Dibër, 18 janar- Gjithsej 89,28 milionë denarë planifikon të shpenzojë Komuna e Dibrës sivjet për përmirësim të infrastrukturës rrugore.
Mjetet janë projektuar në Programin për ndërtim, rikonstruksion, mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve lokale dhe rrugëve të qytetit.
“Pjesa më e madhe, 44 milionë denarë, do të jenë për ndërtim të rrugëve lokale. Prej tyre, 15 milionë janë për ndërtim të rrugës vendkalimi kufitar ‘Bllato’, fshati Banjishtë, tetë milionë për ndërtim të rrugës lokale e cila i lidh fshatrat Ame dhe Banjishtë, ndërsa 4,2 milionë për ndërtim të rrugës deri në fshatin Bomobo”, thotë Petrit Paçuku, udhëheqës i sektorit për urbanizëm në komunën e Dibrës.
Sipas tij, me Programin parashikohet ndërtim i rrugëve lokale në më shumë fshatra, për të cilët janë paraparë mjete në vlerë prej 300.000 deri në 1,2 milionë denarësh.
Për ndërtim dhe renovim të rrugëve në qytet janë planifikuar mbi 40 milionë denarë.
“Mjetet e planifikuara në krahasim me vitin e kaluar janë më të ulëta për rreth 30 milionë denarë sepse një pjesë e madhe e rrugëve në qytet fituan asfalt të ri, ndërsa pothuajse në të gjithë rrugicat në Dibër dhe fshatrat janë vendosur pllaka”, shton Paçuku.
Me Programin për mirëmbajtje dimërore të rrugëve komunale dhe rrugëve në qytet dhe në fshatra janë planifikuar dy milionë denarë. Gjithashtu mjete financiare janë planifikuar për rikonstruksion të gropave të theksuara nëpër rrugët në qytet dhe fshatrat dhe nga 500.000 denarë për vendosje të sinjalizimit vertikal dhe horizontal dhe për përgatitje të projekteve dhe studimeve.
Mjetet planifikohet që të grumbullohen 10 milionë denarë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore Shkup, 35 milionë nga participimi (komuna dhe popullata komunale), 24 milionë nga Agjencia për Zhvillim të Barabartë dhe mbi 20 milionë denarë janë donacione.