Deri sot – në dy komunat nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 771 persona aktiv me Kovid-19, dhe – për fat keq, shton Mela, nga numri i përgjithshëm i të sëmurëve – Dibra dhe Zhupa pati 35 viktima. “Nëse bëhet një analizë me numrin e banorëve dhe numrin e të sëmurëve, por edhe të viktimave nga Kovid-19, Dibra gjende në komunat me më shumë të sëmurë dhe të vdekur nga koronavirusi”, thotë dr. Mela
Vjollca SADIKU
Dibër, 26 shkurt – U bë një vit nga paraqitja e rasteve të para me koronaviris në Maqedoni. Më 26 shkurt të vitit 2020, në RMV u zbuluan rastet e para të të prekurve nga virusi i rrezikshëm Kovid-19. Dy rastet e para u zbuluan në Spitalin e përgjithshëm në Dibër nga epidemiologu Mentor Mela. Një vit më pas, Mela kujton momentet të zbulimit të rasteve të para tek dy banorë të Komunës rurale Qendër Zhupë. Mela, njëherësh udhëheqës i Njësisë për Shëndet Publik në Dibër, thotë se dy rastet e dyshuara fillimisht, për fat të keq rezultuan pozitiv.
“Çifti nga fshati Ballanc i Komunës Qendër Zhupë kishin ardhur nga Italia ku kishin vizituar fëmijët e tyre. Pas ardhjes së tyre nga Italia, ata kishin simptoma nga koronavirusi dhe ndihmë shëndetësore kërkuan në Spitalin e Dibrës, i cili mbulon edhe Komunën Qendër Zhupë. Duke marrë parasysh simptomat në fjalë dhe informatën se në Itali veçmë kishte filluar vala e koronavirusit, realizuam të gjitha analizat dhe pasi kuptuam se bëhet fjalë për infektimin e tyre nga virusi i rrezikshëm, i dërguam ata persona në klinikën e Shkupit”, tregon Mela për gazetën KOHA, ndërsa shtoi se kontakti i këtyre personave me të afërmit e tyre në Dibër – ku pati edhe një rast vdekjeje më pas, përhapi virusin edhe në qytet. Dhe ashtu filloi që virusi në Dibër të përhapet. Për fat të keq, dinamika në valën e parë të virusit u zhvillua shumë shpejt dhe u regjistruan 51 të prekur me Kovid-19 vetëm për disa ditë, nga të cilët kishte katër viktima. Mela thotë se pikërisht vendosja e masës së krizës në Dibër dhe Qendër Zhupë për plot një muaj, ia arriti qëllimit dhe një muaj nuk kishim raste me virus.
“Jam i mendimit se bllokimi i tërësishëm i banorëve faktikisht pamundësoi që virusi të zgjerohet”, kujton Mela, ndërsa informon se duke filluar nga 5 prilli e deri më 5 maj, në Dibër nuk u regjistrua asnjë rast pozitiv në Kovid-19. Por, pas heqjes së karantinës në dy komunat dhe u lehtësuan masat, vazhdoi sërish përhapja e shpejtë e virusit. Në valën e dytë, sipas Melës, Dibra përsëri u bë vatër e infektimeve. “U ballafaquam me probleme të shumta dhe për çdo ditë kishim raste pozitiv me Kovid-19. Numri nga dita në ditë rritej dhe për fat të keq, shumë shpesh kishim edhe viktima. Angazhimi jonë ishte maksimal dhe përveç zbulimit të rasteve të reja duke realizuar testime, në kontinuitet bënin edhe vizitat e të sëmurëve nëpër shtëpi. Rastet e rënda dërgoheshin në klinikën e Shkupit”, tregon Mela.
Trendi i prezencës së virusit në Dibër e Zhupë, megjithatë vazhdoi të rritet. Vazhduan edhe angazhimet e Ministrisë së Shëndetësisë në luftën kundër Kovid-19 , normalisht së bashku me masat qeveritare, thotë Mela, ndërsa përmend edhe rolin e madh që luajti dhe po luan “Kovid Qendra” në Dibër.
Në ndërkohë, deri sot – në dy komunat nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 771 persona aktiv me Kovid-19, dhe – për fat keq, shton Mela, nga numri i përgjithshëm i të sëmurëve – Dibra dhe Zhupa pati 35 viktima. “Nëse bëhet një analizë me numrin e banorëve dhe numrin e të sëmurëve, por edhe të viktimave nga Kovid-19, Dibra gjende në komunat me më shumë të sëmurë dhe të vdekur nga koronavirusi. Megjithatë, numri i të prekurve nga ky virus duhet të jetë më i madh meqë shumë dibran dhe banorë të Zhupës – edhe pse kanë patur simptoma të këtij virusi, nuk janë paraqitur tek mjeku dhe lehtësisht e kanë kaluar virusin e rrezikshëm. Jam i bindur se tashmë mbi 35 për qind e popullatës në Dibër kanë fituar imunitet natyror”, thotë Mela, ndërsa shton se fundi i pandemisë mund të vijë vetëm me vaksinimin e popullatës. (koha.mk)