Paraqitja e epidemisë së COVID-19, sipas pronarëve të barnatoreve, ka rritur borxhet meqë përveç medikamenteve që marrin të sëmurët kronik për çdo muaj, popullata blen vitamina, preparate dezinfektuese, por edhe çajëra të ndryshme
Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 31 mars – Paraqitja e koronavirusit në Komunën e Dibrës, komunë në të cilën është shpallur edhe situatë krize, mes tjerëve ka rritur dukshëm edhe borxhet që kanë një pjesë e qytetarët dibran në barnatore. Duke marrë parasysh numrin e madh të popullatës që ballafaqohet me probleme sociale, por që aktualisht kanë nevojë edhe për medikamente, pronarët e barnatoreve në Dibër dukshëm i kanë shtuar emrat e borxhlinjve në listat e tyre. Në bisedën që patëm me disa nga pronarët e barnatoreve në Dibër, u informuam se edhe më parë, një pjesë e dibranëve kanë marrë borxh medikamente të ndryshme, të cilët pas marrjes së ndihmave sociale, i kanë shlyer të njëjtat.
Por, paraqitja e epidemisë së COVID-19, sipas pronarëve të barnatoreve, ka rritur borxhet meqë përveç medikamenteve që marrin të sëmurët kronik për çdo muaj, popullata blen vitamina, preparate dezinfektuese, por edhe çajëra të ndryshme. Duhet të theksojmë se ka edhe të tillë të cilët për shkaqe sigurie, nuk marrin receta tek mjekët amë dhe medikamentet i marrin me vlerën që ata kanë. Pronari i barnatores “Do Farm”, Ilir Dovolani, thotë për gazetën KOHA se është fakt që ka një rritje të borxheve nga qytetarët ndaj barnatoreve. “Ne e kuptojmë këtë situatë dhe është krejt normale që të japin medikamente të ndryshme me pagesa të vonuara. Kështu do të jetë edhe më tej, meqë popullata ka nevojë për medikamente dhe një pjesë e qytetarëve tanë kanë probleme me të ardhurat minimale me të cilët mbijetojnë”, thotë Dovonani, ndërsa shton se ka rritje të dukshme të kërkesave për vitamina, por edhe preparate të tjera dezinfektuese.
“Lista e borxhlinjve në këtë barnatore ka qenë gjithmonë, por tani ajo shtohet shumë më shumë. Nuk kemi pas probleme me sigurimin e maskave dhe dorezave, të cilët në këtë kohë i kërkon popullata me të drejt, pasi ato janë tani më se të nevojshme”, tregon Dovolani.
Situata është e njëjtë edhe tek gjashtë barnatoret të tjera të cilat javëve të fundit, për shkak të situatës me koronavirusin, në barnatore ka edhe klientë të shumtë nga vendbanimet rurale të Dibrës. Në të gjitha barnatoret respektohen masa qeveritare që ka të bëjë me distancën nga ana e qytetarëve para barnatoreve. Në barnatoret dibrane mund të shohësh vetëm një qytetar brenda hapësirës, kurse të tjerët presin jashtë. Barnatoret janë të furnizuara dhe thonë se për çdo ditë pajisen me të gjitha medikamentet për të cilat bëjnë kërkesa kryesisht tek kompanitë që merren me prodhimin dhe distribuimin të medikamenteve dhe preparateve të tjera të kësaj sfere. (koha.mk)