Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 28 mars – Shtabi operativ i krizës në Dibër kërkon që gjatë analizave të testeve për koronavirus në Shkup, tu jepet prioritet testeve nga Dibra meqë Dibra është në situatë krize. Plot tre ditë nuk ka informata për testet që merren nga Dibra nga epidemiologu, tha sot kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili udhëheq edhe Shtabin operativ të krizës, shkruan gazeta KOHA.
“Prioriteti do të mundësonte ta dimë gjendjen objektive të numrit të të sëmurëve”, shtoi Duka. Ai informoi se sipas të dhënave zyrtare, në Dibër janë të evidentuar 41 të prekur nga koronavirusi nga të cilët 14 shërohen në Klinikën infektive në Shkup, kurse 27 janë në izolim shtëpiak. Nga dita e djeshme kur ishin të evidentuar 210 persona në izolim, sot ka një ulje të numrit të personave dhe në izolim janë 183, meqë një pjese të këtyre personave të dyshuar u ka kaluar karantina 14 ditore.
Në takimin me mediat, Duka poashtu theksoi se sot ka patur një intervenim nga policia në tregun e gjelbër mëqë ka patur shumë banorë. Grumbullimi ka qenë jashtë masave qeveritare dhe policia me të drejtë ka qenë e detyruar të ndërmerr masa ligjore që realizohen në situatë të gjendjes të jashtëzakonshme.
Sa i takon furnizimit të shitoreve dhe barnatoreve, ata furnizohet rregullisht. Vetëm gjatë ditës së djeshme u lejuan të hyjnë në Dibër disa kamionë me ushqim dhe medikamente.
Shtabi operativ informoi se spitali i Dibrës është në pritje të mjekëve dhe aparaturave të kërkuara. Poashtu u theksua se për çdo ditë nga postblloqet policore 20 deri më 25 kamionë sjellin artikuj ushqimor në Dibër, që do të thotë se situata me furnizim është shumë e mirë. Duka në fund apeloi tek dibranët të respektojnë masat qeveritare dhe orën policore. (koha.mk)