Shkup, 29 shtator – Që nga fillimi i sezonit të verës dhe që nga ardhja e mërgimtarëve, qytetarët e Dibrës po ballafaqohen me mungesën e ujit, nga ora 13 deri në orën 17. Kjo ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes më shumë si në pastrim ashtu edhe në gjërat tjera më elementare, shkruan gazeta KOHA.
Qytetarët fajin ia hedhin Komunës duke thënë që me ndalimin e ujit Komuna po e furnizon fabrikën “MAYA”, gjë që u refuzua kategorikisht nga Komuna e Dibrës, duke ua hedhur fajin qytetarëve që po e keqpërdorin ujin pasi që po e shfrytëzojnë për vaditjen e kopshteve.
“Fabrika ‘MAYA’ ka burimin e vet të ujit, do me thënë në bazë të koncesionit që kanë marrë ajo shfrytëzon burimin e vet të ujit, dhe atë që kanë konstatuar banorët nuk është e vërtetë, ndërsa sa i përket ndaljes së ujit është e vërtetë dhe ka orar të reduktimit të ujit sidomos gjatë sezonit të verës. Kjo vjen si pasojë e shfrytëzimit të pakontrolluar nga ana e qytetarëve, pasi që vetë qytetarët e përdorin për vaditjen e kopshteve, dhe kjo lirisht mundë të verifikohet në periudhën kur ka reshje të shiut brenda dy tre ditëve gjatë verës në atë kohë nuk ka mungesë të ujit, dhe kjo vërteton se uji i pijshëm përdoret edhe për vaditje të kopshteve. Një ndër arsyet është kjo, por nuk mundë të themi që nuk ka dhe keqpërdorime tjera, por numër një është kjo arsye, nuk është se ka mungesë të sasisë së ujit të pijshëm, pasi në bazë të të gjitha llogarive me normën ndërkombëtare dhe nacionale, sasia e ujit që vjen në rezervuar i plotëson të gjitha nevojat, por ka mangësi në keqpërdorim”, tha sekretari i Komunës së Dibrës, Gazmend Cami.
Sipas disa analizave, uji i Dibrës që vjen nga burimi i lumit Rasoçka në malin Bistra është më cilësori në Maqedoni dhe i treti në Evropë. Qyteti furnizohet me 160 litra në sekondë. Qytetarët apelojnë deri te autoritetet lokale që ky problem të zgjidhet sa më shpejtë pasi po vështirësohet jeta e tyre. (koha.mk)