Duka
Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 9 prill – Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, deklaroi se ka kërkuar nga Qeveria që të vendos çfarë statusi të ketë qyteti – të mbetet Komuna e Dibrës pas kalimit të afatit 30 ditor përsëri “situatë krize”, apo të hiqet si masë. “Më 11 prill skadon afati i 30 ditëve nga kur është shpallur situatë krize në Komunën e Dibrës për shkak të koronavirusit, prandaj kemi kërkuar që Qeveria dhe institucionet kompetente të na informojnë për vendimin e ardhshëm”, theksoi Duka dhe shtoi se kanë ngelë edhe dy ditë nga afati në fjalë. Ai po ashtu shtoi se zgjatja apo jo e situatës të krizës, nuk varet nga Shtabi i krizës në Dibër, por nga kompetentët qeveritar të cilët do të vlerësojnë situatën aktuale, shkruan gazeta KOHA. Duka po ashtu informoi se edhe më tej nuk ka persona të tjerë të infektuar nga koronavirusi, por shtoi se priten edhe rezultatet e 13 testeve të marra para disa ditëve. “Situata mbetet e njëjtë. Kemi deri tani 49 të prekur nga ky virus nga i cili patëm katër viktima, 16 u shëruan, kurse të tjerët janë në shërim dhe izolim shtëpiak. Numri i përgjithshëm i atyre që janë në izolim dhe vetizolim shtëpiak sot është 79”, tha Duka.
Ai informoi se me sukses po vazhdon dezinfektimi i dytë i rrugëve dhe rrugicave të qytetit, por edhe i fshatrave. Situata e sigurisë është e mirë, shtoi kryetari i Dibrës, i cili udhëheq edhe shtabin e krizës dhe ftoi qytetarët të respektojnë orarin e ri policor. Gjithashtu, në këtë pres konferencë Duka bëri apel tek të gjithë banorët e Dibrës që të bëjnë shlyerjen e faturave që kanë ndaj ndërmarrjes “Standarad”, pasi sqaroi se nëse nuk shlyejmë faturat – punëtorët e ndërmarrjes në fjalë ngelin pa rrogë mujore, gjë e cila s’është e arsyeshme. Bazuar në masat e dakorduara të Shtabit Operativ Komunal, pasdite në Dibër u bë dezinfektimi i dytë të hapësirave publike dhe qarkulluese, ndërtesave kolektive dhe objekteve të institucioneve. Si herën e kaluar, është bërë dezinfektimi i të gjitha hapësirave publike dhe qarkulluese, kontejnerëve dhe koshave të mbeturinave në të gjithë qytetin dhe vendbanimet.
“Përsëri, ne do t’i dezinfektojmë terrenet sportive dhe fushat, si dhe parkun në vendbanimin Venec, ku ka rekuizita për fëmijë. Ky aktivitet do të kryhet nga punonjësit tanë ndërsa dezinfektimin e shkallëve dhe ndërtesave kolektive dhe hyrjet punonjësit e Njësisë territoriale të zjarrfikësve”, deklaroi Omer Cami, shef i departamentit të higjienës komunale në Ndërmarrjen Publike Komunale “Standard”. Cami, i cili është pjesë e Shtabit Operativ, thotë se punonjësit komunal të Dibrës rregullisht i mbledhin mbeturinat dhe u bën thirrje qytetarëve që të jenë më të ndërgjegjshëm dhe t’i hedhin mbeturinat në vendet e përcaktuara për këtë.
Ai shton se për shkak të shiut dhe më pas edhe të borës, e cila ishte e pranishme në qytet, që nga mbrëmë, me ujë të pastër dhe mjete të përshtatshme, janë duke u larë rrugët kryesore dhe dytësore në qytet. Pas përfundimit të dezinfektimit të qytetit, do të vazhdojë dezinfektimi i vendbanimeve rurale. Me përmirësimin e kushteve të motit, në zonën e Mavrovës është duke u bërë dezinfektimi i hapësirave publike, fushave sportive dhe objekteve. Siç thonë nga Shtabi i Krizave të Komunës Mavrovë dhe Rostushë, më parë një aktivitet i tillë është realizuar në të gjitha vendbanimet në zonën e Rekës. (koha.mk)