Megjithëse energjia elektrike në Dibër u rikthye sot në orët e mëngjesit, por duke marrë parasysh situatën dhe dëmtimet e rrjetit, ka rreziqe që dëmtimet në rrjet të paraqiten përsëri. Pikërisht për këtë shkak – kryetarët të tre komunave, Hekuran Duka, Arjan Ibraim dhe Medat Kurtovski, dje janë takuar me qëllim menaxhimin sa më mirë të problemeve me defektet e shpeshta, sidomos gjatë dimrit
Vjollca SADIKU
Dibër, 11 janar – Komuna e Dibrës me komunat rurale në rajon, nga e diela e deri sot në mëngjes kanë qenë në terr të tërësishëm, pasi reshjet e mëdha të shiut kishin dëmtuar përcjellësit e energjisë elektrike. Në ndërkohë, Dibra vazhdon të ballafaqohet me problemin e ujit për pije për shkak se burimet në fshatin Rosok akoma janë të turbullta. Një situatë e këtillë ka shkaktuar pakënaqësi dhe huti tek dibranët, të cilët gjatë ditës së djeshme u ballafaquan me problemin e ngrohjes, por edhe me problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, shkruan gazeta KOHA.
Sipas përfaqësuesve të MEPSO-s, për shkak të shirave të rrëmbyeshme dhe borës, është dëmtuar rrjeti i rrymës elektrike në largpërçuesin 110 KV nga hidrocentrali i Vrutokut deri tek HC “Spile”, si dhe ai nga hidrocentrali “Glloboçicë” deri tek hidrocentrali “Spile” në Dibër. Kjo situatë ka shkaktuar probleme me furnizimin me rrymë elektrike dhe pa të kanë ngelë komuna Dibër, Qendër Zhupa dhe Mavrovë – Rostushe. Riparimet, sipas kryetarit të Dibrës, Hekuran Duka, kanë vazhduar edhe gjatë natës. “Defekti i cili ishte në Mavrovë është riparuar tërësisht. Ekipet për momentin janë duke riparuar edhe defektin në rajonin e Galiçnikut. Bashkë me ekipet e punës, në terren ka dalë personalisht edhe drejtori gjeneral i MEPSO, z. Kushtrim Ramadani për një kujdesje më të afërt”, informoi Duka.
Me këtë rast, energjia elektrike në Dibër u rikthye dje në orët e mëngjesit. Por duke marrë parasysh situatën dhe dëmtimet e rrjetit, ka rreziqe që dëmtimet në rrjet të paraqiten përsëri. Pikërisht për këtë shkak – kryetarët të tre komunave, Hekuran Duka, Arjan Ibraim dhe Medat Kurtovski, dje janë takuar me qëllim menaxhimin sa më mirë të problemeve me defektet e shpeshta, sidomos gjatë dimrit, ndërsa u kanë apeluar institucioneve tjera që të merren më seriozisht me riparimin e dëmeve, meqë ka patur vite kur disa ditë pa ndërprerë – gjatë dimrit, nuk ka patur rrymë elektrike, ndërsa dëmet si tek familjet, ashtu edhe në biznese, kanë qenë të mëdha. Ndryshe, në aksin rrugor Dibër – Mavrovë ka patur rrëshqitje të gurëve dhe dheut, dhe situata vazhdon të jetë e rrezikshme për udhëtarët, edhe pse njësitë e NPSH “Rrugët e Maqedonisë” janë në terren dhe po pastrojnë gurët dhe dheun. (koha.mk)